Mbreteresha Geraldine Si tentuan te me helmonin kur isha shtatzene

Mbreteresha Geraldine: Si tentuan te me helmonin kur isha shtatzene
Më 10 tetor, Mbreti diskutoi seriozisht me të shoqen rreth problemeve me Italinë. Tani ai ishte thellësisht i përkushtuar për të bashkëpunuar me ta dhe për këtë argumentoi se, së paku, ky qetësim i marrëdhënieve duhej të bëhej me nder dhe integritet.

Duhet të dërgoj gjeneral Serreqin t’i çojë, personalisht, një mesazh Çianos me udhëzime për të lënë një shënim që konfirmon deklaratat që e kam urdhëruar të bëjë, – i tha Mbretëreshës. – Sot Shqipëria është në duart e italianëve që kontrollojnë çdo sektor jetësor të shtetit. Mbreti i nderon ata dhe i dëgjon. Populli të është mirënjohës. E ç’kërkon më tepër Italia? Italianët ia dëgjojnë shumë fjalën Serreqit, ai vetë është filoitalian.

Ai është i bindur se në kushtet që jemi nuk kemi se ç’qëndrim të mbajmë veç miqësisë dhe aleancës me Italinë. Kjo është e vërtetë, me kusht që ata të mos kërkojnë asgjë kundër pavarësisë dhe sovranitetit të Shqipërisë. Kjo ishte periudha më e rëndësishme në gjithë jetën time, për shkak të tensionit që mbizotëronte në gjithçka që mendonim dhe bënim. Ishte një periudhë që më bëri të maturohesha. Përveç anës njerëzore, m’u çelën sytë ndaj intrigave të botës politike dhe kjo më afroi edhe më shumë me tim shoq. Isha ende njëzet e dy vjeçe dhe ai kishte një durim të papërshkrueshëm kur uleshim së bashku në mbrëmjet e gjata dhe unë dëgjoja zërin e tij të qetë e autoritar. Ndoshta kënaqësia e pafundme e të pasurit të një fëmijë në bark me jepte qetësi dhe mirëkuptim, çka e ndihmonte shumë tim shoq dhe mua më bëri ta dashuroja këtë vend dhe këtë popull për gjithë jetën.

Më 8 shkurt, 1938, Mbreti i dërgoi një njoftim kolonel Selmanit, të Gardës Mbretërore, duke i shprehur qartë sesa i shqetësuar ishte nga lajmi që kishte marrë në lidhje me marrëdhëniet me Italinë: Lajmi nga Beogradi thotë se Çiano ka rënë dakord me Dr.Milan Stojanoviçin, kryeministrin e Jugosllavisë, për ta ndarë Shqipërinë më dysh, duke mbajtur pjesën më të madhe për vete. Kjo ide ishte kundërshtuar nga qarqe të përgjegjshme jugosllave, të cilat mendojnë se minoriteti shqiptar në vendin e tyre është shumë i madh (gati dy milionë) dhe do të ishte

çmenduri të doje ta zmadhoje këtë shifër. Synimet italiane për mësymje tani janë të qarta, dhe mund ta bëjnë këtë vetëm, pa pasur nevojën e ndihmës aktive të jugosllavëve. Rreziku është i afërt dhe unë do të bëj gjithçka është e mundur për ta ndaluar. Megjithatë, disproporcioni midis forcave është jashtëzakonisht i madh.

 

Këshilli i Ministrave vendosi që duhej t’i dërgonin një notë zyrtare proteste Italisë dhe se fashisti Xhiro dhe vasali i tij Koçi, së bashku me konspiratorë të tjerë shqiptarë, duhet të demaskoheshin dhe të dëboheshin publikisht. Për shkak të veprimtarisë së këtyre konspiratorëve, Mbreti i kërkoi Mbretëreshës të ndryshonte rutinën e saj të përditshme. Në vend që të shkonin në fshatrat aty rrotull pas gjumit të pasdites, nuk duhej të largohej nga parku. Një pasdite, teksa po shëtisnin në park, Mbreti i tha Mbretëreshës: Shiko vetëm përpara dhe pa nxituar bëj mbrapsht se do të kthehemi në pallat. Kur ata hynë në pallat, Mbretëresha i kërkoi shpjegim rreth atij urdhri të pazakontë, por Mbreti iu përgjigj vetëm me fjalët: Më vonë, dhe shpejtoi drejt zyrës.

Atë mbrëmje Mbreti i tregoi se kishte shumë kohë që kishte marrë vesh rreth një orvatjeje për t’i marrë jetën. Përderisa ishte e vështirë ta gjenin vetëm, elementet fashiste që ishin ngarkuar me këtë punë kishin bërë plane t’i jepnin fund jetës së Mbretit dhe të pasardhësit të tij në të njëjtën kohë. Pranë parkut ishte një ngrehinë e lartë dhe ai kishte vënë re që në dritaren e papafingos një armë kishte vezulluar nën dritën e diellit. Kur u kthye në zyrë, Mbreti menjëherë kishte dërguar rojat e tij, që e kishin kapur atentatorin e mundshëm dhe e kishin çuar në zyrën e tij.

Burri i kishte rrëfyer gjithçka, përfshirë edhe shumën e parave që i kishin ofruar. Ashtu siç ishte karakteristike për Mbretin, ai i kishte thënë burrit të mbante floririn, por ta njoftonte për çdo lloj plani tjetër që mund të thurej. Dy ditë më vonë, Jak Koçi, dikur njeri i besuar i Mbretit, por që tani na doli se ishte një tradhtar me dy fytyra, erdhi për drekë. Teksa po hanin ëmbëlsirën, Mbretëresha e pështyu pjesën e vet. Koçi u zbeh. U drodh, kur tha: Mos hani më! Mbretëresha nuk e kuptoi dhe u përpoq të shpjegonte se gjithçka ishte një keqkuptim, se, në vend që të bënte strudel me mollë, kuzhinierja kishte përdorur lakër, një gatim hungarez që Mbretëresha s’e honepste dot. Mbreti reagoi menjëherë, e tërhoqi Koçin për veshi, e nxori nga dhoma dhe përplasi derën pas vetes. Mbretëresha e pa teksa Mbreti i tha dy fjalë dhe me një shkelm e shtyu Koçin poshtë shkallëve. Kur u kthye, pa pikën e acarimit në fytyrë, tha vetëm këto fjalë:

Pas dy orësh, ai njeri nuk ka për të qenë më në territorin e Shqipërisë.

Koçi i kishte dhënë ryshfet kuzhinieres dhe gruas hungareze që punonte në kuzhinë, duke u kërkuar të hidhnin helm në strudel. Të dyja, me qëllim që ta paralajmëronin, i kishin shkuar Mbretit me qeset me flori që u kishte dhënë Koçi, por e patën të pamundur të flisnin me të.

Brenda dy ditësh, Mbreti dhe Mbretëresha i mbijetuan një orvatje tjetër për t’i vrarë. Ishte e kuptueshme se Mbretëresha ishte në angështi për sigurinë e tyre, por në paraqitje ajo u mundua të tregohej e qetë, duke e mbështetur sa më shumë të shoqin.

Ditën e dasmës Hitleri na dhuroi një mercedes të kuq

Javë para martesës, vazhdonin të mbërrinin dhurata nga e gjithë bota. Admiral Horthi, regjenti i Hungarisë, dërgoi si dhuratë personale një pajton të bukur që tërhiqej nga katër kuaj të bardhë Lipizaner, mjaft lozonjarë. Pajtoni do të përdorej për të mbartur nusen drejt pallatit ditën e dasmës. Hitleri dërgoi një Mercedes të gjatë, të kuq flakë, mjaft të fuqishëm, trecilindërsh të kromuar, me tavan të lëvizshëm dhe me tapiceri të bardhë lëkurë. Ishte një kopje e makinës së vet, e vetmja e tillë. Familja Aponyi u dhuroi një servis të mrekullueshëm enë kuzhine prej bronzi të rëndë, një portret të gjyshit të Mbretëreshës së re, kontit Lajos Aponyi të bërë nga Lazlo dhe një set nga porcelani i famshëm hungarez Herendi. Kishte lloje të ndryshme qilimash dhe rrugicash, prej miqve që kishin dijeni për koleksionin personal të Mbretit. Dhurata e Musolinit ishin katër vazo shumë të bukura prej bakri, ndërsa dhurata e mbretit Viktor Emanuel, statuja prej bronzi e

një ushtari vigan. Dhuratat nuk u ekspozuan, por u vendosën të pahapura në burgun e garnizonit pranë pallatit të bardhë të papërfunduar, të cilin Mbreti po e ndërtonte për nusen e tij, lart mbi Tiranë. Sot, teksa kthehet prapa në kujtime, mbretëresha Geraldinë tregon se shumë prej dhuratave nuk pati mundësinë t’i shohë.

Tani kur shoh ndonjë gjë të bukur, më pëlqen ta kundroj, pasi një prej kënaqësive më jetike që Zoti na ka dhënë, është të parët. Them me vete që është e bukur, e këndshme, e lezetshme, por më mirë që nuk më përket mua. Me sa duket, unë jam destinuar të humbas gjithçka me vlerë materiale dhe këtë e pranoj si vullnetin e Zotit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama