Mbremje... ne Laboven e Zhapes

Mbrëmje... në Labovën e Zhapës
Këtë herë, nuk duam të ngatërrohemi, siç ndodh rëndom, por të ndjekim rrugën e shtruar me asfaltin pak të ngrënë anash. Ajo gjarpëron përkundrejt rrjedhës së lumit Drino, vetëm pak kilometra para se ky t’i bashkohet Vjosës. Udha, që ngjitet butë, të drejton vetë në kufirin krahinor me Lunxhërinë. Ka qetësi, ndërsa tek-tuk ndonjë bari ka vendosur dhëntë përpara dhe baritet. As qeni i tij nuk bezdiset prej nesh. Gjithë zonës, banorët i kanë vendosur dhe një emër Odrie, që tre zanoret ja u bëjnë më të këndshme, kur i shqiptojnë. Që nga kohë të shkuara gjallojnë ende tetë fshatra: Kodra, Lekli, Hormova, Tërbuqi, Labova e Madhe, Labova e Vogël, Hundëkuqi dhe... në kohë të Komunizmit, një fshati, që e kemi lënë pak më parë, pati emër njeriu “Andon Poçi”, që ka mbledhur vllehtë. Për katër orë zbrisnim nga Karjani në Gjirokastër, do më thotë një nga pleqtë e vjetër të Labovës, që ka kohë që i ka lënë të tetëdhjetat. Plaku Lani, që do e gjejmë në një shtëpi pas Zhapës, do më flasë për gjithçka mundet. Për bimët mjekësore, pastaj sesi gazetari Thoma Dilo ndihu dhe u bë sebep që të ndërtohej ura gjysmë e gurtë dhe gjysmë e hekurtë dhe sesi italianët kur u tërhoqën i vunë minat. Eh, kohë të tjera, psherëtin shpesh.

Drejt Labovës...
Është Tërbuqi, vendi i parë që hasim dhe ku rruga ngjishet mes shtëpive të gurta me avllitë rrethuar me rasat e gurit. Një amvisë në moshë nuk na i ndan sytë. Ndajmë pak minuta muhabet, por kur e pyesim për punët e fshatit, fillon ankimimin e zakonshëm. E pyes për manastirin e famshëm, një nga veprat më të këndshme të Ortodoksëve, por për këtë s’ka përgjigje. Na hedh një si vështrim nga këmbët deri sipër dhe duket paq se nuk na e ka ngenë. Nga tutje, në një gri të bukur, të dimrit mbrëmësor, Manastiri i Tërbufit, bën gjumin e tij të patrazuar. Është një nga dhuratat e Zhapës së madh. Diku nga fillimi i shtatorit të vitit 1921 një klerik vendas meshoi për herë të parë në gjuhën shqipe i shoqëruar nga plot 100 hierarkë, thuhet në një kronikë të kohës. Kohët e Autoqefalisë shqiptare, tash të duken të largëta. Ta lemë. Duhet të mbërrijmë në Labovë. Ata, që e kanë bërë Labovën (e Zhapës), panë se ajo kishte një sërë epërsish strategjike, ekonomike dhe madje edhe klimaterike. Ishte në qendër të udhës kryesore të kohës nga Labova (e Stratonit) - Tepelenë (Titopolis). Çuditërisht nuk kishte han, por mund të rrije kudo mik dhe në rast rreziku mund të kaloje shpejt në luginë ashtu si edhe në malin sipër. Më shumë akoma lidhte njëherazi Zagorinë, Rrëzën, Lunxhërinë dhe Labërinë. Por fatlumët, panë se kishte rezerva të shumta uji dhe guri dhe, mbi të gjitha, kishte pyje pa mbarim lisash, që Labovitët ia panë hajrin: mjaltin e lisit, gjethet, lendet dhe vetë drurin. Në pak minutat, që na kanë mbetur, dalja e Zhapës, na zhduk nga rikonjicionet dhe ato që kemi lexuar. Është si një festë, dalja e saj. Vërtetë, siç ndodh gati rëndom, të parët që hasim në fillim janë fëmijët. Një grup i tërë, ka gjetur disa fishekzjarrë plasës dhe mundohen të ngacmojnë gjithkënd, që kalon aty pari. Na kursejnë neve dhe na vihen menjëherë në ndihmë. Duam të gjejmë kryeplakun. Vito Stathi, ashtu si quhet, për fat, sapo ka ardhur nga Gjirokastra. I pari, që na orienton është i ati. Do t’ju sqarojë Vito më mirë, na thotë dhe na tregon udhën. Një nga fëmijët ka bërë lidhjet dhe me këtë rast më përshëndet me një fishekzjarr. I qesh e gjithë fytyra, kur e kryen aktin. Vito, një burrë i ngjallur, i veshur shumë qytetarçe, sapo ka ardhur nga Gjirokastra. Ka marrë fëmijët nga shkolla. 52 vjeçari është pak i ngjallur dhe pasi i shpjegojmë qëllimin, është menjëherë i gatshëm. Do na dërgojë fillimisht tek shtëpitë e Zhapës, në kishë dhe pastaj tek një i moshuar. “A ecni dot o qytetarë?”-na thotë pak me ngacmim. Pas disa metrash, drejt njërit prej kalldrëmeve të prishur të fshatit, fshatari-kryeplak që punon në ujësjellës, dihat me zor. E pres. 12 minuta më vonë jemi në shtëpinë e Zhapës...

Intermexo-Bajron
Djaloshi simpatik 22 vjeçar, atë kohë udhëtonte nga Janina për në Tepelenë, në një rrugë krejt të panjohur për t’i dhënë jetë romantizmit të tij. Atë, natë iu desh të qëndrojë këtu dhe madje vendasit besojnë se këtu u hodhën edhe vargjet e para të poemës “Child Harold”. Robin Tennison dhe Luela, që i kam takuar në Hotel Kalifornia, gati një vit më parë, më kanë shpjeguar me detaje, se kanë qëndruar diku në fshat dhe madje pse jo disa nga vargjet e para të Pelegrinazhit të Child Harold morën jetë prej këndej. Pak dekada më vonë, pa zulmën e Lord Byron, ishte Georg von Han që mendohet se ka kaluar nga Karjani, atje ku fillonte rruga e kalldrëmtë dhe që të dërgonte drejt Labovës...

Shtëpia e Zhapës.
Bash këtu ku jemi, kanë mbetur mure të lartë për tre kate dhe një kompleks ndërtimi, që i ngjan vërtet një manastiri. S’ka dritare dhe as çati. Nuk mund të ndodhte ndryshe për shtëpinë e Zhapës. Hapim derën, që çelet pa ndonjë marifet, ndërsa ajo që ka mbetur nga trashëgimia e Zhapës, është një ngrehinë, që pret të bjerë në fund të dyluftimit me motin dhe ata që merren me pasardhësit e Zhapës. Gjithsesi madhështore. Shkatërrimi është i frikshëm. Ka filluar me kalldrëmin dhe ka vazhduar gjithandej. Nderimi i shqiptarëve vendas për Zhapën mund të kundrohet lehtësisht nga kjo masakër që i kanë bërë shtëpisë. E kanë djegur gjermanët dhe e kanë plaçkitur vendasit. Ka disa kënde të bukura në shtëpi dhe shumë dhoma. Vende oxhakësh dhe kulme të drejta, të ndërtuara mjeshtërisht. Tani janë kudo dhe të pëgërat e bagëtisë. Në një kronikë thuhet se pasuria e Zhapës së madh ishte bërë, ngaqë këtu kalonte një madem ari. E gërmuan dhe këtë fshatarët por s’gjetën gjë, madje më shumë akoma kërkuan dhe gjeologët, por edhe ata ikën si erdhën. Është një batërdi e pamasë. ”Hajde ikim”, më thotë kryeplaku që është i mërzitur me fotot e mia. Zhapa u largua nga ky vend shumë i ri për të ardhur pas shumë vitesh dhe për të ikur përgjithmonë...La shtëpinë që u dogj. “Kush ka banuar?”-i them kryeplakut. “Ehhh”. S’e kuptoj këtë.

Me Koçon
Koçon e gjejmë në shtëpinë e tij sipër fshatit, ku qëndron në një dhomë të vogël bashkë me të shoqen. I ngjan si dy pika uji shtëpive të jugut. Një dollap muri, pak dantella, dy divanë, e kudo varet në dhomën e vogël era e mrekullueshme e bukës. Plaku, që shkruan në gazetën lokale, merr një letër ku do shënojë me kujdes të dhënat e mia. Ndajmë gjërat e çastit. Nga je? Si je? Kush je? E pyes unë. Fillon shtruar.“Ne marrëdhëniet me Tepelenën i kemi pasur. Në fshatrat që janë me Tepelenën, me to kishim lidhje, thotë plaku. Fshati që na afrohej nga niveli i civilizimit ishte Lekli. Shumë e populluar ka qenë Hormova. Dy herë grekët më 1914 dhe 1939-40 e bënë masakër”. 82 vjeçari Koço Lani, që nuk e heq dhe në dhomën e vogël, kapelen e republikës, ka qenë partizan dhe prej 42 vjetësh është kthyer në fshat. Ka qenë nëpunës. Pastaj ishte në ushtri. Shkoi në Estradën e Gjirokastrës dhe kur u krijua Ferma u vendos përfundimisht në fshat. Bën pak fjalë me kryeplakun për dritat dhe për gjëra të tjera. Vito i hap rrugë. Është burrë me humor dhe i këndshëm. Plaku, që vitet e kanë rrudhur, këmbëngul se dritat erdhën më 1967...

Intermexo-sërish
Georg von Hani na ka lënë një evidencë për labovitët, që ata numëroheshin 100 shtëpi, nga të cilat 27 i përkisnin fisit Meksi (Meksataj), 20 shtëpi i kishte fisi i Kiliatarëve dhe 33 shtëpi fisi i Miçançuliateve të ardhur nga fshati Xuljat (Zhulat). Jetë e mot dhe në atë kohë burrat iknin në kurbet, si të gjithë njerëzit e Rrëzës dhe Lunxhërisë. Ishin zejtarë, tregtarë dhe mjekë popullorë në ndihmë të gjithë krahinës...
...
Xha Koço s’dëgjon mirë por historia prej tij është një ekstrakt i kujdesshëm i gjithë atyre që ka dëgjuar. E nguc pak. Mbrëmja po derdh tisin e saj pas penxheres së vogël të dhomës, kurse gruaja e tij më ndjek më vëmendje.. “Labovitët quheshin filogrekë dhe grekofonë. Filogrekë për arsye se me punë ishin me Greqinë në Voshtinë, Janinë, Athinë dhe Selanik. Pa kanë qenë të punësuar dhe në Stamboll. Më shumë punonjës dhe pak tregtarë. Fshati jetonte 70% me kurbet dhe të tjerët ishin nëpunës, mjekë , farmacista. Nga kurbeti sollëm kulturën mënyrën e jetesës dhe po të shikoje Labovën para djegies dukej si lagje qyteti. Më 24 qershor 1944 e dogjën nazistët i vunë zjarrin dhe ballistët”. Labova vuajti shumë për shkak të mirëqenies së saj, ndërsa fronti i Luftës Italo-Greke që shkonte nga Shkalla e Zezë dhe deri në Luzat, Golik dhe pastaj drejt Përmetit i solli rrënime të reja. “Fiset më të vjetra si them dot ekzaktësisht. Por kush janë rreth e përqark...kroit të madh dhe nga ata që kanë mbetur vetëm 4 familje janë labovitë. Jemi ne Lame .Gaqe Meleqi si shtëpia e dytë. Stefan Stefani, dhe ky i ardhur nga bregdeti para 200 vjetësh. Pastaj Priftajt dhe këta janë të ardhur. Qendra ishte e populluar. Pastaj Totajt, Narajt”. Bën fjalë sërish me kryeplakun, që e ndërpret. Fiset që janë zhdukur?-e pyes. Rexhajt, Xhoraj, Veshkaj. Dilaj, Shehaj, Seferaj, Nockaj, një lagje e tërë pothuajse. Labova ka pasur 600 banorë gati 200 vjet të shkuara, sipas plakut, kurse përmendët që në regjistrat turk që i ka bërë të njohura historiani turk Inalçik. Zilia dhe fati i keq i luftërave i bëri vendasit që të mos kthehen më në fshat. Reshtën dhe kambanat, që kur binin së toku i ngjanin një feste të madhe. Tetë kishat që nga Shën Mëria, Shën Deliu me kambanë dhe ajodhimë, Shën Thanasi, Shën Kolli, Shën Mëhilli, Shën Trifoni, Shën Pjetri, Shëne e Premte...duhet të bënin vërtetë një festë. “Shërbimet fetare i bënin ata të Labovës së Vogël. Në moshën time ishte Papa Kosta Gjergji dhe pastaj Leonidh Duka. I kam arritur unë. Dhe Papa Nika por ai iku në Amerikë”. Ndërhyn sërish kryeplaku, por plaku nuk e lejon sërish. Vito tërhiqet me mirësjellje. Muhabeti kap muhabetin. Fshati u shtua në kohë dhe madje- dha e mori krushqi me myslimanët. E paharruar mbeti lidhja e bukur me Hormovitët dhe ndihma, që këta të fundit i dhanë njëherë kur Labova filloi të bëhej pre e grabitësve të krahinave fqinje. 40 hormovitë komplet të armatosur zbritën në ndihmë dhe rrethuan kishën ku labovitet e bukura veshur e ngjeshur me arë dhe gajtanë kishin shkuar për Pashkë. Si visheshin, e pyes plakun. “Ahhh-rënkon. Fatkeqësisht nuk ekziston asnjë ekzemplar. Kanë pasur tallagane. Dadja, e shoqja e Kallucit atij kryeplakut, që thërriti hormovitët dhe një në Priftaj kishin fustane deri në gju. Mbanin poshtë mëndafsh dhe coha. Ajo bëhej madje te ne. Burrat kanë pasur fustanellë, por para meje ishte e zakonshme në ditët e Pashkës shkonin me veshje të bardha dhe fustanella. Kalluci mbante një veshje shumë interesante. Mbante një qylaf allaturka. pantallona të ngushtë me gajtanë baras me çorapen dhe në mes një brez mbi këmishë,.ku futesh pipa dhe mbanin dhe pisqollën. Kjo ka qenë veshja. Gratë kishin veshje më të bukura. Ishin interesantes i mbanin flokët. Vajzat i pritnin flokët dhe pas klasës së pesë linin një kosë të pleksur. Me tu bërë nuse, vitin e parë bënin permanent dhe pastaj mbanin dhe ato kosa, por dy, një djathtas dhe tjetër majtas. I ruanin me bimët mjekësore”. Por ilaçi më i madh i këtyre njerëzve ishte sherbela dhe një grup bimësh mjekësore, që u falën veç shëndetit dhe mirëqenie. Sherebela në këtë vend mund të shfrytëzohet deri në tetë muaj dhe po aq dhe bimët e tjera. Kjo i ka bërë vendasit të jenë mjekë të mirë popullor, kurse Zhapës së madhe i tregoi udhën drejt pasurisë.

Sot
Bëjmë pakt me plakun, që do të na tregojë një lapidar, që e ka në shtëpi. Në këtë kohë, gjejmë kohën dhe të flasim me kryeplakun. Më përmend një bashkëfshatarin e tyre mjek, që është bërë sebep për rrugën ngaqë sipas tij i ka thënë direkt Berishës, ndërsa për gjërat e tjera fshati mbijeton vetë. Janë vetëm 2 milionë lekë, zakonisht që planifikohen për fshatin dhe me to duket qartë se nuk ke se çfarë të bësh. Të 65 banorët, që janë në 22 shtëpitë dhe 15 fëmijët janë gjallesa e vetme e një fshati, që po shuhet pak nga pak. “23”-e kundërshton sërish Plaku, që më pozon dhe para një lapidari në oborrin e tij që tregon shkollën shqipe më duket. “Harrova të them se kur vdiste njeri, kambana binte njëherë. Shën Koll kishte tre kambanë...Kambanat binin çdo të diel, e madhja. Dy të voglat binin bashkë kur kishte Pashkë. Të gjitha bashkë bënin ditët e Pashkëve. Ishte muzikë dhe të treja kombinonin me njëri tjetrin”. Të ka marrë malli,- e pyes. “Jo vetëm më ka marrë malli por mbyll sytë dhe ndjej ende kënaqësi”, më thotë. Ndahemi. E lë në mbrëmje, ndërsa ne zbresim në mbrëmje në fshat.

Vito më tregon krenar për ujin, por më thotë se kur iku Genc Ruli si ministër, nuk janë më si më parë me drita. Ka furgonë deri në qytet, i them por nuk e ndaj dot Tepelenën apo Gjirokastrën “Nuk kemi nevojë, ma pret. Nga Tërbuqi dhe në Labovë nuk njihen varfëria për atë që punon dhe është i mençur. Kemi avantazh, ngaqë kemi çaj, sherebel, rigon, trëndafil të egër, lulemurrizi dhe sot mblidhen. Është 1200 lek kilja. Ne e kemi si këtu deri te kasollja e plakut. E kemi në derë të shtëpisë këtë pasuri. Një njeri që të marrë 20000 lekë i duhen katër orë kurse ti si gazetar nuk i merr dot”, e mbyll retorikën e tij duke më parë me keqardhje. Po rrugët pse i ke lënë kështu?-ia kthej. Më tregon sërish një gjë mitike për gratë që pastronin. E lë. Kemi mbërritur sërish te shtëpia e Zhapës. “Vëllai yt e kishte marrë me qira për 5000 lek shtëpinë”, ia ‘marr hakun’ sërish. “E mo, pak qëndroi”, më thotë, por tani s’bën më Ehhh. Qëndroj dhe pak te Zhapa dhe flasim me burrin, që na ka kushtuar një ditë sot. Por, historia e Zhapës tregohet si të mundet. Zhapa e ndihmoi shumë fshatin e tij dhe kisha që do më çojë Vito është dhuratë prej pasurisë së tij. Akti më i lartë i Zhapës ishte dhurata e madhe që i bëri mbretërisë greke në shekullin e XIX. I dha paratë e mjaftueshme për të rilindur në tokën e helenëve, Olimpiadat. Në kishat, spitalet, shkollat, jetimoret që ngriti në Greqi por që ndihu dhe në territorin e Shqipërisë së pushtuar nga osmanët, u punësuan fshatarë dhe u strehuan gjyhnaqarë pafund. Greqisë i la Zapionin madhështor, një ngrehinë e veçantë e stilit neoklasik. Pasurinë e tij e madhe u bë mollë sherri mes Greqisë dhe Rumanisë dhe 22 vjet pas vdekjes, eshtrat e tij u sollën nga Rumania në Labovën e Madhe. Koka i mbeti në Zapion. Trupi në një varr ende pa emër në kishën e madhe, ku pozoj tashmë me një punëtor.

Epilog
Në kishë, vjen prifti, një burrë simpatik me sy të kthjellët blu. Është amator i historisë së ndërtimeve të religjionit dhe një herë tjetër më premton se do më marrë të më tregojë disa ndërtime paleokristiane. Është i biri i Barba Koços, një nga shtatë fëmijët e tij. Më tregojnë varrin e Zhapës, që në kohën e Socializmit e ngacmoi njëri nga të internuarit për kuriozitet. Nuk më thonë më shumë, përveç se shpejt kisha e madhe do të kumbojë me kambanën e saj. Është një duarartë që i ka bërë dhe me një shqipe me aksent minoritari më shpjegon me imtësi. Pritet ikonostasi.

Ne duam të ikim. Një mbrëmje në rrugë nuk është ndonjë gjë e mirë në Shqipëri, por ja që mbrëmja në vendin e Zhapës ia vlen ta ndjesh. Ka zbritur e paqme. Djali i vogël, që më ndihu qëparë, ma kërcet në shenjë miqësie një kapsulë te këmbët. Është e vetmja zhurmë që prish natën në Labovën e Madhe. Pas dhjetë minutash, një tis mjegulle, çahet nga pak dritat e mbetura të banorëve që mbajnë zulmën e fshatit aq të njohur. Dimër. Dhjetor 2009

Shkruan : Ben Andoni : Revista Mapo

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama