Matura MASh shpall programet e reja orientuese per 39 lende

Matura, MASh shpall programet e reja orientuese per 39 lende
Ministria e Arsimit publikon programet e reja orientuese për provimet e Maturës 2013. Mbi bazën e këtyre programeve do të hartohen edhe testetpër provimet e Maturës. Pasditen e djeshme, MASh ka publikuar në faqen e saj zyrtare programet orientuese të 16 lëndëve bërthamë, 14 të gjuhëve të huaja, dhe të 9 lëndëve të thelluara.

Duke marrë shkas nga problemet e hasura gjatë viteve të mëparshme me tezat, ku maturantët kanë deklaruar se në teste ka pasur pyetje jashtë programeve, siç ishte rasti i vjetshëm i poezisë “Albatros”, që ra në tezën e Gjuhë-Letërsisë, MASh sqaron se specialistët që do të hartojnë bankën e pyetjeve dhe tezat e provimeve, nuk duhet të përfshijnë në vlerësim çështje mësimore që nuk janë parashikuar në programe. Sipas MASh-it, specialistët duhet të tregojnë vëmendje edhe në lidhje me sigurimin e balancës midis përqindjes që zë secila fushë studimi në program, me përqindjet që zënë fushat e studimit në test. Këtë vit në kurrikulën bërthamë MASh ka përfshirë 16 lëndë të ndryshme, ku bëjnë pjesë edhe dy provimet e para me detyrim Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë.

Lënda e Gjuhës shqipe dhe e Letërsisë është provim i detyruar i Maturës Shtetërore për të gjithë nxënësit që mbarojnë shkollën e mesme. Sipas udhëzimit, testi i Gjuhë-Letërsisë do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërish të punuara në klasë. Testi do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë përfshirë të tre nivelet e vështirësisë. Peshat specifike për çdo nivel do të jenë: 40% niveli bazë; 40% niveli mesatar; 20% niveli i lartë. Ndërsa struktura e testit do të jetë e ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë do të jetë tekst letrar, që do të përbëjë 45% të tezës dhe pjesa e dytë, tekst joletrar, 55%. Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika, nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste tregimtare, poetike, dramatike, bindëse/argumentuese, përshkruese, shpjeguese, informative, eseistike, kulturologjike, të punuara apo jo më parë në klasë. Në program është përcaktuar edhe lista e veprave nga do të përzgjidhet fragmenti i tekstit letrar në testimin kombëtar. Për provimin e Matematikës, që konsiderohet edhe si më i vështirë nga maturantët, MASh ka përcaktuar peshën që do të zërë çdo linjë në test. Sipas udhëzimit, përgatitja për provimin e Matematikës bërthamë bazohet në programet e Matematikës bërthamë të gjimnazit dhe përfshin njohuritë dhe aftësitë më të rëndësishme të këtyre programeve. “Modelimi matematik, aftësia për të zgjidhur problema, aftësia për të përdorur njohuritë matematike në situata nga jeta reale dhe në problema me përmbajtje nga shkencat e tjera, aftësia e të menduarit kritik, aftësia për të argumentuar, për të gjykuar, për të vërtetuar, si dhe aftësitë ndërkurrikulare të kurrikulës së gjimnazit duhet të jenë në vëmendje përgjatë përgatitjes për provimin e Matematikës”, – thuhet në udhëzim. Edhe për lëndët e tjera, qoftë nga kurrikula bërthamë apo me zgjedhje dhe gjuhët e huaja MASh ka përcaktuar se ku duhet të përqendrohen maturantët për provimet që ata do vendosin të japin. Ndryshe nga vjet, këtë vit MASh ka vendosur që lëndët Sociologji dhe Psikologji të bëjnë pjesë në kurrikulën bërthamë. Gjuha e huaj e parë do të jetë e përfshirë në kurrikulën bërthamë, ndërsa e dytë në kurrikulën me zgjedhje.

Testi i Gjuhë-Letërsisë

Do të ketë në përbërje fragmente nga tekste të ndryshme (tekst tregimtar, tekst poetik, tekst dramatik, tekst bindës/argumentues, tekst përshkrues, tekst shpjegues, tekst informativ, tekst eseistik, tekst kulturologjik), jo domosdoshmërish të punuara në klasë;

Do të ndërtohet në mënyrë të tillë ku të jenë të përfshira të tre nivelet e vështirësisë. Peshat specifike për çdo nivel do të jenë:

Niveli bazë: 40%

Niveli mesatar: 40%

Niveli i lartë: 20%

Struktura e testit do të jetë:

Pjesa e parë: tekst letrar (45%)

Pjesa e dytë: tekst joletrar (55%)

Testi i Matematikës

Tabela e peshave sipas linjave në përqindje


Linjat  Përqindja

Numri dhe veprimet me numra           7%

Matja   10%

Algjebra          10%

Funksioni        15%

Gjeometria      25%

Njehsimi diferencial e integral            20%

Statistikë, probabilitet dhe kombinatorikë      13%

Totali   100%

Lista e veprave nga do të përzgjidhet fragmenti i tekstit letrar në testimin kombëtar:

Poezi

Homeri “Iliada”, Populli “Këngë të epikës legjendare shqiptare”, N. Frashëri “Lulet e verës”, De Rada “Këngët e Milosaos”, Bajron “Çajld Harold”, Fishta “Mrizi i zanave”, Poradeci “Lirika”, Migjeni “Vargjet e lira”, I. Kadare “Ca pika shiu ranë mbi qelq”.

Prozë

Servantes “Don Kishoti”, Barleti “Historia e Skënderbeut”, Hygo “Katedralja e Parisit”, Pashko Vasa “Bardha e Temalit”, Balzak “Evgjeni Grande”, “Xha Gorio”, P. Marko “Qyteti i fundit”, Kadare “Kështjella”, Kamy “I huaji”, Markes “100 vjet vetmi”, E. Koliqi “Vepra”, Kasem Trebeshina “Odin Mondvalsen”.

Dramë

Eskili “Prometeu”, Shekspir “Romeo dhe Zhuljeta”, “Mbreti Lir”, “Makbeth”,“Hamleti”; Molier “Mizantropi”, Ibsen “Shtëpi kukulle”, ”Armiku i popullit”; Çajupi “14 vjeç dhëndër”, Miler “Pamje nga ura”, Noli “Izraelitë dhe filistinë ”, A. Pashku “Drama”.

Dy provime me zgjedhje, lëndët sipas krediteve

Edhe këtë vit lëndët për provimet me zgjedhje të Maturës do të zgjidhen sipas krediteve. Sipas udhëzimit të MASh, zgjedhja e lëndëve për provimet me zgjedhje nga maturantët e Maturës 2013, duhet të bëhet sipas këtyre kritereve: shuma e krediteve të këtyre lëndëve të jetë jo më e vogël se 8; numri i lëndëve me zgjedhje të jetë 2. Në udhëzim sqarohet se kur maturanti zgjedh një lëndë të thelluar nuk mund të zgjedhë njëkohësisht të njëjtën lëndë bërthamë (përjashtuar lëndët e provimeve të detyruara). Po kështu, çdo maturant mund të zgjedhë një ose dy gjuhë të huaja të ndryshme, me kusht që njëra do të trajtohet si gjuhë e huaj e parë me 10 kredite, ndërsa tjetra si gjuhë e huaj e dytë me 6 kredite.

Lista e lëndëve të provimeve me zgjedhje të Maturës 2013

Lëndët dhe kreditet

Për të gjitha shkollat e mesme

1.         Gjuhë e huaj e parë 10

2.         Gjuhë e huaj e dytë 6

3.         Letërsi e thelluar 5

4.         Matematikë e thelluar 5

5.         Kimi bërthamë 4

6.         Kimi e thelluar 6

7.         Fizikë bërthamë 4

8.         Fizikë e thelluar 6

9.         Biologji bërthamë 4

10.       Biologji e thelluar  6

11.       Histori bërthamë 5

12.       Histori e thelluar 9

13.       Gjeografi bërthamë 5

14.       Gjeografi e thelluar 7

15.       Ekonomi bërthamë 2

16.       Ekonomi e thelluar 4

17.       Teknologji bërthamë 2

18.       Teknologji e thelluar 4

19.       Qytetari 3

20.       Psikologji 2

21.       Filozofi 2

22.       Sociologji 2

Vetëm për shkollat artistike

23.       Histori muzike 6

24.       Histori arti 6

25.       Histori baleti 3

Vetëm për shkollat profesionale

26.       Teori profesionale

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama