Masakra e Manastirit (9 gusht 1830)

Me pretekstin se nuk u ishin paguar rrogat ushtarëve, një varg komandantësh të tjerë shqiptarë u larguan nga shërbimi zyrtar. Ndërkohë, Besëlidhja e Beratit kishte mundur të tërhiqte në anën e vet edhe disa kapedanë grekë që qëndronin në krahinat e tyre për t’i mbrojtur nga dhuna osmane. Por radhët e saj u shtuan edhe me krerë të tjerë shqiptarë të pakënaqur nga Porta e Lartë. Në këto rrethana u krijua në sanxhakun e Janinës një gjendje e turbullt.
Megjithëse sulltani nuk ia hoqi menjëherë Mehmet Reshid pashës detyrat e valiut të Rumelisë dhe të vezirit të tre sanxhakëve të Shqipërisë Jugore, për të mos ia ulur autoritetin në sytë e shqiptarëve, pas largimit të tij për në front, e ngarkoi me detyrën e valiut të Rumelisë dhe të qeveritarit të sanxhakut të Tërhallës e të nazërit (mbikëqyrës, ministër - shën. i aut.), të derbendëve ish-Vezirin e Madh, Mehmet Selim pashën. Ndërsa në postin e qeveritarit të të tre sanxhakëve shqiptarë u emërua, me gradën e vezirit Mahmud Hamdi pasha, një nga vartësit e Mehmet Reshid pashës. Edhe pas dërgimit të tij në front, Mahmudi II ia besoi pushtetin në Shqipëri një funksionari osman. Kjo tregonte edhe një herë se ai nuk donte të kënaqte kërkesën e krerëve feudalë shqiptarë për vetëqeverisje, sepse, siç shprehej ai, “shqiptarët do të vazhdonin turbullirat e nuk do të shërbenin si duhej, dhe se këtë do ta bënin kur mbi ta të ushtrohej një dhunë e fortë nga ana e shtetit”. Megjithatë, për të ulur hovin e lëvizjes në Shqipërinë Jugore dhe sidomos, për të nxitur më tej rivalitetin dhe armiqësitë midis krerëve kryesorë të kësaj lëvizjeje, sulltani kërkoi nga Mehmet Selim pasha që të thërriste Iljaz Podën në detyrën e myteselimit të sanxhakut të Tërhallës dhe të agait të derbendëve.
Pas këtyre emërimeve, në vargun e feudalëve të rebeluar u përfshi edhe Asllan bej Puçeja, ish-myteselim i sanxhakut të Tërhallës, një nga krerët më në zë të Shqipërisë Jugore, që mbeti pa ndonjë post zyrtar. I pakënaqur ishte edhe Ismail bej Qafëzezi i Kolonjës, të cilit Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar myteselimllëkun e Tërhallës. Po ashtu, në këtë grup u radhit edhe Myslim Beu, vëllai i Veli bej Jaçes, komandant i Prevezës e i Artës, i cili ishte një tjetër feudal shqiptar po aq i fuqishëm sa Iljaz Poda ose Asllan Beu. Mehmet Reshid pasha i kishte premtuar Myslim Beut agallëkun e derbendëve, që nuk iu dha. Në këto kushte gjendja e turbullt u thellua në Shqipërinë Jugore dhe në të njëjtën kohë u shtuan armiqësitë dhe rivaliteti midis krerëve kryesorë.
I braktisur nga një pjesë e mirë e komandantëve shqiptarë, veziri Mahmud Hamdi pasha u detyrua të thërriste në Janinë Veli bej Jaçen. Me këtë veprim Veli bej Jaçja, që konsiderohej ndër feudalët e fuqishëm shqiptarë, përveç Prevezës dhe Artës, vuri nën komandën e vet edhe kështjellën e Janinës, ndërsa veziri osmanlli u gjend në mëshirën e tij. Në këtë kohë edhe Vlora e rrethi i saj kishin rënë në duart e Beqir bej Vlorës, vëllait të Ismail Beut, ish-kryetarit të Besëlidhjes së Beratit, ndërsa qyteti i Beratit kishte rënë në duart e Tafil Buzit. E njëjta gjendje ishte krijuar edhe në sanxhakun e Delvinës, ku Shahin bej Delvina, bejlerët e Gjirokastrës dhe ata të Çamërisë, vepronin me kokë të vet, pa pyetur për autoritetin e Mahmut Hamdi pashës.
Meqenëse ky vezir nuk solli ndonjë shërbim, Porta e Lartë e hoqi dhe e dërgoi në frontin rus, ku Mehmet Reshid pasha po pësonte disfata mbas disfatash. Detyrën e qeverisjes së Shqipërisë Jugore Porta ia ngarkoi valiut të Rumelisë. Ky, me qëllim që të shtinte në dorë komandën e kështjellës së Janinës, kërkoi ndihmën e njërit prej feudalëve shqiptarë, Latif Efendiut. Ndërkaq, i premtoi komandantit të saj, Veli bej Jaçes, se do t’i paguante rrogat e ushtarëve nëse ky i largonte trupat e tij nga Janina. Por këto orvatje nuk patën sukses. E gjithë Shqipëria Jugore si dhe Tërhalla e derbendët, ranë në fakt në duart e feudalëve shqiptarë.
Pasi njohu pavarësinë e Greqisë (1830), Porta e Lartë u mor tërësisht me nënshtrimin e Shqipërisë, e cila për shkak të popullsisë së saj, që në shumicë ishte myslimane, bashkë me Bosnjën, konsideroheshin si dy mbështetjet e pushtetit osman në Rumeli. Detyrën e nënshtrimit të Shqipërisë së Jugut sulltani ia ngarkoi Vezirit të Madh, Mehmet Reshid pashës. Pas kësaj do të fillonte nënshtrimi i Shqipërisë Veriore dhe do të zbatoheshin në vend reformat centralizuese, sidomos ajo ushtarake.
Pa u larguar akoma nga Edreneja, Veziri i Madh emëroi të birin, Emin Pashën, si qeveritar të Janinës, Mahmud Hamdi pashën si qeveritar të Tërhallës dhe si komandant të derbendëve, Iljaz Podën. Sipas mendimit të sulltanit, ai duhet ta emëronte këtë të fundit myteselim të sanxhakut të Vlorës me titullin “Kapëxhëbash (kryeportier - shën. i aut.) i Oborrit”, por kjo nuk pati efekt, sepse Iljaz Poda ishte kundërshtari kryesor i qeverisjes së Shqipërisë Jugore nga osmanët.
Nga Edreneja Mehmed Reshid pasha mbërriti në Manastir, ku ftoi krerët shqiptarë e sidomos Iljaz Podën, Asllan bej Puçen dhe Veli bej Jaçen etj., të paraqiteshin në selinë e tij për të biseduar për çështje të organizimit të ushtrisë dhe të pagesave të prapambetura.
Asllan bej Puçja, që kishte qenë në luftë me forcat e Vezirit të Madh në Alasonjë, i ndërpreu luftimet dhe, pasi u takua me Veli bej Jaçen në Mecovë, vendosën të shkonin bashkërisht në Manastir të shoqëruar me kontingjente të forta ushtarësh, për të parandaluar ndonjë pabesi dhe për t’i shkëputur vezirit të drejtat që pretendonin.
Ndërsa Asllan Beu e Veli Beu shkuan në Manastir, Iljaz Poda, që nuk i zuri besë Vezirit të Madh, u tërhoq në zonën e Dangëllisë dhe filloi përgatitjet për t’u mbrojtur në malin e Melesinit në rast se sulmohej nga forcat qeveritare, që mund të vinin kundër tij nga Korça ose Janina.
Mehmed Reshid pasha nuk kishte aspak ndërmend të bisedonte me krerët shqiptarë që erdhën në Manastir, përkundrazi, ai kishte marrë masat për t’i likuiduar ata me pabesi. Pikërisht në këtë kohë ai i preu kokën në Berat Hasan bej Vrionit dhe vari në Manastir Shaban Gegën, që kishte zënë rob në Janinë. Ndërsa ndaj bejlerëve që mbërritën në Manastir, Mehmet Reshit pasha, pasi u bëri një pritje madhështore, organizoi më 9 gusht një masakër të paparë. Në këtë ditë ai i ftoi ata të merrnin pjesë në një stërvitje të reparteve të rregullta ushtarake që u bë jashtë qytetit. Këtu ata do të hanin edhe drekën në një kopsht të hapur. Mirëpo sapo mbërritën në vendin e ceremonisë, dy të ftuarit e parë, Veli Jaçe beu dhe Asllan Puçe beu, ushtarët që stërviteshin i kthyen pushkët kundër tyre dhe hapën zjarr mbi ta. Kështu të qëlluar në befasi, dy bejlerët shqiptarë dhe shoqëruesit e tyre nuk mundën të bënin veçse një qëndresë të vogël. Veli Beu u vra në vend, kurse Asllan Beu, të cilit iu plagos kali, u godit dhe iu pre koka. Pas tyre, po atë ditë të 9 gushtit u vranë të masakruar po në vendin e ceremonisë edhe 800-1 000 shqiptarë kurse 400-500 të tjerë u zunë robër.
Një veprim i ngjashëm dhe i pabesë u krye edhe nga i biri i Vezirit të Madh, Emin Pasha, ndaj Myslim Beut e Kapllan Beut, i pari vëlla i Veli Beut, ndërsa i dyti i Asllan Beut. Kapllan Beu mundi të shpëtonte por, para se të largohej nga Janina, bëri një akt të pakuptimtë e barbar, dogji thuajse gjysmën e qytetit.
Me masakrën e Manastirit dhe të Janinës Mehmet Reshid pasha synonte t’u jepte një mësim krerëve të tjerë shqiptarë dhe t’i bënte që të nënshtroheshin.
Kjo masakër, që zhduku krerët më të rëndësishëm të lëvizjes shqiptare të Jugut, arrestimi i familjeve të luftëtarëve të garnizoneve të qyteteve të Shqipërisë Jugore, konfiskimi i pasurive të tyre si dhe presioni i vazhdueshëm i forcave qeveritare mbi popullsinë, bënë që feudalët shqiptarë të hiqnin dorë nga lëvizja. Megjithëse një pjesë e tyre u hodh në male për një farë kohe, lëvizja u topit, për t’u gjallëruar më pas, në mesin e muajit prill 1831, kur feudalët e jugut mbështetën luftën e Mustafa pashë Bushatlliut kundër reformave centraliste në Shqipërinë Veriore.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama