Marubi Gjysme milion lastra e negative ne Muzeun e ri

Marubi: Gjysme milion lastra e negative ne Muzeun e ri

Një shëtitje virtuale e paprecedentë ka ndodhur përgjatë 2015-ës nëpër fotot e Marubit, duke shënuar një rekord në 40 mijë imazhe të vizituara online, nga 100 mijë që parashikon projekti i dixhitalizimit. Kryesisht shkodranëve u ka ardhur në derë historia e të parëve, të cilët kanë njohur paraardhësit e tyre duke shkarkuar fotot e dokumentuara në mënyrë po aq të rrufeshme nëpër rrjetet sociale. Kësaj befasie për drejtuesit e Fototekës Marubi katalogimi është pjesa më titanike e punës së tyre, pasi do të pajisen me informacion dhe të dhëna të detajuara çdo fotografi. Ndërsa dje, drejtori i “Marubit”, Luçian Bedeni ka thënë se në shkurt ose mars të 2016 do të jetë faza e dytë e hedhjes online, arkivimi dhe dixhitalizimi i dinastisë Marubi.

Arsyeja për ta ngritur në muze këtë dinasti lidhet me pasurinë e madhe ku pritet t’i shtohet edhe një fotograf tjetër i rëndësishëm, që pritet të bëhet publike gjatë 2016, për të cilin flitet se do të jetë ngjarje e vitit. Deri tani, thuhet se janë në fazën e ndërtimit të Muzeut të ri, duke premtuar se do të jenë korrekt me afatet. Në muzeun e ri pritet të prezantohen gjysmë milion lastra dhe negativë, ndërsa dizajni i zgjedhur për Muzeun Marubi ka për qëllim të promovojë një dialog midis tradicionales dhe modernes , mes të kaluarës dhe të tashmes. Trashëgimia e traditës është nënvizuar nga rivendosja e ndërtesës historike e projektuar nga piktori, skulptori , fotografi dhe arkitekti i njohur shqiptar i lindur në Shkodër, Kolë Idromeno, duke ruajtur cilësitë hapësinore dhe strukturore pa transformimin e vëllimit në pjesën ndarëse të hapësirave të brendshme.

“Sot mbetet akoma pak e njohur për Botën kjo pasuri kulturore e Shqipërisë, e cila është patjetër imazhi i jonë më i mirë me të cilin duhet të prezantohemi dhe kështu lehtësisht kjo vlerë e kulturës tonë do mund të kthehet në një reference e të tjerëve ndaj vendit tonë. Për ne, mbetet akoma një sfidë shumë e madhe të ekspozuarit të kësaj pasurie kulturore për muzete dhe galeritë më të njohura të artit në Botë, gjë për të cilën po përpiqemi çdo ditë”, shkruan Bedeni për Marubët e 2016-ës. Ai ka bërë bilancin se si u përcollën Marubët në mediat e huaja më 2015, ku shkruajtën disa gazeta kryesore të Europës e kishin vënë Marubi-n në kryefaqet e tyre “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, “Il sole 24 Ore” e deri tek përzgjedhja e si një prej blogjeve më të lexuara në Europe dhe Azine Qendrore për vitin 2015. “E po kaq e një rëndësie shumë të madhe e të veçantë mbetet pasurimi i arkivit me koleksione të reja me fotografi origjinale të dhuruara nga qytetarët të cilët na iu janë përgjigjur thirrjes tonë për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të arkivit të Fototekës Kombëtare “Marubi””

Nga ky sensibilizim, vetëm në një vit te Marubët shkuan rreth 2200 negativë të dhuruar dhe objekte të fotografisë, e po kështu në fillim të këtij viti, Bedeni thotë se presin një tjetër dhurim i një koleksioni shumë të pasur me fotografi. “Inaugurimi i muzeut të ri të Fototekës Kombëtare “Marubi” që pritet të ndodhë gjatë këtij, mendoj se është urimi më i mire që mund t’i bëhet Shkodrës dhe vendit tone”, thotë Bedeni.

Identiteti i muzeut

Imazhi modern i muzeut është i bazuar në një model abstrakt, e cila është frymëzuar nga gjeometria e aparaturave të kamerës fotografike që hapet dhe mbyllet për të kontrolluar dritën. Ky model abstrakt është përdorur për të hartuar paraqitjen strukturore të pesë kutive ekspozitë të instaluara në ndërtesë, ndërsa në të njëjtën kohë integron një sistem të plotë dhe të gjithanshëm ekspozite që përfshin korniza të cilat shfaqin fotot dhe dokumentet, tregojnë për objekte, si dhe ekspozita në ekranet me filma të shkurtër.

Ironia gjermane, si gjetën me google Marubët!

Gjatë vitit 2015, gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” botoi një artikull mbi fototekën e famshme të Shkodrës, “Marubi”. Artikulli fillon: “Në veriun e Shqipërisë ndodhet një thesar i fshehur: gjysmë milioni fotografi mbi kulturën, modën dhe historinë e vendit…Kush i kërkon, i gjen ato dhe “shpërblehet”. Në këtë ironi gazetarja gjermane përpiqet të tërheqë më shumë vëmendjen shqiptare, nuk ka guidë. “Ne duhet patjetër të udhëtojmë atje, në Shkodër, në veri të Shqipërisë, na thanë artistë nga kryeqyteti, Tirana… Si vendndodhje na orientuan me qendrën e Shkodrës. Kur ne mbërritëm në qytet, ishte mesditë me vapë. Qendra ishte e vogël: një rrethrrotullim, në mesin e tij shpërthente një fontanë betoni nga arti komunist, nga e djathta një kupolë e një xhamie, nga e majta një kishë ortodokse. Pllaka e parë udhëzuese ku shkruan “Marubi”, të çon te shkolla e lartë, e cila mban po atë emër. Në google pastaj e gjejmë një pikë me emrin “muzeu” që ndodhej afër qendrës por ajo në fakt ishte një gërmadhë. Përfundimisht na drejtoi një kamerier i një bari, duke na treguar se vendi qe kërkonim ishte dy rrugë më tutje, pastaj duhej kaluar dy kënde rrugësh, përmes një hyrjeje të prapme dhe ne tashmë ndodheshim para mbishkrimit “Fototeka Kombëtare Marubi”, që e kishte sjellë Ministria Shqiptare e Kulturës. Nga i gjithë ky labirint ku është vendosur, duket sikur të jetë menduar që thesarin ta mbanin për vete”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama