Marredheniet e prones ne fshatin shqiptar ne shek. VIII-X.

Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në Shqipëri e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik në fshat, ku qe përqendruar edhe masa dërrmuese e popullsisë. Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe këto, duke përjashtuar Durrësin edhe ndonjë tjetër, përgjithësisht mbijetuan si qendra administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa syresh, si Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj., pushuan së ekzistuari si qendra të banuara që në të dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë bashkësia fshatare, një grupim njerëzish i organizuar mbi bazën e një territori të përbashkët dhe të interesave të përbashkët. Lidhjet e gjakut te bashkësia fshatare ruajnë deri diku rëndësinë e tyre, por ato nuk janë më kryesore, si dikur në bashkësinë fisnore. Organizimi në bashkësi e kapërcente në ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore, që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të tilla në trevat shqiptare përmënden: Kunavia, Stefaniaka, Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në Perandorinë Bizantine në fazën e hershme (shek. VII-VIII) pasqyrohet në një dokument juridik të kohës, në të ashtuquajturin "Ligji bujqësor" (nomos georgikos). Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine dhe, në këtë kuadër, edhe për trojet shqiptare. Mjaft norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin bujqësor", u futën në të drejtën dokesore dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor" pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte gjithnjë e më shumë marrëdhëniet e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen aty "zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat, kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë, përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes fshatare. Mullinjtë, dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin pronë e individëve të veçantë. Si pronë vetjake, arat, vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të trashëgoheshin, të shkëmbeheshin, të ndaheshin, të jepeshin me qira, të liheshin peng, madje më vonë edhe të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë. Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dënime të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës. S'ka dyshim që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën në territorin bizantin në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në kohën e veprimit të tij, pronësia e përbashkët nuk ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat, tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte një fond tokash të lira e të papunuara, që herë pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve të bashkësisë duke zbatuar sistemin e shortit (kleros). Një mbeturinë e kohëve, kur tokat ishin pasuri e përbashkët, ishte edhe sistemi i "arave të hapura", sipas të cilit, me përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit. Po ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar, i ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund t`i përdorte për të kompensuar anëtarët e bashkësisë që kishin nevojë për ngastra të reja shtesë ose që dëshironin të ndërronin tokën e mëparshme. Bashkësia, gjithashtu, kujdesej për veprimtari me interes të përbashkët, për shfrytëzimin e ujrave, për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e fshatit dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga kullotat verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve zejtarë që kryenin punime për nevoja të bashkësisë dhe të anëtarëve të veçantë të saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë ishte familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa breza dhe që drejtohej nga më plaku. Të parët e familjeve, pjesëtarë të bashkësisë, formonin "këshillin e pleqve", i cili trajtonte dhe zgjidhte në bazë të dokeve, të gjitha problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën e pasigurisë, që karakterizoi kalimin nga koha e vjetër në kohën e mesme, të shoqëruar me përmbysje të mëdha ekonomike, shoqërore, etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje dhe solidaritet antarëve të saj, bashkësia fshatare përfaqësonte një zgjidhje të përshtatshme për përballimin e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një formë organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë feudale. Farët e diferencimit shoqëror janë të dukshme në të. Dokumente të shek. VIII-X provojnë se në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e "të fuqishmëve" (dynatoi) apo e "të mëdhenjve" (megistanes). Inventari arkeologjik i varrezave të ndryshme të gjetura në vendin tonë, dhe që i përkasin kësaj periudhe të vënies në lëvizje të procesit të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të prekshme, materiale, të diferencimit shoqëror që po përvijohej në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza floriri, monedha e pajisje luftarake, gjenden më së shumti edhe varre me inventar të varfër, ku qenë varrosur ata që në "Ligjin bujqësor" quhen "të skamurit" (aporoi). Këta punonin ngastrat e të tjerëve dhe jepnin për këta të dhjetën e prodhimit ose punonin si rrogtarë të thjeshtë (mistotë).
Përveç faktorëve të brendshëm, në diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive ndikoi dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë një njësi fiskale, përveçse njësi administrative, shteti mblidhte prej tyre rregullisht detyrime, të cilat rëndonin jo njëlloj mbi anëtarët e bashkësisë. Për t`u shpëtuar tatimeve, të varfërit e gjenin shpesh herë rrugëzgjidhjen në shitjen apo braktisjen e ngastrave të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte zvogëlimin e sasisë së rentës, që i jepej shtetit nga bashkësia, sepse ky zbatonte sistemin e garancisë kolektive (alelengyon), sipas të cilit bashkësia paguante edhe për ata anëtarë që nuk qenë në gjendje të paguanin ose që kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur të tjerëve. Në këtë rast të fundit, me qëllim që të mos prishej homogjeniteti i bashkësisë, ligji përcaktonte se të drejtën për blerjen e një ngastre të një anëtari të bashkësisë e kishte së pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar çfarëdo i saj. Kjo normë, që synonte të pengonte depërtimin e pronarëve të huaj në bashkësi, quhej e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë maqedone", shek. IX-XI, njohën një përhapje të gjerë të ashtuquajturat "ngastra ushtarake" (stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin ushtarak. Sistemi i "pronave ushtarake" njohu përhapje të gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave, themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël e bujkut-ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit dhe e ushtrisë bizantine. Ndaj perandorët bizantinë bënë të pamundurën për t`i ruajtur të paprekura "ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve të mëdhenj. Por nëse për një farë kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke nxjerrë edhe legjislacion të posaçëm në mbrojtje të pronës së vogël, me kalimin e kohës u pa qartë se procesi i gllabërimit të ngastrave të vogla ishte i pandalshëm. Rrënimi i këtyre të fundit, qofshin ato prona të stratiotëve apo të anëtarëve të bashkësive fshatare, shkaktoi fillimin e një krize të gjatë e të pandalshme ekonomike, financiare e ushtarake që përfundoi në fund të fundit me vetë shembjen e Perandorisë Bizantine


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama