Marredheniet e Skenderbeut me vendet e Evropes Juglindore

Shtetet e Evropës Juglindore, të prekur nga i njëjti agresor, kishin detyrë të përbashkët përballimin e rrezikut osman. Lufta kundër të njëjtit armik i afroi ato dhe i bëri aleatë të natyrshëm. Si rrjedhim, me kohë u vendosën lidhjet ndërmjet shteteve, principatave e zotërimeve të tjera të kësaj pjese të Evropës.
Krijimi nga Skënderbeu i një fronti lufte të organizuar e të fuqishme, e nxori vendin tonë në ballë të forcave antiosmane. Shqipëria gjithnjë e më tepër shikohej nga bashkëkohësit si një fuqi e rëndësishme, e dorës së parë, që ushqente shpresa për dëbimin e osmanëve nga viset e pushtuara të Evropës. Prandaj me kohë u krijuan lidhje ndërmjet vendeve të kërcënuara nga i njëjti rrezik, pushtimi osman.
Në këtë kuadër dallohen marrëdhëniet e shqiptarëve me Hungarinë. Deri më 1456, kur vdiq Janosh Huniadi, Hungaria luftoi me vendosmëri kundër pushtuesve osmanë dhe ishte kështu aleati më i rëndësishëm i shqiptarëve. Të dyja palët, duke goditur të njëjtin armik, secila në sektorin e vet, lehtësonin barrën e njëra-tjetrës. Bashkëpunimin ndërmjet tyre Skënderbeu dhe Huniadi u përpoqën ta shtrinin deri në organizimin e fushatave ushtarake të përbashkëta, me gjithë vështirësitë që rridhnin nga largësia e madhe që ishte midis vendeve të tyre. Kështu ndodhi më 1448, me ekspeditën ushtarake të Huniadit në Fushë-Dardani dhe më 1456 me atë të Beogradit. Burimet historike të kohës tregojnë se Skënderbeu ndërmori masa energjike për të marrë pjesë në ato dy beteja përkrah Huniadit, respektivisht me 20 mijë dhe 30 mijë luftëtarë. Por vështirësitë që vinin nga largësia e madhe ndërmjet vendeve të tyre dhe nga qëndrimi i sundimtarëve fqinjë, vasalë të sulltanit, që nuk e lejuan ushtrinë e Skënderbeut të kalonte nëpër rrugët e zotërimeve të tyre, penguan realizimin e këtyre projekteve. Pas vdekjes së Huniadit, Hungaria përkohësisht u tërhoq nga veprimtaria aktive ushtarake dhe rrjedhimisht u dobësuan lidhjet e saj me Shqipërinë. Ato u rigjallëruan në mesin e viteve 60, kur trupat hungareze arritën të çlironin Bosnjën Veriore.
Marrëdhëniet e Skënderbeut me sundimtarët sllavë të shteteve fqinjë qenë më të kufizuara se me Hungarinë. Një bashkëpunim pati me ta kryesisht gjatë luftës kundër Venedikut në vitin 1448, kur krahas shqiptarëve vepruan edhe reparte ushtarake të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit. Kundër rrezikut kryesor, pushtuesve osmanë, nuk u arrit ndonjë bashkëpunim i shqiptarëve me ta, sepse synonin të ruanin vasalitetin e tyre me sulltanët osmanë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, pengoi kalimin nëpër zotërimet e tij të luftëtarëve të Skënderbeut që të bashkoheshin me forcat hungareze. Pas betejës që trupat hungareze zhvilluan më 18 tetor 1448 në Fushë-Dardani, despoti serb përndoqi ushtrinë e shpartalluar hungareze dhe arrestoi Huniadin. Kurse mbreti i Bosnjës, Stefan Tomasheviqi, bashkoi trupat e veta me ushtrinë osmane, që në prill të vitit 1456 u dërgua kundër Skënderbeut. Nuk do të vononte që vetë ata, më parë se të tjerët, t'i ndienin pasojat negative të vasalitetit nënshtrues të tyre. Megjithëkëtë duke vlerësuar rrjedhimet negative që sillte zgjerimi i pushtimit osman, Skënderbeu i ndihmoi ata në çastet më të vështira. Me rënien e plotë të Despotatit të Rashës në duart e osmanëve, despoti i saj, Stefani, djalë i Gjergj Brankoviçit, erdhi në vitin 1459 në Shqipëri dhe u strehua disa vjet pranë Skënderbeut, me të cilin u bë edhe baxhanak, duke u martuar me vajzën e Gjergj Arianitit, Angjelinën. Vendosja e tij në Krujë dhe lidhjet martesore që krijoi me drejtuesin kryesor të qëndresës shqiptare dëshmojnë më së miri se lufta e shqiptarëve i mbante të gjalla shpresat e ballkanasve për dëbimin e osmanëve nga viset e tyre. Në pranverë të vitit 1463, kur ushtritë osmane filluan pushtimin e Bosnjës, Skënderbeu u tregua i gatshëm ta ndihmonte atë. Por ndërsa pritej miratimi i Republikës së Venedikut për të lejuar kalimin e luftëtarëve shqiptarë nëpër rrugët e zotërimet e saj, ushtritë osmane e pushtuan Bosnjën.
Me qytetin e Raguzës, që kishte lidhje të ngushta me Hungarinë dhe, për të ruajtur paprekshmërinë e qytetit prej osmanëve, e cila u paguante një tribut të madh vjetor sulltanëve, shqiptarët kishin lidhje tradicionale e të vazhdueshme. Si qytet-shtet tregtar kryesor i brigjeve lindore të detit Adriatik, Raguza kishte një veprimtari të gjallë tregtare në viset e Ballkanit Perëndimor, në Kosovë etj. Tregtarët raguzanë vinin në bregdetin shqiptar për të shitur mallrat e tyre dhe për të marrë prodhime të ndryshme bujqësore e blegtorale, metale, lëndë ndërtimi, kripë etj. Shqiptarët blinin në Raguzë kryesisht armë dhe mjete të tjera luftarake. Me pozitën gjeografike dhe qëndrimin politik të saj, Raguza ishte një pikë shumë e rëndësishme ndërlidhjeje ndërmjet shqiptarëve dhe vendeve të tjera të Evropës. Prandaj ajo mbante një qëndrim të pavendosur ndaj pushtuesve osmanë dhe në ndonjë rast, të pafavorshëm për forcat antiosmane. Skënderbeu gjeti në Raguzë një mbështetje të gjerë morale për luftën e popullit të vet, si dhe një përkrahje të vogël ekonomiko-financiare. Dhe, për më tej, për të mos zemëruar osmanët, në çastet më të vështira për shqiptarët, Senati i Raguzës nuk pranoi kërkesën e Skënderbeut për të zbritur në këtë qytet, në nëntor të vitit 1466 dhe në prill të vitit pasues, gjatë nisjes e kthimit të tij nga Italia.
Pa dyshim edhe me shtete e zotërime të tjera të Gadishullit Ballkanik, Skënderbeu ka patur marrëdhënie, por për shkak të mungesës së dokumenteve ato kanë mbetur të panjohura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama