Maratona e Jetes ne krah te gruas shqiptare kunder kancerit te gjirit

'Maratona e Jetes' ne krah te gruas shqiptare kunder kancerit te gjirit

“Maratona e Jetës” në krah të gruas shqiptare kundër kancerit të gjirit Fushatë sensibilizuese për të parandaluar kancerin e gjirit. Eksperienca italiane vjen edhe në Tiranë. Organizatori Francesco Milella tregon aktivitetet që do të mbahen më datat “Maratona e Jetës” është një aktivitet sensibilizues kundër kancerit të gjirit. Organizatori i kësaj maratone Francesco Milella tregon detaje mbi “Maratonën e Jetës” dhe aktiviteteve që do të zhvillohen te Liqeni Artificial më datat 18- 19 tetor.

Kryefjala e gjithë aktiviteteve do të jetë lufta kundër kancerit të gjirit. Për këtë aktivitet, ideja për ta sjellë edhe në tokën shqiptare, si një eksperiencë shumëvjeçare në sektorin e komunikimit falë profesionistëve të kësaj agjencie, ka lindur së fundmi. Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bashkia e Tiranës, por edhe mjaft biznese të mëdha shqiptare e kanë mbështetur këtë nismë sensibilizuese. Në fushën e shëndetit organizatorët do të ndalen duke sensibilizuar dhe bashkuar shumë faktorë të shoqërisë, për të arritur sensibilizimin e një mase të madhe njerëzish ndaj problemeve të ndryshme.

Projektet e hartuara nga kjo agjenci prezantojnë më së miri realitetin shqiptar të komunikimit, gjithnjë në ndryshim dhe në përmirësim. Aktiviteti do të organizohet nga një agjenci aktivitetesh që operon në Itali, për më tepër se 20 vjet me shumë bashkëpunëtorë në sektorin publik dhe privat. Kjo agjenci dallohet për krijimtarinë dhe origjinalitetin “Made in Italy” me rezultate shumë efikase, sidomos në fushatat e rëndësishme të sensibilizimit.

Zoti Milella, përse keni zgjedhur ta quani këtë nismë sensibilizuese “Maratona e Jetës”?

E kemi quajtur maratona sepse zhvillohet mbi një itinerar, i cili i nevojitet popullsisë shqiptare. Ashtu sikurse ka ndodhur edhe në Itali për shumë vite dhe vazhdon të ndodhë me fushata të forta sensibilizimi. Shoqëria duhet të kuptojë sa i rëndësishëm është parandalimi i sëmundjeve dhe kujdesi ndaj jetës. Ky do të jetë një itinerar i gjatë, i cili nëpërmjet një sërë aktivitetesh që kemi si qëllim të zhvillojmë edhe më tej në Shqipëri, do të na çojë në arritjen e objektivit tonë parësor: identifikimin e kancerit të gjirit në fazë kur mund të jetë akoma i shërueshëm. Në Itali këto aktivitete kanë pasur një efekt të jashtëzakonshëm në ndërgjegjësimin e gruas dhe të familjes italiane për kontrollet dhe parandalimin e kancerit të gjirit.

Çfarë aktivitetesh keni menduar të organizoni?

“Maratona e Jetës” do të zhvillohet në dy ditë, pikërisht në datat 18-19 tetor. Pjesë përbërëse e këtij aktiviteti është edhe “Qyteza e Jetës”, e cila do të vendoset në hyrje të Parkut të Liqenit Artificial, pranë digës dhe ku do të jenë të pranishëm mjekë specialistë në fushën e onkologjisë të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët do të japin konsulta për të gjithë të interesuarit. Në këtë “qytezë” do të jenë të pranishme stenda të ndryshme, ku do të shpërndahen broshura informative mbi patologjinë e kancerit të gjirit, që do të vihen në dispozicion falas nga Ministria e Shëndetësisë. Familjet që do të vijnë dhe me fëmijët, apo do të jenë duke kaluar të dielën në Parkun e Liqenit do të kenë mundësinë të argëtohen falë prezencës së klounëve dhe lojërave të menduara posaçërisht për ta, ndërkohë që familjarët e rritur do të informohen nga specialistët më të mirë. Të dielën më datë 19 tetor, në orën 10.00, do të shënohet nisja e “Maratonës së Jetës” nga sheshi “Nënë Tereza”. Personalitete të ndryshme do të marrin pjesë në këtë maratonë dhe do të flasin mbi rëndësinë e kësaj nisme për ndërgjegjësimin që ajo sjell për shoqërinë shqiptare.

Sa është përqafuar kjo si nismë nga qytetarët e Tiranës?

Kush do të marrë pjesë në maratonë? Impakti që kjo iniciativë ka nëpërmjet medieve sociale është shumë pozitiv dhe pikërisht për këtë arsye shpresojmë në një pjesëmarrje sa më të gjerë. Klube të ndryshme sportive si dhe shoqata rinore kanë përqafuar këtë nismë dhe kanë konfirmuar se, do të marrin pjesë me një numër të shumtë anëtarësh. Në aftësinë tonë për të mbledhur sa më shumë rreth nesh, na është bashkuar edhe një tjetër OJF shumë e rëndësishme që, operon në një tjetër sektor humanitar prej vitesh në Shqipëri. Është Organizata Shqiptare e Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut, të cilët më 18-19 tetor do të jenë bashkë me ne në këto dy ditë të rëndësishme. “Maratona e Jetës” do të jetë një maratonëshëtitje simbolike në përkrahje dhe në edukimin për parandalimin e kancerit të gjirit si elemente kryesorë për asgjësimin e tij.

Si mund të bëhesh pjesë e kësaj maratone?

Të gjithë mund të bëhen pjesë e kësaj maratone duke u regjistruar falas në pikat e posaçme, pikërisht më datë 18 tetor, pranë kodrave të Liqenit Artificial të Tiranës nga ora 09:00, deri në 21:00; Datë 19 tetor pranë sheshit “Nënë Tereza”, nga ora 08:30 deri në 09:30. Të gjithë personat që do të kenë dëshirë të marrin pjesë në këtë maratonë do të pajisen me bluza sportive ngjyrë rozë, të cilat do t’u jepen falas pjesëmarrësve.

Cilat janë mënyrat e duhura për të parandaluar kancerin e gjirit?

Falë eksperiencës së mrekullueshme të fushatave të sensibilizimit në Itali shumë gra janë në jetë sot, sepse ato kanë bërë kontrolle të rregullta. Disa nga mënyrat e thjeshta për të zbuluar herët kancerin e gjirit dhe që do të theksohen e shpjegohen nga mjekët e specialistët në “Qytezën e Jetës” janë vetëkontrolli i gjirit, kontrolli i gjirit te mjeku, mamografia dhe Eko-ja e gjirit.

A do të vijojnë këto aktivitete edhe pas përfundimit të muajit tetor?

Sigurisht do të ketë dhe aktivitete të tjera, për të cilat jemi duke punuar dhe do të ketë një vazhdimësi sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi. Por, synimi ynë parësor është të bëjmë “Maratonën e Jetës”, një takim të përvitshëm, një ritual me një pjesëmarrje gjithmonë dhe më të gjerë. Këtë dëshirë e optimizëm na e japin rezultatet që vijnë nga këto aktivitete me maratonat e organizuara nga ne në Itali.

Çfarë është konkretisht “Qyteza e Jetës”?

Shëndet, sport dhe mirëqenie, këto janë elementet kryesorë të këtij eventi, që do të organizohet në tetor dhe “Qyteza e Jetës” është qendra e kësaj iniciative, ku do të bashkohen të gjithë këto elemente. Në tenda të ngritura për këtë event, mjekët dhe personeli i specializuar do të japin gjatë gjithë ditës së shtunë, më 18 tetor dhe gjatë ditës së diel, deri në orën 18.00, informacione të vlefshme për gratë.

Ky aktivitet do të jetë vetëm në Tiranë?

Këtë vit ky aktivitet do të jetë vetëm në Tiranë. Urojmë që nëpërmjet këtij artikulli të bëjmë një apel dhe të arrijmë një numër pjesëmarrësish gjithmonë në rritje. Kështu ka nisur edhe në Itali, fillimisht në qytete të veçanta, por tani nuk ka qytet që të mos të ketë “Maratonën e Jetës”, apo nismën e përvitshme të sensibilizimit. Shoqëria italiane tashmë e ka më shumë në vëmendje jetën dhe shëndetin e gruas, do të dëshiroja me gjithë zemër që kjo të arrihet në një kohë të shpejtë edhe në Shqipëri, sepse këtu jeton një popull i ri, vital dhe i mrekullueshëm.

Kush është më e rrezikuar nga kanceri i gjirit

Nga kanceri i gjirit mund të preket çdo femër. Por, një femër duhet të jetë edhe më e kujdesshme në kontrollin e gjirit nëse:

• Nëna, motra apo gjyshja e saj kanë pasur kancer të gjirit
• Janë mbi 40 vjeç, sepse rreziku rritet bashkë me moshën
• Periodat i kanë filluar para moshës 12 vjeç, apo i kanë ndaluar pas moshës 50 vjeç
• Nuk kanë lindur kurrë fëmijë
• Kanë lindur fëmijën e parë mbi 30 vjeç
• Nuk kanë ushqyer fëmijën me gji
• Janë mbipeshë
• Pinë tepër duhan dhe alkool
• Hanë ushqime të pasura me yndyra shtazore
• Nuk kryejnë aktivitet fizik

Por në ditët tona, kanceri i gjirit mund të trajtohet me sukses nëse zbulohet shpejt. Një këshillë mjaft e mirë për të kapur kancerin në fazën e hershme është, kontrolli te mjeku dhe vetëkontrolli. Kontrolli i gjirit rekomandohet të bëhet çdo muaj, mbas kalimit të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kanceri i gjirit është një nga llojet më të shpeshta të kancereve te gratë, sidomos tek ato mbi 35 – 40 vjeç. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në çdo 9 gra, njera do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Në Shqipëri haset me rreth 450-500 raste të reja çdo vit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama