Manuel Nojer ndez duelin Do ti tregoj Mesit kush e ben ligjin

Manuel Nojer ndez duelin: Do t'i tregoj Mesit kush e ben ligjin

Manuel Nojer nxeh sfidën gjysmëfinale kundër Barcelonës. Portieri gjerman sfidon Lionel Mesin, duke deklaruar se do t’i tregojë argjentinasit se kush është bosi në fushën e lojës. Raundin e parë në përballjen mes tyre e fitoi gardiani, i cili nuk lejoi që porta e Gjermanisë të prekej në finalen e Botërorit kundër Argjentinës.

Por, tashmë është një tjetër histori dhe Bajerni i Mynihut kërkon të vendosë me shpatulla pas murit Barcelonën në UEFA Champions League, ashtu si dy vjet më parë:

“Kam shumë respekt për Mesin dhe gjithçka që ka arritur në karrierë. Ai është një njeri i përulur, por është shumë e rëndësishme që unë t’i tregoj autoritetin tim kur të përballemi në fushën e lojës.

Një gjë të tillë e bëra në finalen e Kupës së Botës. Marrëdhënia jonë bazohet në pozicionin dominues ndaj njëri- tjetrit dhe respektin reciprok”, tha Nojer. Për Nojer, është shumë e rëndësishme që edhe Bajerni të mos dominohet psikologjikisht nga Barcelona, e cila po zhvillon një sezon fantastik:

“Duhet të tregohemi në nivelin e duhur fizik, të tregojmë karakter dhe të jemi cinikë. Një ndeshje ndaj Barcelonës është si finale, edhe pse luajmë në gjysmëfinale. Objektivi jonë është që të shkojmë në Berlin. Përpara dy vjetësh e dominuam këtë skuadër në të dyja ndeshjet, por situata ka ndryshuar shumë.

Këtë herë ata nuk kanë lojtarë të dëmtuar dhe Mesi është rikthyer në formën më të mirë. Nga ana tjetër, skuadrës tonë i mungojnë disa lojtarë kyç. E dimë shumë mirë që është një ndeshje e vështirë por unë kam besim te shanset tona”. Manuel Nojer lëshon dorashkën e sfidës. A do të arrijë Messi ta evitojë prekjen e tij? Këtë do ta mësojmë pas 90 minutëshit të së mërkurës kur mes dy prej finalistëve të garës për Topin e Artë do të luhet një tjetër sfidë luksi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama