Maks Velo me veprat e mbijeteses ne Galerine e Arteve

Maks Velo, me veprat e mbijeteses ne Galerine e Arteve

Vetëm pak ditë më parë ai mbushi 80 vjeç. Njeriu nuk ngopet kurrë me jetë, por kaq vite Maks Velos i kanë mjaftuar për t’i parë të gjitha, edhe dritën e gëzimit dhe errësirën e ferrit.

Ka parë rrëzimin dhe ka gjetur forcën të ngrihet sërish. Dhe këtë të fundit e gjeti jo thjesht te dashuria për jetën, por edhe për artin, që i ka shkaktuar gëzim e dhimbje. Për të celebruar këto 80 vite jetë dhe një krijimtari të gjatë artistike në pikturë, arkitekturë, letërsi...

Maks Velo ka vendosur të hapë një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Më datën 10 shtator, në sallën e ekspozitave të përkohshme prezantohet “Maks Velo – Retrospektivë”. Janë veprat e jetës së autorit, që rrëfejnë për rrugëtimin e tij, se si gjithçka që ka kaluar kanë lënë shenjë jo vetëm në shpirtin e tij, por edhe në krijimtari.

Ekspozita e kuruar nga studiuesja Suzana Varvarica Kuka, është një prezantim i retrospektivës së krijimtarisë së piktorit dhe arkitektit Maks Velo dhe premton të shpalosë për publikun përgjatë një muaji panoramën më dinjitoze të ekspozimeve të artistit.

“Ekspozita merr përsipër të bëjë publike jo vetëm punimet e artit të Maks Velos, të cilat janë në teknikat e pikturës – në vaj e akrilik; në teknikat e grafikës – në lavi dhe bojë kine; në vizatim – laps e pastel; në skulpturë – bronz e allçi, por përmes tyre i propozohet publikut të zbulojë ritmin e krijimit, ndikimet mbi krijimin, transformimet dhe provat e artistit nga një gjini në tjetrën, si dhe nga një teknikë në tjetrën”, thotë kuratorja Kuka.

Sipas saj, veprat e ekspozuara demonstrojnë në mënyrë të qartë trysnitë e kohëve mbi artistin. “Galeria Kombëtare e Arteve, duke njohur personalitetin e Maks Velos, ka zbuluar jetën artistike dhe mbijetesën e tij njerëzore që nga vitet ‘60 e deri në ditët tona. Procesi i njohjes e veçon artistin Maks Velo për vlerat e veçanta që mban krijimtaria e tij, për rrugën “rebele”, sesi ajo u zhvillua në kohët komuniste, për mbijetesën e artistit në mungesë të lirisë, për këmbënguljen e tij në debatin social, politik dhe ekonomik mbi cilësinë e jetës së individit dhe të shoqërisë shqiptare. Në këtë atmosferë zhvillimesh të artit shqiptar, ekspozita retrospektivë e Maks Velos dhe albumi që shoqëron ekspozitën janë shenja vetjake e artistit në hapësirën e madhe të saj”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datën 4 tetor.

AUTORI


Maks Velo është pa dyshim një nga emrat më mbresëlënës në artin shqiptar. Ka lindur në Paris, më 31 gusht të vitit 1935, për t’u vendosur në Korçë së bashku me familjen, ku kaloi vitet e fëmijërisë. Kjo është arsyeja pse Parisi e Korça vazhdojnë të jenë subjekte të veprave të tij. Pasi mbaron gjimnazin, ai vazhdon studimet pranë Institutit Politeknik, në degën e Inxhinierisë së Ndërtimit. Më pas specializohet për arkitekturë dhe në vitin 1960 merr pjesë në projektimin e parë që u bë në Tiranë.

Ka punuar më tej pranë Byrosë së Projektimit të Tiranës. Për guximin që tregonte në veprat e tij, qofshin ato në pikturë apo arkitekturë, arrestohet dhe dënohet me dhjetë vjet burg. Do të linte Spaçin në vitin 1986. Ndërkaq, një pjesë e punëve të tij ishin zhdukur, djegur, gjatë bastisjes së shtëpisë. Maks Velo është autor i një sërë botimesh si: “Kokëqethja”, “Palltoja e burgut”, “Thesi i burgut”, “Paralele për arkitekturën”, “Kohë antishenjë”, “Jeta ime në figura” etj., në faqet e të cilave ka hedhur kujtimet e tij nga vitet e burgut apo ditët e tmerrit në hetuesi.

Pa lënë mënjanë pasionet e tij më të mëdha, arkitekturën dhe pikturën. Viteve të fundit ka publikuar disa albume me krijime të tij, si “Pastel”, “Paris 1”, “Paris 2”. Një punë voluminoze paraqet albumi mbi pllakatin në vitet e komunizmit, “Grafika e realizimit socialist në Shqipëri”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama