Maje Dajtit tek antenat e ‘kinezit’

Maje Dajtit, tek antenat e ‘kinezit’
Një ngrehinë bojë hiri, me një portë hekuri me një kuqe të zbërdhylur, shfaqet befas. S’ka derë rrethimi. Në portën kryesore, të çojnë disa shkallë betoni, rampa e të cilave bën një 90º. Disa dritare anash me korniza tejet të amortizuara ndryshojnë gjelbërimin e harlisur që rrethon ndërtesën e vjetër. Lagështirë kudo. Djathtas dy dritare të gjëra, njëra prej të cilave krejt pa korniza. Anash një motor i vogël. Suvaja në katin e tretë të godinës, ka filluar të rripet gjatazi. E nëse nuk do jetë zhurma e insekteve, atëherë je në butaforinë natyrale të ndonjë filmi klasik për komunizmin. Shenja e vjetërsisë është kudo. Më të rejat janë hekurat dhe platformat e antenave që kontrastojnë dukshëm me ndërtesën. Ato janë kudo dhe ngado. Koha e këqyrjes mbaron se një zë nga diku na bën befas me shenjë të ndalojmë. “Ndal. Nuk e shikoni!” Një burrë i shkurtër zbret nga shkallët në ankth...

...

Ka qenë një kohë në Tiranë, që pallatet shumëkatëshe nuk ishin si tani. Ëndrra e De Faustos dhe Brasinit, dy urbanistëve të parë të kryeqytetit, dukej disi e respektuar nga tiranasit. Instinktivisht, atje ku tiranasit do këqyrnin lindjen e diellit do merrnin edhe mesazhin e përditshëm për motin. Nga Dajti. Aty fillonte dita. Jeta. Koha tregoi se arkitektët italianë kishin pasur të drejtë: Tiranasit duhet ta kishin të lirë atë, lindjen e ditës së tyre. Shumë vite më vonë, kjo jo vetëm u harrua, por edhe u përçudnua. Dajtit, pallatet e reja, i morën jo vetëm dukjen nga poshtë. I morën sharmin. Shumë syresh edhe e përqeshën. Në një të tillë, flitej për kinezin dhe ‘budallallëkun’ e tij, që la kockat në Shqipëri. Bash aty në majë, ku ishin antenat që shpërndanin frekuencat e RTVSH, por dhe që pengonin ardhjen e valëve të televizioneve të huaja. Dekadente. Në dimrin e ashpër të Dajtit, ku nuk shquhej asgjë veç bardhësisë, të vetmit ata, njerëzit e antenave, vigjilonin për dogmën. I kthyen në heronj, paçka se historia e tyre kishte lidhje thjesht me një punë në dukje të rëndomtë. Anipse, drita e tyre, ishte e vetmja që pulsonte mbi Tiranë në netët e saj...

Ata

...Ata, s’ishin më shumë se teknikë të thjeshtë që merreshin me shpërndarjen e valëve të Radio-Televizionit shqiptar kudo. Dhe, kaq. Historia, kur do të thotë shumë, i ngatërron gjërat. I vetmi moment ‘i rëndësishëm’ ishte kur tiranasit u luteshim me shpirt t’ua zbusnin në kohën e komunizmit rrjetën e zhurmuesit ose atë të dogmës...Po Kinezi? Nuk dihet pse qyqari ka mbetur një objekt kaq qesëndisës për shqiptarët. Të vdesësh për punë te shqiptarët, je sërish objekt tallje. Patetizmit tonë, pas gati një orë e gjysmë ose pak më shumë udhëtimi, nga kampi poshtë pllajës së Dajtit, i vjen fundi. Ndërsa fotografojmë menjëherë në majën e Dajtit antenat, jemi ‘diktuar’. Për hir të së vërtetës, nuk dimë asgjë se këtu ndalohet. Dy ushtarakë, me gradë të ulët, që i kemi kapur rrugës për në majën e Dajtit, na kanë thënë se nuk është problem. Përveç repartit, që kuptohet se nuk të lënë. Ata vetë nuk na lënë t’i fotografojmë.

Rregulli është rregull. I lëmë në pyll duke dihatur, krejt të shkalafitur nga lodhja. “Jo. Kush ju ka sjellë këtu? Si erdhët? Çfarë jeni?” Për pak minuta duket se është bërë katrahura. I japim përgjigje policit, që duket se pas shumë kohësh, ka mundësinë që të kujtohet se është polic. Ia shpjegojmë thjesht. “Nuk lejohet. Nuk e dini?”. ‘Sigurisht, që nuk e dimë, -i gjegjemi, ndryshe s’do merrnim mundimin të afroheshim deri këtu’. Paradoksi s’ka fund. Policit i bashkohen dhe teknikët me të cilët shkëmbejmë qeshje njohje. I kemi shumë fytyra të para në Tiranë. U themi se gjërat mund t’i zgjidhë telefoni dhe të gjithë të jemi në rregull. Polici është vënë në alarm.

Ah., medet. Nuk ka edhe valë AMC. Më duhet të zhvendosem sërish diku, të gjej një fashë valë. Drejtori i Përgjithshëm i Radio-Televizionit Publik Petrit Beci është shumë i sjellshëm në telefon. Miku i vjetër i gazetarëve është miqësor, por i prerë për përgjigje negative. “Të më kishe thënë! Të merrje një letër me vulë dhe me numrin e pasaportës, konform të gjithë rregullave dhe pastaj mundeshe të shkoje rehat dhe të shkruaje çfarë të doje”. “S’ka asnjë mundësi”. ‘Jo’-shkurt. Ia them këto policit, që më sheh ende i frikësuar për mënyrën sesi kemi shkuar deri aty. I tregoj diskursin me drejtorin. “Eh, të thashë”.

 Tund kokën. Ia lehtësoj vuajtjen. Vetëm se puna s’është aq e thjeshtë. Janë lajmëruar policia dhe të gjithë strukturat e Radio-televizionit. Gjashtë telefona në intervale të pakta- u lajmërohen teknikëve që janë futur në një siklet të pafundmë...”Ah ç’na bëtë?” Nuk kuptoj ende se çfarë kemi bërë. Jemi ngjitur nga pllaja poshtë e Dajtit për gati 2 orë dhe falë mundësisë që kemi gjetur dy ushtarakë rrugës, që na kanë orientuar për itinerarin, i jemi ngjitur me qejf udhës. Nga grupi jam i vetmi që e kam bërë vetëm njëherë, këtë rrugë, ndoshta 25 vite më parë dhe kaq. Qëllimi ka qenë i thjeshtë: Kemi dashur të bëjmë një histori njerëzore të këtyre njerëzve, që tashmë sillen mirë por pak me “armiqësi” . Jo. Jo. Nuk na lejojnë fotot. Për fat, kanë shpëtuar vetëm pak foto, që janë bërë në momentet e fillimit. Polici sigurohet edhe njëherë, ndërsa na thonë të gjithë se tashmë po vjen policia dhe një kontroll dhe nga Televizioni. I sigurojmë se do të kthehemi dhe ua kursejmë malin e justifikimeve, që nga telefonatat duket se është vërtetë shqetësues...”Pra, këta janë heronjtë”, them me vete. Nga historitë në Tiranë i kam menduar si njerëz të rrallë.

Mendoja se problemi ishte vetëm të ngjiteshe këtu, pastaj do të na tregonin pafund. Do ndanim gjëra. Do na thoshin sakrificat. Si e shtynin? Punën. Sikletet. E pastaj gjërat do ishin të thjeshta. Siç ndodh rëndom, gjërat në Shqipëri janë gjithmonë më të ndërlikuara sesa i mendon. “Heronjtë” tashmë janë tejet të frikësuar dhe neve na duket vetja si diversantët e dikurshëm. Anipse, burrat, që i kemi fytyra të para mbeten shumë të sjellshëm. Një xhip i sjell nga poshtë dhe po ai është që i kontrollon. Janë dy periudha të vitit, që u duhet prej motit të keq, që të ngjiten me këmbë. Jeta i ka këto dhe që të jetosh duhet t’i kesh parasysh të gjitha. Shefi i tyre është i hapur, por pa tagër, nëse më mungon fleta e Drejtorit. Nëse vërtetë do të njihnim këtë procedurë, dhe këtu besoj se s’është vetëm faji ynë, atëherë do të kishim bërë një gjë të mrekullueshme. Po nga frika e burokratizimit të gjithçkaje nuk kemi shkuar?

Njëri prej tyre i flet mikes time të huaj frëngjisht. Bëjnë muhabet të lirë jashtë mjedisit me tematikë të ndryshme. Dikush na sjell ujë, që pas orësh udhëtimi- na duket një kryevepër. Na vjen kinezi përsëri. E pyes pak me humor njërin prej tyre, që të paktën të na tregojnë historinë e kinezit. Të mos na ikë dita kot. Ai ka qenë një nga heronjtë e ndërtimit të këtij vendi. Për ti shpëtuar një copë hekuri, që po i vinte mbi kokë, ka lënë të lira duart dhe ra mbrapsht. Do të vdiste menjëherë dhe Shqipëria do ta varroste me nderime për të treguar respektin për vëllezërit e mëdhenj kinezë. Paradoksi ishte se i ngrati Çan Pao Y (nuk jam i sigurt për emrin), do të bëhej shpesh pas viteve ’90 objekt qesëndisje për shqiptarët. Vërtetë s’kishte bërë ndonjë akt patetik në vdekje, por fakti se ra në punë s’ua mbushi syrin shqiptarëve. Në vitet e Demokracisë kujtimi i tij do të lakohej në kuptimin pexhorativ nga shqiptarët “punëdashës”. Madje deri në komisionet parlamentare. Të shkuara të harruara. Kaq ishte dhe kjo histori...

Kthim pas

Historia është kryevepër nëse do të kesh një formë sportive dhe do të tentosh të ngjitesh në malin e Tiranës. I kënaqesh pyllit, ngjitjes dhe ajrit të pastër. Në kohë të mirë fushëpamja është i pamasë. Shkon deri në qytete dhjetëra kilometra larg. Teleferiku, që e ka shkurtuar shumë udhën drejt një të tretës së tij, duhet thënë se e ka bërë shumë të prekshme. Kuptohet, jo pas kampit. Kjo na ka shtyrë, që të shikojmë vendin e kujtimeve të fëmijërisë dhe atë ‘vendin-mister’ të antenave. Vite më parë, Dajti funksiononte si privilegj i pak njerëzve dhe atyre që kishin edukatën e turizmit malor. Kampi i Pionierëve, ai i Punëtorëve pak më tutje; dhe disa vila ishin shumë pak për të edukuar në të vërtetë këtë lloj turizmi. Dhe tutje, shumë tutje ishin ata. Teknikët e TVSH që vigjilonin.

Njerëzit e televizionit e bënin këtë rrugë me turne javore, ashtu si e bëjnë dhe tani dhe që andej valët e Radio-Televizionit shqiptar kishin mundësi pastaj të përhapeshin në etër. Në të gjithë këtë hapësirë, që është pjesë e gjeoparkut të Malit të Dajtit, që fillon nga Shkalla e Tujanit në veri e deri në Qafë Priskë në jug, ata ishin nga të vetmit frymorë të ndërgjegjshëm. Të mendosh se në këto përmasa: rreth 5 kilometër i gjerë dhe 1612 metra i lartë...ishin nga të paktit! Pak qindra metra më poshtë ky vend i mbipopulluar me klube dhe me hotele është shumë larg përfytyrimit të dikurshëm por jo shumë larg realitetit të tij.

Dajti ende duket si i pashfrytëzuar si duhet. Teleferiku thjesht e ka bërë më të Tiranës. Një djalë shumë i fortë me një bluzë që i nxjerr hapur format e trupit na ndjek me vështrim. Pranë një Mercedesi pret myshterinj gjithë ditën dhe detyra e tij e vetme është për ti përcjellë pastaj te hoteli i tij. Një furgon është më tej, dhe ka detyrë që të çojë të tjerë klientë në restorantet e tjera. Dy kuaj sorollaten të qetë andej-këndej. Ndërsa argëtime të tjera veç gastronomisë, qetësimit...mungojnë. I kërkojmë djalit një mundësi për tu ngjitur, më saktë të na tregojë shtegun drejt majës. Di që është një majtas, por aty është rezidenca e Gardës dhe nuk lejohet. Mbetet ajo që është fill mbas ish-kampit të pionierëve. Djali na hedh një vështrim me rakurs.

Nuk duhet t’ia mbushim syrin. “Ngjituni aty pas kampit, do shikoni një udhë dhe merrni sipër. Mos iu ndani për 1 orë mbase jeni”. Si është rruga?- e pyesim. ‘Do e shikoni vetë, por vështirë do e keni”. Aty ku na drejton djali, s’është aq e lehtë. Ish-kampi i pionierëve, tashmë nuk ia di pronësinë, është i rrethuar. Është krejt i prishur dhe pa dritare. Një ngrehinë e frikshme. Atëherë djathtas në klubin e vogël, i marrim leje një kamerieri të kalojmë përmes klubit të tij. Djali na ka përcjellë me vështrime mendjemadhësie që tutje. Vetëm se pak më vonë del shumë argëtues. ‘Për 45 minuta jeni në majë”,- na thotë. Na e tregon rrugën sikur e bën përditë. Në fakt, s’do jetë kaq e lehtë. Dhe, ai aq bullafiq sa është nuk besoj se mund të jetë ngjitur ndonjëherë....ose të paktën ta ketë bërë ndonjëherë për 45 minuta ose të jetë më i shpejtë sesa ne...A thua të jetë munduar kështu dhe Han vite më parë? Por ai ka bërë një itinerar tjetër dhe synimi i tij ka qenë i përcaktuar qartë: Fosilet.
“Një detyrë tjetër që duhet të zgjidhja në Tiranë kishte të bënte me porositë që kisha marrë lidhur më fosilizimet...”. Kuptohet se shqiptarët të alarmuar nuk i tregojnë asgjë dhe Hani i braktis fosilet për të vazhduar rrugën në drejtim të Matit.

Ngjitja

Instinktivisht dua të gjej një fosil. Përgjatë të gjithë rrugës që përshkruaj mundohem të gjej ndonjë fosil, apo ndonjë dëshmi mineralogjike, për të cilën duhet thënë se jam gati profan. Ecja në pyllin mbi Kampin e Pionierëve është shumë e bukur edhe për faktin se hasesh menjëherë me Katin i Aheve dhe Halorëve dhe të një errësire që nuk e përshkon aspak dielli i gushtit. Kam një mbështetje interesante, ngaqë njerëzit me të cilët shoqërohem janë shumë alpinë dhe më orientojnë mirë me udhën. E njohin malin më shumë se unë. Kuptohet, edhe e duan. ‘Si ka mundësi, që nuk ka ujë, më thotë dikush. Fati i të ngjiturës në këtë kohë është se vera e freskët e lehtëson udhën, ndërsa dimri me shumë reshje dëbore e bën gati të pamundur udhën. (Sasia e reshjeve shkon 1200-2000 mm. Sasia më e madhe e tyre bie në shpatin perëndimor dhe jugperëndimor të tij, kurse në lindje kjo sasi është më e pakët se 1000-1200 mm-Literatura).

Gjethet gati kanë përgatitur një shtresë humusi, ndërsa duket se çdo metër i kaluar, të jep ndjesinë se po i gëzon hapur katet, atë që thjesht e ke mësuar në shkollë. Bash në mes të udhës, hasim një kapter, por që vjen nga një rrugë anësore. Lëshon tinguj udhës dhe pasi i japim të njohur njësoj me klithma: na duhet që të na tregojë rrugën e ngjitjes. Jemi në udhë të drejtë apo jo?! Shtrirja vertikale e bimësisë është e dukshme. Burri tregon pak por është shumë i dobët. Ka tmerr frikë nga fotografia. ‘Do më merrni në qafë’, na e pret dhe ky. Kemi kaluar pjesën e mareve, shqopës, xinës, ndërsa ecim në brezin e dushkut.

Mbi këtë lartësi e deri në 1300-1400 metra, shtrihet brezi i ahut dhe i halorëve. Rrugës hasim një piketë me numrin 1351 metra. Burri na ka dhënë një drejtim, por më shumë i besojmë monopatit. Kemi dhe treqind metra më tej. Pendencë 45º. Kapteri, që ndez një cigare, mbasi ka marr siguri se nuk do e fotografojmë është i rehatuar. Është katundar nga fshatrat pas Dajtit dhe duhet të quhet me fat që ka këtë punë. Lëshon klithma për poshtë. Duhet të presë një shokun e vet, që është i dobët dhe më i vjetër. Po ta bësh këtë udhë si mund të jesh ndryshe! Na flet për Dajtin. Ai na tregon për repartin dhe Antenat.

Nëse nuk ngatërrohemi kemi dhe 45 minuta udhë. “Kujdes se nuk të lënë ushtarët”, më thotë. Mundohemi të fiksojmë zhurmat, duke vendosur veshin në trungjet, por një moment si me sustë e gjitha hesht. Ndahemi nga ushtaraku. Kapteri na jep ‘udhëzimet’ e fundit. Do marrim rrugën drejt dhe kur të hasim një rrugë makine do mbajmë gjithmonë djathtas.. Do hasim dy rrugë, do ndjekim atë me sens djathtas. Do t’ju arrij, na thotë. Në fakt, s’na arrin më...Ngjitemi në objektivin tonë.

Njerëzit e Antenave

Nga mungesa e shtrirjes të sinjalit televiziv shqiptar në të gjithë territorin për shkak të relievit të thyer, për të mos thënë se edhe ndonjë sinjal i huaj që depërtonte zhurmohej, Drejtoria Teknike jo vetëm kishte shumë punë, por ishte nën trysninë e vazhdueshme të teleshikuesve kudo në Shqipëri, të cilët kërkonin duke ngritur zërin “Tiranën duam të shikojmë”. Kjo detyrë mobilizoi gjithë specialistët me drejtorin e përhershëm të teknikës R. Kryeziun në krye për ngritjen e shumë stacioneve të fuqishme transmetimi e ritransmetimi si në Dajt, Çervenakë, Krrabë, Gllavë, Midë etj. Qëllimi i këtyre qendrave televizive ishte jo vetëm mbulimi i vendit, por edhe dërgimi i sinjalit jashtë kufijve.

Disa herë me grupet e teknikës i shkelëm të gjitha këto stacione. Ruajmë një admirim të veçantë për inxhinierët e specialistët e mrekullueshëm, që moshën e re të jetës ia falën turneve atje mes malesh në bashkëjetesë me heshtjen, me vetminë, në shi e dëborë, si fqinjë me ujqër, dhelpra apo arinj. Edhe pse me mungesat e njohura kurrë nuk kursyem për t’u dërguar atyre ushqime rezervë dhe një komoditet pak a shumë të pranueshëm në mjediset e ndërtesave. Valët televizive, që përhapen në vijë të drejtë nuk zbrisnin dot poshtë malit. Gradualisht në të gjithë territorin e vendit u ngritën mbi 400 stacione të tjera apo përsëritës që çonin sinjalin e Tiranës në mbi 90% të territorit të vendit. Këto copëza jete, kështu si vegime, sa shumë kanë qenë. Kjo nuk është thjeshtë nostalgji, por edhe po të jetë kështu të jep një kënaqësi të pamasë për vitet e lëna pas mes përpjekjesh për qëllime të mira njerëzore, kujton Marash Hajati.

Fund

Objektivi ynë është zhgënjyes. Një godinë e stërmadhe, ngjitur një shkëmbi dhe antena pafund. Nga Dajti transmetohet me 10 000 W në kanalin VHF, B I – C4; me 10 000 W në kanalin VHF, B I – C4; me 5 000 W në kanalin UHF, B V – CH 57; me 5 000 W në kanalin UHF, B V – CH 57; me 1 000 W në kanalin VHF, B III – C 11; me 100 W në kanalin VHF, B III– C 11. Kurse Mbulimi me sinjal FM nga Dajti bëhet me fuqinë 5000 W në 99,5 Mhz dhe mbulon zonën nga Tiranë, Durrës, Kavajë, Berat, Lushnje, Rrogozhine, Fier, Krujë, Laç, Lezhë, Velipojë, Novoselë.
...
“Jo. Jo. Si erdhët?”. Pas 1,5 orësh të tjera me policin dhe njerëzit e teknikës zbresim. Nuk e kemi ‘parë’ dot dritëzën e vogël. Të paktën e kemi arritur. Tashmë kemi mundësi të zbresim. Me teknikët ndahemi mirë dhe puna me izolimin, u ka bërë që të jenë miqësore me çdo fytyrë të re. Por ligji është ligj. Dhe më shumë se kjo është mbijetesa. Po i hoqën nga puna ku do shkojnë?

Rruga e kthimit është më e lehtë, por më e vështirë për kaviliet e grupit tonë, që jemi marrë me sport. Ato nuk e durojnë dot rrëpirën. Mundohemi të bëjmë udhë në qilimin poshtë të humusit dhe gjelbërimit të madh mbi shtrojën kaki të gjetheve. Tek tuk shfaqet ndonjë kërpudhë, por për këtë askush s’është specialist. Jemi pas gati 50 minutash në sheshin e ish kampit të Pionierëve, pasi gjejmë dhe një kapter që e kemi hasur që në mëngjes kur jemi nisur me teleferik. Historia e kinezit është e thjeshtë dhe antena e tij, për të cilën dha jetë mijëra kilometra tutje, shkëlqen mbi grihnajat e shkëmbit. Djali, që na tregoi udhën, është sërish duke pritur myshterinj dhe na ndjek që tutje me vështrime lakmitare. Ulemi pak në klubin nga ku filluam udhën. Djali i shëndoshë që na ka thënë rrugën nuk na begenis. Një orë më vonë jemi në udhën e kthimit me teleferik për poshtë në Tiranë. Është një nga ditët e fundit të verës 2010.

Shkrimi është mbështetur në Kujtimet e Georg von Han dhe Historinë e Televizionit via internet dhe Kujtimet e Marash Hajatit për Televizionin shtetëror.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama