Lutaj Nuk trukon vetem Skenderbeu FSHF e korruptuar

Lutaj: Nuk trukon vetëm Skënderbeu, FSHF e korruptuar

Pas akuzave të Rudi Vatës në drejtim të Skënderbeut dhe jo vetëm, një tjetër figurë e futbollit shqiptar ka mbajtur qëndrim tejet kritik. Bëhet fjalë për ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e Flamurtarit, Edmond Lutaj, i cili jeton prej vitesh në Suedi. Ai ka akuzuar rëndë edhe FSHF-në, duke e cilësuar si të korruptuar nëpërmjet një postimi publik.

lutaj-ne-kembe

"Duke pasur si referim intervistën e Rudi Vatës sot në gazetën "Panorama Sport" do të jap edhe unë këndvështrimin tim në lidhje me dënimin e Skënderbeut nga UEFA. E përgëzoj Rudin për kurajën që tregon, duke ngritur zërin dhe dënon ashpër drejtues klubesh të korruptuar, të cilët po e dëmtojnë futbollin shqiptar jashtë mase. Po të ndalemi tek ekipi i Skënderbeut dhe dënimi për manipulim ndeshjesh, si në kampionatin shqiptar, ashtu edhe në kompeticione europiane, mund të them me bindje se UEFA është treguar shumë e butë me dënimin 1-vjeçar.

UEFA duhet ta kishte bërë shembull Skënderbeun duke e dënuar më ashpër sepse e meritonte. Unë kam ndjekur disa ndeshje në Kupat e Evuropës dhe dukej qartë që ndeshjet ishin të manipuluara. Por, turpi me i madh është kur këta presidentë dalin nëpër televizione dhe flasin për garë dhe investime të ndershme.

edmond lutaj

Një pjesë njerëzish, analistë, gazetarë, popull, bëjnë sikur i hanë këto mashtrime. Ekipi i Skënderbeut nuk është i vetmi klub që merret me një lojë të pistë, por janë dhe shumë klube të tjera. Unë mendoj se po vjen koha që këta matrapazë dhe shkatërrues të futbollit do të përfundojnë atje ku e meritojnë.

Federata Shqiptare e Futbollit është gjithashtu tejet e korruptuar, ku ka në krye njerëz që u shërbejnë vetes dhe disa klaneve të caktuara. Si ka mundësi që një autoritet kaq i lartë si Federata e Futbollit ta injorojë faktin që kampionia e Shqipërisë të dënohet nga UEFA dhe këta zotërinj nuk kanë asnjë qëndrim zyrtar për këtë çështje.

edmond lutaj

Qëndrimi i Federatës është shumë qesharak dhe një tallje me një opinion të tërë kombëtar që presin një qëndrim zyrtar nga Federata. Këta zotërinj me heshtjen e tyre tregojnë hapur lidhjen e Federatës me korrupsionin në futboll. Po Ministria e Sporteve, qeveria, parlamenti pse nuk reagojnë për këto ngjarje të shëmtuara që dëmtojnë imazhin e futbollit shqiptar?!

Apo kur është momenti që t'i thuren elozhe kombëtares, të gjithë veshin kostumin Armani dhe mundohen të jenë sa më pranë suksesit", shprehet Lutaj. "Sikur një ngjarje e tillë të kishte ndodhur në një vend europian, do të kishte qenë një skandal i madh dhe do të trondiste rëndë atë vend. Ne shqiptarët, kemi një rrugë të gjatë për të bërë, dhe të gjithë ata njerëz të ndershëm që e duan futbollin, dhe duan një garë të ndershme, duhet të presin dhe ca kohë.

E përgëzoj Rudi Vatën dhe shumë të tjerë që kanë kontribuar në futbollin shqiptar dhe i inkurajoj që të çojnë zërin kundër kë- tyre presidentësh matrapaz, kësaj federate të korruptuar, sepse nëse ne që kemi qenë pjesë e futbollit i refuzojmë me neveri këto fenomene të shëmtuara, atëherë futbolli mund të ndryshojë", shton ish-trajneri i Flamurtarit.



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama