Lumturi Blloshmi nje ditar me fotografi

Lumturi Blloshmi, nje ditar me fotografi

Galeria Kombëtare e Arteve hap sezonin e ri artistik  më  21  janar  me një ekspozitë vetjake të artistes Lumturi Blloshmi. Ekspozita sjell në fokusin  e aparatit fotografik një fazë të rëndësishme të krijimtarisë artistike të Lumturi Blloshmit.

Artistja vjen në këtë ekspozitë përmes fotografive të instalacioneve dhe performancave të realizuara pas viteve ‘90.

Si një ditar i hapur, ato rikujtojnë mesazhet e fuqishme artistike dhe sociale që Blloshmi i ka transmetuar publikut në ekspozitat e saj personale, apo në grup.

Instalacione, apo performanca që kanë mbetur në kujtesë të shumëkujt si: Obsession – The Pyramid; The utopian Road; Ambiguity; The invasion of the space; Paradox; Duality; It’s a Wonderful Life; Is’t a men’s world, do të jenë pjesë e ekspozitës vetjake të Blloshmit.

Përveçse si një retrospektivë e 25 viteve të fundit të artit të saj, kjo ekspozitë vjen si një dëshmi e përforcuar se Lumturi Blloshmi është një nga artistet e para femra që solli mediumin e instalacionit dhe performancës në Shqipëri.

Puna e saj në artin pamor nisi në vitet 1973–1974, një periudhë delikate në artin shqiptar. Lumturi Blloshmi arriti të krijojë dhe t’i shmanget presionit të kohës duke u fokusuar te peizazhi dhe natyrat e qeta.

Në fillim të viteve ’90, Blloshmi kërkoi dhe gjeti një karakter tjetër artistik dhe u bë shumë shpejt pjesë e atyre artistëve që i dhanë frymëmarrjen e parë artit modern dhe postmodern shqiptar përmes performancave dhe instalacioneve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama