Lufte ne Korce Tirana fiton Superkupen

'Lufte' ne Korçe, Tirana fiton Superkupen
Përleshje mes tifozëve, invadim të fushës, sulm i dhunshëm ndaj lojtarëve të Tiranës, ultras që përfunduan në spital, një gol dhe një trofe. Tirana fitoi Superkupën e Shqipërisë, e cila do mbahet mend shumë gjatë për shumëllojshmërinë e incidenteve që dhuroi. Një ndeshje që duhet të niste në orën 20:00 dhe përfundoi pas plot 200 minutash. Një ndeshje që lejoi të shihet shumë pak futboll, ose më saktë u luajt futboll pas një “lufte” në shkallët e stadiumit. FSHFja “shpiku” alternativën e luajtjes së Superkupës në stadiumin e një prej skuadrave finaliste dhe kjo rezultoi plotësisht një dështim.

Para ndeshjes – Pak orë para fillimit të ndeshjes, drejtuesit e Tiranës protestuan ashpër për arbitrat që ishin përzgjedhur, Enea Jorgjin dhe anësorin Gëzim Koka. Ky i fundit është “autori” i atij goli fantazëm të korçarëve në sfidën mes Tiranës e Skënderbeut të fazës së tretë, kampionatin e kaluar. Gjithsesi, përpjekja e bardhebluve nuk rezultoi e suksesshme dhe u dorëzuan para zgjedhjes së bërë nga dizenjatorët e FSHF-së (gjithsesi arbitrimi i ndeshjes ishte korrekt). Por, problemi më i madh kishte të bënte me shpërndarjen dhe hyrjen e tifozëve të skuadrave në stadium. Ata ishin programuar të kishin një hyrje të përbashkët dhe ndarja e vendeve në stadium nuk ishte bërë në proporcion të drejtë. Kjo solli kaos mes ultrasve, duke degjeneruar deri në përleshje të ashpër, ku pati edhe të dëmtuar. U desh ndërhyrja e policisë për të qetësuar situatën.

Tifozët – Fansat e Tiranës që kishin udhëtuar deri në Korçë për të ndjekur ndeshjen, u bënë protagonistët kryesorë të supersfidës. Pas përleshjes që patën me tifozët kundërshtarë, policia këshilloi që ata të ndiqnin takimin në shkallët pas portave. Por, kjo shfaqi pakënaqësi, madje refuzuan që të qëndrojnë atje, duke pretenduar për vendin e tyre përballë tribunës kryesore. Nga ana tjetër, skuadrat zbritën në fushë, por kryqyetetasit nuk pranuan që të luajnë, pa patur tifozerinë në shkallët e stadiumit. Një “telenovelë” që zgjati plot 59 minuta. Një precedent i paparë, i cili nuk parashikohet as në rregullore. Gjithsesi, u desh ndërhyrja e presidentëve Halili dhe Zeqo, për të bindur ultrasit që të rikthehen, madje në vendin që kishin programuar që në fillim. Në minutat e para, korçarët i pritën me duartrokitje dhe u duk sikur u vu “paqja”. Kjo lejoi edhe startin e takimit.

Invadimi – Në minutën e nëntë, ultrasit e Tiranës hodhën fishekzjarre dhe tymuese në fushën e lojës, duke bërë që ndeshja të ndalojë. Por, në ato momente, një tifoz korçar mori fishekzjarrjet dhe ua hodhi sërish bardhebluve, duke “startuar” një tjetër përleshje. Policia ndërhyri sërish dhe nxori jashtë stadiumit tifozët miq, për të evituar përshkallëzimin e situatës. Në fakt, kjo lëvizje e forcave të rendit, duke u përqendruar në nxjerrjen e kryeqytetasve jashtë, lejoi që shumë prej ultrase vendës të kapërcejnë lehtësisht hekurat rrethues dhe të hyjnë në fushë, për të sulmuar lojtarët e Tiranës. Një invadim i frikshëm, i cili u zbeh vetëm falë ndërhyrjes së futbollistëve të Skënderbeut. Ishin këta të fundit që mbrojtën kolegët e tyre, duke shkaktuar një tjetër ndërprerje disa minutëshe.

Ndeshja – Kur u mendua se nuk do luhej më, skuadrat rizbritën në fushë. Këtë herë, të bindur për të çuar deri në fund ndeshjen, ndërsa tifozët e Tiranës ishin larguar nga stadiumi, madje ishin nisur për në kryeqytet. Pjesa e parë e takimit ishte në një nivel tepër të dobët, mbase të influencuar edhe nga trazirat shokuese. Ndërsa në pjesën e dytë, trajneri spanjoll Rubio bëri dy zëvendësime, duke futur Kërçikun dhe Al Ajmin, duke i dhënë më shumë freski ekipit. Në minutën e 63-të, erdhi edhe momenti vendimtar i takimit.

 Bekim Bala gjuajti fort në hyrje të zonës, duke dërguar topin në rrjetë. Një gol që heshti stadiumin e Skënderbeut dhe madje u preu këmbët lojtarëve vendës. Edhe pse u munduan të reagojnë, për ta ishte e pamundur. Nëntë minuta para fundit të kohës së rregullt, Orelesi shkaktoi një ndërhyrje makabre ndaj Situmës dhe arbitri Jorgji nuk e toleroi, duke e nxjerrë me karton të kuq. Mjaftoi vetëm një gol, ai Balës për t’i dhuruar Tiranës Superkupën e dhjetë në histori, pas një “telenovele” me disa seri, nga kapriçot te ultimatumet, nga grushtet te plagosjet dhe duke përfunduar me një festë, deri diku të merituar…

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama