Lufta kunder “turkomanizmit” dhe “grekomanizmit”

Duke filluar prej viteve 50 Lëvizja Kombëtare Shqiptare bëri një luftë gjithnjë e më të ashpër kundër ideologjisë së panislamizmit, të propaganduar nga Porta e Lartë, dhe të panhelenizmit, të përhapur nga qarqet shoviniste të Athinës.
Qeveria e Stambollit ua mohonte kombësinë shtetasve myslimanë joturq të Perandorisë, të cilët i quante osmanllinj dhe ndiqte me këmbëngulje parimin, sipas të cilit Perandoria teokratike Osmane duhej të mbështetej mbi gjithë shtetasit myslimanë pa dallim.
Me qëllim që të përforconin pozitat e tyre në Shqipëri, të rrezikuara nga kryengritjet e vazhdueshme shqiptare dhe nga lëvizja e përgjithshme kryengritëse e popujve të tjerë ballkanas dhe për t’i lidhur sa më ngushtë masat e prapambetura të popullsisë myslimane shqiptare me fatet e Perandorisë, qeveritarët e Stambollit filluan të zhvillonin një fushatë me parulla panislamike për të nxitur fanatizmin e përçarjen fetare midis shqiptarëve. Ata dërguan në Shqipëri për këtë qëllim edhe klerikë myslimanë nga Anadolli e nga vende të tjera lindore. Këtij qëllimi i shërbenin edhe shkollat shtetërore turke që po ngriheshin në vitet 50-60 në Shqipëri, të cilat, edhe pse quheshin formalisht shkolla laike, pjesën më të madhe të programit e kishin me lëndë fetare islamike.
Kundërshtimi që i bënte Porta lëvizjes shqiptare gjente mbështetje te disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, te “turkomanët”. Këta përbëheshin, në radhë të parë, nga elementët fanatikë të klerit mysliman shqiptar, si dhe nga një pjesë e feudalëve të vendit, të cilët pozitën e privilegjuar që kishin si funksionarë fetarë ose shtetërorë ia detyronin sulltanit dhe prandaj ishin të interesuar të mos prisheshin e as të prekeshin lidhjet me të. Ndër turkomanët bënin pjesë edhe disa elementë të borgjezisë së pasur qytetare, të cilët, jo vetëm nën ndikimin e parullave fetare islamike, por edhe si sipërmarrës shtetërorë e pjesëmarrës në spekulime të përbashkëta me funksionarët e Perandorisë, kishin interes të ruanin gjendjen ekzistuese, që u siguronte atyre një varg fitimesh. Qarqet e turkomanëve përpiqeshin të shfrytëzonin për qëllimet e tyre prapambetjen arsimore e kulturore të shtresave të gjera të popullsisë shqiptare, ndjenjat e tyre të natyrshme fetare islame dhe sidomos ndikimin mbi to të sulltanit si Kalif.
Kundërshtim të ashpër gjeti Lëvizja Kombëtare Shqiptare, si edhe ajo e disa popujve të tjerë ballkanas, edhe nga prirjet shoviniste të disa qarqeve të borgjezisë greke, që propagandonin “panhelenizmin” si armë ideologjike për të përgatitur realizimin e planit ekspansionist të “Idesë së Madhe”. Një rol të veçantë në këtë lëvizje luante edhe kleri i Patrikanës greke të Stambollit. Ideologjia panheleniste u mbështet edhe nga disa shtresa të caktuara të shoqërisë shqiptare, nga “grekomanët”, siç u quajtën përfaqësuesit e këtij orientimi, që vinin në radhë të parë nga një pjesë e tregtarëve ortodoksë të Shqipërisë së Jugut, që kishin lidhje me tregjet e Selanikut, të Korfuzit etj.
Dobësia e borgjezisë shqiptare si klasë e re dhe ndikimi i parullave fetare të përhapura me anë të kishës e të shkollave greke u bënë shkak që “grekomanët” të shihnin te borgjezia greke, e cila kishte krijuar shtetin e vet kombëtar, të vetmen mbështetje për t’u çliruar nga zgjedha osmane.
Protagonistët e “Idesë së Madhe” në Shqipëri u përpoqën të shfrytëzonin për qëllimet e tyre edhe dasitë fetare midis borgjezisë e fshatarësisë së krishtere shqiptare dhe bejlerëve çifligarë të vendit, që në shumicën dërrmuese ishin myslimanë, si edhe nevojën e madhe për arsim që kishte popullsia shqiptare, nevojë e cila, për mungesë shkollash në gjuhën shqipe, nuk kishte mundësi të plotësohej atëherë veçse në shkolla greqisht.
Duke luftuar kundër këtyre rrymave mendimtarët rilindës përpunuan platformën e vet, që u bë baza e veprimit të mëtejshëm politik-kulturor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Të nisur nga fakti se në bazë kriteresh objektive populli shqiptar, me gjithë ndarjen fetare, përbënte një komb më vete dhe si i tillë kishte një rrugë të veçantë të formimit historik që e shpinte në mëvetësinë e tij kulturore e politike, ideologët e lëvizjes kombëtare e drejtuan propagandën e tyre kundër përpjekjeve të “panislamistëve”dhe “panhelenistëve” për të bërë për vete politikisht, sipas parimit fetar, pjesë të veçanta të popullit shqiptar.
Një luftë të posaçme bënë ata, ndër të tjera, kundër tezave politike të panhelenistëve, që, duke i mbështetur synimet e tyre në teorinë pellazgjike, propagandonin se shqiptarët dhe grekët kishin origjinë të përbashkët, ishin pasardhës të pellazgëve nga gjuha e nga prejardhja dhe si rrjedhim ishin vëllezër, e arrinin kështu në përfundimin se shqiptarët duhej të shkriheshin jo vetëm nga pikëpamja kulturore, por edhe politikisht në gjirin e “helenizmit”.
Megjithatë, vështirësitë e krijuara nga një propagandë e tillë armiqësore ndaj kombit shqiptar, nuk i penguan Naum Veqilharxhin dhe aktivistët e tjerë të çështjes kombëtare të vijonin rrugën e nisur. Naum Veqilharxhi iu drejtua pasanikëve shqiptarë në Rumani, Vangjel Zhapës nga Labova e Lunxhërisë (Gjirokastër) dhe Apostol Arsaqit nga Hotova e Përmetit, të njohur si dhurues shumash të mëdha për qëllime mirëbërëse në Greqi, që të jepnin përkrahjen e tyre për të shtypur libra shkollorë në gjuhën amtare, të hartuar prej tij dhe për të hapur shkolla shqipe. Por Vangjel Zhapa doli kundër orientimit të pavarur të veprimtarisë arsimore shqiptare.
Kur po zhvillonte një veprimtari të dendur për çështjen shqiptare, Naum Veqilharxhi vdiq (në vitin 1854). Si fajtor për vdekjen e tij shqiptarët akuzuan në radhë të parë Patrikanën e Stambollit, e cila, për të ruajtur “unitetin” e fesë së krishterë që gjoja ishte vënë në rrezik nga veprimtaria e Naum Veqilharxhit, kishte nxitur Portën për të marrë masa kundër tij. Rrugën e veprimtarit të palodhur e vijuan shumë dishepuj, midis të cilëve edhe Thimi Mitkoja nga Korça.
Një rrugë të veçantë filluan të ndiqnin në këto vite disa intelektualë ortodoksë nga Shqipëria e Jugut e në radhë të parë Anastas Byku nga Lekli i Tepelenës (veproi në vitet 1859-1878). Duke u nisur nga bindja se pa përparim kulturor, pa lëvrimin e mësimin e gjuhës amtare populli shqiptar nuk do të kishte mundësi të zinte vendin që i përkiste midis popujve të tjerë, Anastas Byku botoi në vitet 1861-1862 në Lamia të Greqisë gazetën greqisht-shqip “Pellasgos”, kushtuar çështjes shqiptare. Të njëjtit qëllim i shërbente edhe abetarja e vogël me titull “Gramë për shqiptarët” (1861), në të cilën përdorej alfabeti greqisht për shkrimin e shqipes. Më tej Anastas Byku punoi për ngritjen e një rrjeti të gjerë shkollash fillore e të mesme në gjuhën shqipe, për të cilat u përpoq të fitonte përkrahjen financiare edhe të Vangjel Zhapës. Por Anastas Byku, ndonëse ishte për ruajtjen e karakterit të veçantë të popullit shqiptar, u shpreh kundër zhvillimit të tij të pavarur dhe për përfshirjen e tij në gjirin e helenizmit. Rrugën e Anastas Bykut e ndoqi në fillim të veprimtarisë së vet edhe Jani Vretoja nga Postenani i Leskovikut (1822-1900), si dhe Eftim Brandi nga Korça (veproi në vitet 1860-1880).
Mendimi i Anastas Bykut, i cili e vinte lëvizjen shqiptare në vartësi të synimeve të qarqeve panheleniste, u kundërshtua nga veprimtarët e lëvizjes shqiptare, midis tyre nga Thimi Mitkoja. Lufta që zhvillonte Lëvizja Kombëtare Shqiptare në fronte të ndryshme dëshmonte për rritjen e saj ideologjike. Mendimi i rilindësve, i formuar qysh në këtë kohë, në lidhje me rrugën e veçantë historike të popullit shqiptar, u bënte jehonë kërkesave të kryengritjeve popullore kundërosmane për autonominë e Shqipërisë. Me forcimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare filluan të diferencoheshin edhe radhët e rretheve borgjeze “turkomane” e “grekomane”, një pjesë e anëtarëve të të cilave u bashkua me të.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama