Lufta e monumenteve

Lufta e monumenteve

Nëse do të kishte një studim të mirëqenë për fenomenin, atëherë do të ishte e thjeshtë të hidhej dritë për dilemën e shkatërrimit te shqiptarët, por ky mungon, ndërsa histeria për monumentet po bëhet tejet e lodhshme. Kjo, paçka se shumë prej tyre, që kanë mbirë në 50 vitet e fundit të shtetit shqiptar, s’përmbajnë as edhe elementët më elementarë estetikë të justifikonin ekzistencën. Por paradokset s’kanë fund: në Kavajë protestohet për një monument lokal, kurse në mes të Tiranës, vjedhja dhe dëmtimi i Simbolit të Pavarësisë, nuk i bën askujt përshtypje!!!

 

Nëse në një kohë ideale, dy liderëve të sotëm të politikës shqiptare, t’u mbushej mëndja si miq të linin një takim, shumë mirë mund ta bënin tek Monumenti i Pavarësisë në Tiranë. Kryeministrit Edi Rama do t’i duheshin për ta përshkuar distancën për 10 minuta, kurse kolegut të vet Basha, 8 minuta, po me këmbë. Anipse interesi dhe diferenca që i ndan me Monumentin e dëmtuar, kthyer sot në një tualet natyror, s’u bën më fare përshtypje, krahasuar me ndodhitë e provokuara për monumentin estetikisht të rëndomtë lokal në Kavajë, përfshirë në të gjitha mediat e vendit.


Prej gjashtë muajsh, Monumentit të Pavarësisë i janë vjedhur disa nga pllakat dhe paçka denoncimit publik jo vetëm s’është riparuar, por është lënë në mjerim, si pasqyrë e vërtetë e vlerësimit tonë të simboleve. Në fakt, s’po ndodh kështu me monumentin lokal në Kavajë që simbolizonte revoltën e qytetit në agun e demokracisë. E prishur pak ditë më parë, në kuadër të një sistemimi të sheshit, ajo ka ngjallur revoltë dhe akuzë. Dhjetëra kilometra më tutje, në Shkodër, çudia s’njeh asnjë kufij. Brenda pak metrash katror, është një vepër kushtuar Fishtës, tjetra mbrojtjes së Shkodrës, 2 Prillit, një memorial partizanësh, një për hedhjen e Stalinit etj!!!

 

Do të mjaftonte ky shembull, që të kuptoje se çmenduria e vendosjes së monumenteve tek ne është e paimagjinueshme. “Nënë Tereza” e aeroportit, vendosur me bujë, u hoq si pa gjë dhe nuk dihet se ku do të përfundojë. Varret e heronjve të Rilindjes në Gjirokastër kanë qenë të shkatërruara deri kohët e fundit, kurse Heronjtë e Vigut, të zhvendosur pa asnjë logjikë nga vendi i tyre, ruajnë martirët dhe Rilindasit e Veriut nga batërdia e plehrave, që u derdhet pranë.


Shqipëria s’është e vetme në këtë përvojë shkatërrimi. Njësoj në Evropë, historia e prishjes së monumenteve, por edhe e punës shkel e shko ose të shpejtë për ndërtimin e tyre, është intensifikuar pas viteve ’90. “Ende jemi një popull me sindromën e monumenteve, i adhurojmë dhe i ç’adhurojmë, ndodh që t’i ngremë keq dhe t’i zhvendosim më keq apo t’i shembim, tregues dhe i kujtesës tonë kolektive të acaruar dhe të çoroditur, (të pabukur si art dhe të bukur artistikisht për letërsinë)”, shprehet për rastin shqiptar Visar Zhiti.
 


Simbolika e re

 


Studiuesit e huaj bashkohen në një pikë lidhur me tre arsyet kryesore sepse ndodh shkatërrimi i monumenteve në vendet europiane në tranzicion. Arsyet e agresioneve ndaj monumenteve janë politike, fetare, dhe ekonomike, shprehet Rozmeri Basiç, studiuese arti në Universitetin e Oklahoma. Kategoria e parë, sipas saj, ishte dominuese gjatë viteve të para të rënies së Bashkimit Sovjetik, kur heqja e dhunshme përfshiu të gjitha monumentet publike të ish-bllokut lindor. Shqipëria iu përvesh të gjithë statuetave të Enverit dhe punëve të Realizmit Socialist dhe sot, vetëm tek-tuk ndonjëra mund t’i ketë shpëtuar kësaj egërsie të turmës. Me një të tillë energji negative, Polonia dhe Republika Çeke, shkatërruan dhunshëm të gjitha statujat e Leninit e të Stalinit në qytetet e tyre. Arsyeja fetare dukej si më “e arsyetuar”, pasi pas saj shkonte rritja e frikshme e nacionalizmit dhe lufta. Serbia, Bosnja dhe Kosova ishin shembujt realë. Shqipëria s’mbeti pas duke shkatërruar deri traditat më të vyera që i shpëtuan komunizmit.

 

Më parë, objekte të tëra kulti u shkretuan dhe u rrënuan, bashkë me monumentet e ngritura në kohën e mbretërisë. Epilogu i paraluftës ishte hedhja në erë e memorialit të Nënës Mbretëreshë. Nuk janë më monumenti i Heroinave në Mirditë, punë të tjera në Bulqizë, në Tiranë, Gjirokastër etj. Por fqinjët, sidomos në Federatë, kaluan dhe më tej duke i bërë pluhur e hi edhe monumentet e krishtera dhe islame. Arsyeja e tretë e shkatërrimit shkaktohet nga gjendja e përgjithshme e dobët ekonomike e shumicës së popullsisë dhe mungesa e arsimimit që sjell këtë vlerësim për kulturën, sipas studiuesve. Shqipëria e ndjen veten të lokalizuar në tre kushtet dhe kontributi i turmave të saj, drejtuar nga politikanët, për të keqen, s’njohu kufij. Sikur të mos mjaftonte kjo, të dy partitë politike kryesore në përpjekje të ngutshme për t’u shkëputur nga e shkuara menduan edhe për formimin e një simbolike të re, që kulmoi me një sërë monumentesh dhe objektesh monumentalë në vend. Veçse, fatkeqësisht në një frymë me një vetëdije shumë arkaike. Kulmi arriti me konkurset e shpallura me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit, ku ai syresh i shpallur për Monumentin e Pavarësisë nuk kishte fare të llogaritur vendin ku do të ekspozohej, ndërsa koha e realizimit ishte e limituar në maksimum! Varianti, që fitoi konkursin me autorësinë e arkitektëve Kai Kiklas dhe Visar Obrija iu gjend vendi paradoksalisht kur mbaroi puna! Ai u vendos me ngulm në lulishten “Rinia”, në një vend ku janë prerë pemët dhe tejet pa sens.

 

Aqsa edhe vjedhjet e shpeshta, që tash së fundmi i kanë marrë edhe disa pllaka, nuk i bëjnë më përshtypje askënd. Më i pafati mund të quhet Ismail Qemali, ku asnjë nga njerëzit e konkursit nuk mundi të përqaste figurën e tij në formën si e deshi konkursi!! Kjo arsye e bën skulptorin Genc Mulliqi të shprehet se :”Shumë nga veprat e ekspozuara nuk nderojnë dhe vetë artistët. Për fat të keq, shumë nga miqtë tanë janë vetë autorë. Mbase nuk duhej gjithë ai ngut në vitet e fundit për veprat sepse nuk mund të punosh me këtë logjikë, që pa pasur vend, pa ditur veçoritë e mjedisit, ku do të vendoset, të të propozohet një punë. Dhe përfundon kështu”. Megjithatë, në këtë rast, u bë një pakt se Ismaili-fitues u vendos në Muzeun Kombëtar, kurse shtatorja e Ismail Qemalit në muze, e realizuar nga Paskali, u vendos përbri Post-bllok të Ardian Isufit dhe Fatos Lubonjës. Mënyra e vendosjes dhe indiferenca për shtatoren, duket qartë në vendin e palogjikshëm të ekspozimit, ku ai këqyr indiferent nga Lindja. Dhe, me një bazament gati natyral dhe të papërshtatur me vendin, e ke të vështirë t’ia kuptosh ekuilibrin me mjedisin që e rrethon.
 

Reagime


“Prishjen e sotme të monumenteve dhe të gjithë katrahurën, që lidhet me skulpturën e ekspozuar jashtë (out-door) e shoh si fenomen kulturor, që lidhet me anën politike. Një politikë e tillë kaq e egër dhe e pashpirt nuk mund të përcjellë kurrsesi tek populli ndjenja që ata të jenë më të kulturuar por dhe të qetë. Njerëzit bëjnë pak a shumë atë që shohin”, shprehet artisti Ardian Isufi. Një aspekt tjetër të shkatërrimit, ai vëren aspektin social. Dhe, nëse do flasim për heqjen e monumenteve. Si e mendon zhvendosjen e Heronjve të Vigut?-e pyesim. “Sa për Heronjtë e Vigut ka një shfajësim, pasi monumenti është zhvendosur te Varrezat e Dëshmorëve, por s’është llogaritur mirë prej Bashkisë që aty derdhen plehrat. Kjo nuk duhej bërë në asnjë mënyrë dhe unë e shikoj si një cenim të monumentit. Unë vetë jam kundër shkatërrimeve të monumenteve dhe mendoj që e mira është që ato tu gjehen vendet e përshtatshme por jo të prishen…”. Për artistin kjo përbën një sfidë kulturore, që ne duhet t’i mbushim qytetet tona me monumente. Sa më shumë të tilla të kemi aq më shumë të lirë do jenë njerëzit dhe aq më shumë do mësohen të respektojnë të bukurën, sipas tij…

 

...
Fenomeni ndërkohë s’është vetëm shqiptar. Filozofi francez George Bataille kishte një shpjegim tjetër sa i përket lidhjes së njerëzve me monumentet :”Monumentet e mëdha janë ngritur lart si digat, duke iu kundërvënë logjikën e madhështisë dhe autoritetit popujve...Me anë të tyre, kisha dhe shteti flasin dhe imponojnë heshtje të turmave”.   Ndaj, për të, ndërhyrja që bëri turma në Bastijë reflektonte armiqësinë e njerëzve ndaj monumenteve, simbole të zotërinjve, ndaj të cilëve ata po ngriheshin.

 

Përdhosja e dhunshme e monumenteve gjithashtu ka një vend simbolik edhe në historitë e botës post-koloniale. Mendimtari Frantz Fanon shkruante dikur se me shkatërrimin e monumenteve, ëndrrat e klasave të varfra bëhen realitet për të marrë hapësirat nga të cilat ata janë lënë jashtë. Ndaj ata i prishin për të zhdukur këtë vetëdije, që e kanë të rrënjosur.

 

Mbase kjo shpjegon prishjet e tmerrshme që janë bërë vitet e fundit në botë. Kurse në Shqipëri problemi mbetet te ajo frymë për të ndërtuar memorialë të tërë pa sens dhe skulptura patetike, që jo vetëm nuk shërbejnë si simbole por të imponojnë një shikim ndryshe të historisë. Dhe, që në fund detyrohemi t’i prishim pa mëshirë. Ne, qeveritë... koha. Ndoshta këtë mund të kuptonin më mirë dy bashkiakët e fundit të Tiranës, që historia i ka nxjerrë tashmë përballë, për të marrë përsipër fatet e një vendi, që i mëdyshon shpesh simbolet e veta.
 
Sindroma e monumenteve
Visar Zhiti-shkrimtar, Deputet

“Monumentet janë kulturë dhe histori së bashku, kujtesë e bukur e kombit, do të thosha, dhe meritojnë rijetëzimin e tyre në kohë dhe hapësirë.
Kemi pasur heronj që kanë rënë në mbrojtje të monumenteve, por dhe nga ata që kanë djegur statuja mermeri në gëlqere për sarajet e tyre, ndërkaq ndodh që të betonizojmë gjetje arkeologjike për themelet e pallateve groteske sot.

Fitimtarët e mbas Luftës II Botërore, sa erdhën në pushtet, hodhën në erë me dinamit Varrin Monumental të Nënës Mbretëreshë, i ringritur në Demokraci mbas një gjysmë shekulli. Diktatura shtoi me tepri monumentet e veta, aq sa ndodhte që Enver Hoxha të na dilte në tribuna dyfish, i gjallë dhe bust, kurse më pas shtatoren e tij gjigande e zvarritën protestuesit, por pa u bërë dot deenverizimi i vendit.

Shkurt, desha të thosha se ende jemi një popull me sindromën e monumenteve, i adhurojmë dhe i ç’adhurojmë, ndodh që t’i ngremë keq dhe t’i zhvendosim më keq apo t’i shembim, tregues dhe i kujtesës tonë kolektive të acaruar dhe të çoroditur, (të pabukur si art dhe të bukur artistikisht për letërsinë)”.
 
Katrahurën e monumenteve e shoh si fenomen kulturor
Nga Ardian Isufi, artist dhe pedagog

 

“Prishjen e sotme të monumenteve dhe të gjithë katrahurën, që lidhet me skulpturën e ekspozuar jashtë (out-door), e shoh si fenomen kulturor, që lidhet me dy arsye, por që tregon tek e fundit mjerimin dhe zbehtësinë tonë të gjykimit. E para lidhet patjetër me anën politike. Një politikë e tillë kaq e egër dhe e pashpirt, si kjo jona, nuk mund të përcjellë kurrsesi tek populli ndjenja që të jenë më të kulturuara por dhe të qeta. Njerëzit bëjnë pak a shumë atë që shohin.

 

E dyta lidhet me aspektin social dhe kulturor. Atje ku mungojnë monumentet, dhe në hapësirat tona mungojnë shpesh e më shpesh, ka premise më të mëdha që edhe jeta sociale të jetë shumë më e acaruar. Për mendimin tim, sheshet duhet të kenë sa më shumë vepra arti, sepse kjo është e vetmja mënyrë të shkarkohet energjia negative, por nga ana tjetër, bërja e monumenteve që kanë një farë standardi, krijon edhe një lloj identiteti për qytetin dhe bën një simbolikë, e cila shërben jo vetëm për edukatën e mjedisit por edhe për guidat turistike. Ndaj, jam kundër prishjeve të monumenteve dhe më duket e hidhur mënyra sesi po veprohet…Sa për prishjen e monumentit të Kavajës e shikoj si një goditje politike fare të paarsyeshme. Ajo shumë mirë mund të zhvendosej dhe t’i hapej rrugë konceptimit të sheshit sipas logjikës, që kërkon plani urbanistik. Nuk mund të heqësh një simbol për qytetin, paçka si e gjykon sepse ai përbën një lloj identiteti për qytetin…”.
 

Çuditë e monumenteve tona


Në Shkodër brenda pak metrash katror, është një vepër kushtuar Fishtës, tjetra mbrojtjes së Shkodrës nga Riza Pasha, 2 Prillit, një memorial partizanësh, një për hedhjen e Stalinit etj!!! Do të mjaftonte ky shembull, që të kuptoje se çmenduria e vendosjes së monumenteve tek ne është e paimagjinueshme. “Nënë Tereza” e aeroportit, vendosur me bujë, u hoq si pa gjë dhe nuk dihet se ku do të përfundojë. Varret e heronjve të Rilindjes në Gjirokastër kanë qenë të shkatërruara deri kohët e fundit, kurse Heronjtë e Vigut, të zhvendosur pa asnjë logjikë nga vendi i tyre, ruajnë martirët dhe Rilindasit e Veriut nga batërdia e plehrave të Shkodrës, që u derdhet pranë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama