Lubonja Ceshtja Doshi shpertheu sepse politika u prish me krimin

Lubonja: Ceshtja Doshi shpertheu sepse politika u prish me krimin

Historinë tronditëse Doshi- Frroku, që ka përfshirë aktualitetin politik dhe jo vetëm në Shqipëri, Fatos Lubonja e sheh si fillin e një lëmshi ku lidhen politika me krimin. Por që sipas Lubonjës, askush nga aktorët kryesorë në lojë nuk ka interes për ta çmbështjellë. Ai ka dyshimin e fortë se asnjë nga versionet e pretenduara deri tani nuk të bindin dhe diçka fshihet pas tyre. Por ajo që është me e rëndë, madje e tmerrshme, për Fatos Lubonjën në këtë histori ka të bëjë me mbulimin që i është bërë asaj deri tani. "Si është e mundur që nuk është nxjerrë në dritë njëri nga këto dy krime (ose ai i shpifjes nga Doshi- Frroku ose ai i vrasjes së urdhër nga Ilir Meta, shën. i lapsi), duke u hetuar menjëherë sapo që Doshi shkoi gjashtë muaj më parë dhe i tregoi Kryeministrit, edhe ministrit të Brendshëm dhe kryeprokurorit trillimin e tij (sipas njërit variant) apo të vërtetën (sipas variantit tjetër)? Si është e mundur që askush prej tyre nuk ka bërë asgjë për t'i mbërthyer këta shpifës të rrezikshëm ose vrasës edhe më të rrezikshëm për t'i vënë para drejtësisë?", pyet Lubonja në shkrimin e tij sot në Panorama dhe vazhdon. "Ne e morëm vesh gjënë vetëm pas përplasjes brenda PS midis Doshit dhe Ramës dhe përjashtimit politik të këtij nga Grupi Parlamentar socialist.

 

Dhe, ç'është më e pabesueshmja, kjo nuk doli në shesh nga Kryeministri apo ministri i Brendshëm dhe as Prokuroria, por pasi Doshi vetë e bëri publike shpifjen e tij (sipas njërit variant) ose të vërtetën (sipas variantit tjetër). Me një fjalë, gjithçka doli në shesh jo pse politika kërkonte të ndahej nga krimi, por kur krimi sipas njërit variant u prish me politikën ose, sipas variantit tjetër, kur deputeti u ndje i pambrojtur nga krimi me emrin Meta brenda politikës", shkruan Lubonja. Pasi parashtron këto fakte, ai u kthehet përsëri pikëpyetjeve të veta. "Me fjalë të tjera, nëse besojmë variantin e shpifjes, pyetja që lind është: si ka mundësi që ata kanë vazhduar ta mbajnë Doshin brenda gjirit të tyre, pa e hetuar? Si ka mundësi që nuk kanë menduar as edhe një çast se nëse këta deputetë kanë bërë një krim të tillë, rrezikshmëria e tyre është shumë- shumë e lartë dhe detyra e institucioneve, e tyrja pra, më së pari, është të na mbrojnë nga njerëz të tillë kaq të rrezikshëm dhe jo t'i promovojnë ata në krye të vendit... E njëjta gjë shtrohet edhe për Ilir Metën, nëse ajo që thotë Doshi është e vërtetë", shkruan Lubonja, pikëpyetjet e të cilit i shtron këto ditë edhe pjesa më e madhe e publikut që ende nuk ka një shpjegim të besueshëm për këtë histori të rëndë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama