Lu Gjuha Shqipe me e bukura!

Lu: Gjuha Shqipe me e bukura!

Ambasadori amerikan Donald Lu, e cilëson gjuhën shqipe si më të vështirën dhe më të bukurën. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", diplomati amerikan, i cili deklaroi se zotëron 8 gjuhë të huaja, përzgjodhi si më të bukurën gjuhën shqipe.

Pyetjes se përse ai ka zgjedhur të flasë shqip edhe kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, duke marrë përsipër riskun e keqkuptimit, Lu iu përgjigj duke sjellë në kujtesë atë çka i kishte thënë ish ambasadori i parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

“Përpiqem të përdor çdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë diçka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura,” tha Lu.

Po ashtu ambasadori amerikan e përshkruajti vitin e tij të parë në Shqipëri, si një eksperiencë të jashtëzakonshme, duke shpresuar se 2016 do të sjellë ndryshime pozitive në jetët e gjithsecilit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama