Lojtari i vitit Kristiano Ronaldo Terhiqem pas te 41-ave

Lojtari i vitit, Kristiano Ronaldo: Tërhiqem pas të 41-ave

Kristiano Ronaldo! Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Kampioni portugez është shpallur "Lojtari më i mirë i vitit" në kontinentin e vjetër, sepse pas Champions-it të fituar me Realin e Madridit dhe Europianit me Portugalinë, ky vlerësim ishte automatik për 31-vjeçarin.

ronaldo

Ishte e trishtueshme teksa shihje përkrah tij Antuan Grizmanin, rivali i tij në Champions dhe Europian, i cili duhej të dorëzohej edhe në këtë "betejë" të tretë radhazi përballë luzitanit.

"E them për të disatën herë se ky vit ka qenë i paharrueshëm për mua, mahnitës, për klubin dhe kombëtaren time, në nivel kolektiv dhe individual.

Prandaj ky çmim si lojtari i vitit në Europë merr edhe më shumë vlera për mua, ndonëse nuk mund të mos falënderoj shokët e mi të Realit dhe të Portugalisë për këtë shpërblim që më është bërë sot (dje), - nënvizon "CR7" pas përfundimit të ceremonisë.

ronaldo1

- Objektivat e mi të radhës? Pikësëpari është të ruaj të njëjtin nivel, të vazhdoj të nderoj fanellën e Realit të Madridit me golat dhe asistet e mia. Dua të udhëheq ekipin që të fitojë kampionatin, Kupën e Mbretit, një tjetër Champions, por në të njëjtën kohë të kualifikoj kombëtaren dhe të shkoj me Portugalinë në Botëror.

Champions-i apo Europiani? Liga Kampionesh kam fituar tre në karrierën time dhe emocioni që të dhuron ky turne është i madh, por ajo që ndjeva pas suksesit me Portugalinë ishte e papërshkrueshme, speciale, sepse fundja bëmë diçka historike, duke qenë se kombëtarja nuk kishte fituar asnjë trofe të tillë."

Kjo formë dhe kjo energji që duket se nuk i shteron kurrë Ronaldos ka bërë që presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, t'i ofrojë rinovimin e kontratës, diçka që lojtari nuk e refuzon.

ronaldo2

"Kjo është edhe dëshira ime. Dua të rinovoj me Realin, sepse fundja jam në klubin më të fortë në botë dhe dua ta mbyll këtu karrierën time, pse jo pas moshës 41-vjeçare.

Stimujt që më mbajnë në formë? Motivoj veten duke menduar se kam ende për t'u përmirësuar, por mbi të gjitha duke mos parë të tjerët. Dua të jem gjithmonë më i fortë sesa një vit më parë dhe kjo më shtyn që të luftoj në stërvitje dhe në fushë", përfundoi Kristiano Ronaldo.

JETON STAMOLLA



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama