Lindjet me operacion tendence apo nevoje…

Lindjet me operacion, tendence apo nevoje…
Lindje normale apo lindje me operacion? Nëse kjo është dilema që mundon shumë nëna, specialistët theksojnë se lindja normale është shumë herë më e mirë, ndërsa lindjet me operacion janë zgjidhja për komplikacionet që mund të ketë nëna ose fëmija.

Edhe pse në ditët e sotme lindja me operacion është bërë tepër e përhapur krahasuar me kohën para viteve ‘90 dhe në disa klinika ajo i kalon 30% të lindjeve, për specialistët 15% e rasteve është normale që të ndodhë. Megjithatë, tek e fundit, mbetet gjithnjë një operacion. “Nëse një femër është në gjendje të lindë në mënyrë normale, dhe jo me operacion, nga vetë fjala normale sigurisht që është një mënyrë më e mirë. Megjithatë, edhe lindjet me operacion në raste të nevojshme nuk janë problematike”, pohon gjinekologia pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Vjollca Tare.

Sa i takon faktit se numri i lindjeve me operacion po shtohet gjithnjë vitet e fundit, doktoresha dha disa argumente. Sipas saj, para viteve ’90 nuk ishin kushtet e ditëve të sotme për të realizuar një operacion, aq më tepër narkoza nuk ishte si sot dhe në këtë mënyrë lindja me operacion shmangej shumë. “Në momentin që gjykohet se mund të rrezikohet shëndeti i nënës, por edhe i fëmijës, atëherë vendoset që lindja të bëhet me operacion. Duhet të dini se ditë qëndrimi i femrave që bëjnë lindje normale dhe atyre që bëjnë lindje me operacion është i njëjtë ndaj dhe ky është një tregues që nuk kemi të bëjmë me ndonjë situatë problematike të lindjeve me operacion”, pohon Vjollca Tare duke shpjeguar se pranë maternitetit ku punon ekziston një komision i cili bën vlerësimin e shtatzanisë nëse duhet të bëhet lindja me operacion ose nëse bëhet lindje normale, përjashto rastet urgjente të cilat dërgohen direkt në sallën e lindjes pa dalë në komision.

Ndërkohë edhe drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni” flet rreth tendencës së lindjeve me operacion apo cezariane siç thuhet ndryshe. Rreth 30% e lindjeve që shënohen në këtë maternitet sipas saj kryhen nëpërmjet operacioneve. Kjo është një tendencë gjithnjë e në rritje, thotë drejtuesja e këtij institucioni, Rubena Moisiu, pasi operacionet janë më të shpejta dhe nënat mund ta lënë spitalin edhe pas 48 orësh.

”Konstatoj që ka ardhur në rritje kërkesa e nënave për të lindur me operacion. Aktualisht mund të them që pothuajse 30% e grave që lindin në këtë institucion lindin me operacion. 30% nuk është pak. Është 1/3 ose 1200 të bëra me operacion”, tha Moisiu. Por operacionet sa të shpejta dhe me pak dhimbje mund të jenë, aq dhe problematike janë për nënat në lindjen e fëmijës së dytë e më pas. “Operacionet, – thotë drejtoresha, – kanë risqet e tyre. Në radhë të parë shton mundësinë për të bërë infeksione pas lindjes, infeksione të periudhës së lehonisë. Shton mundësinë për të bërë aksidente të vazave të gjakut, siç janë tromboflebitë, trombozat etj., dhe më pas në qoftëse do të bëjë një fëmijë të tretë, rreziku është edhe më i madh, qoftë dhe me intervent, sepse në këto raste rrezikon shumë nëna për çarje të mitrës” tha Moisiu.

Kostot e lindjeve me operacion

Nëse do të flasim për në sistemin shtetëror, operacioni për lindjet është falas por të gjithë e dinë se mjekut dhe stafit të tij i japin diçka. Në fakt, pagesat nën dorë në këtë sistem variojnë nga 10 mijë lekët të reja deri në 20 mijë lekë të reja. E nëse pyesim për në spitalet private, kjo shifër është shumë herë më e lartë dhe e papërballueshme për shumë nëna. Shifrat në spitalet private për lindjet me operacion variojnë nga 800 deri në 1000 euro. Por kostoja e një lindje me operacion nuk mbaron këtu, sepse pas operacionit nëna do sërish kujdes shëndetësor, e cila fillon me heqjen e penjve pas disa ditësh, mënyrën e ushqyerjes, e cila duhet të jetë më e përzgjedhur.

Lindjet me operacion, shkaqet dhe komplikacionet

Në varësi të rasteve lindja me operacion mund të jetë e parashikuar që më parë ose mund të ndodhë që të ndërmerret menjëherë në momentin e lindjes kur është e nevojshme. Specialistët shpjegojnë se shumë nëna që i janë nënshtruar lindjes me operacion në momentin e fundit, sepse ka qenë e nevojshme, thonë se janë privuar nga mundësia për të “lindur”. Në të shkuarën, kjo praktikë, ndryshe nga sot, që është bërë më e shpeshtë, është përdorur vetëm në raste emergjente, kur lindjet natyrale shfaqnin rrezik për jetën e nënës dhe të fëmijës. Shkaqet e lindjes me operacion ndodhin vetëm në rastet kur lindja natyrale bëhet e pamundur. Të tilla raste, po sipas specialistëve, janë kur fundi i barkut të nënës është tepër i ngushtë dhe nuk mundëson daljen e foshnjës apo kur fëmija është i shëndoshë dhe nuk mund të kalojë normalisht për të dalë jashtë. Raste të tjera varen dhe nga pozicioni i fëmijës, siç ndodh kur rezulton se fëmija në momentin e lindjes është në një pozicion të papërshtatshëm për të lindur në mënyrë natyrale.

Në raste të tjera ndodh ndonjë pengesë që ndalon daljen e fëmijës, për shembull, kordoni ombelikal, një cist në trupin e nënës, një keqformim i placentës etj. Në disa raste duhet të ndërpresë shtatzëninë për shkak të disa komplikimeve gjatë periudhës së shtatzënisë. Nevoja për të ndërprerë shtatzëninë përpara përfundimit të saj me anë të operacionit ndodh për arsye shëndetësore të fëmijës apo të nënës. Të tilla raste mund të jenë kur specialistët vënë re sëmundje të fëmijës (diabet, tosiemi ose vonesa në rritjen e tij), kur nëna ka hemorragji, kur ka lindje binjakësh me probleme apo kur nëna vuan nga ndonjë sëmundje etj.

Por nga ana tjetër specialistët shpjegojnë edhe disa nga komplikacionet që sjellin lindjet me operacion. Komplikimet e paslindjes me operacion përsa u përket infeksioneve janë trefish më të mëdha se lindja natyrale. Prandaj edhe mjekët u japin të gjitha nënave disa këshilla dhe duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të tyre. Pas këtij operacioni nëna mbahet në kontroll në sallën përkatëse. Pas këtij operacioni nëna mbahet nën kontroll në sallën përkatëse. Shpesh lodhja në lindjet me operacion është më e madhe se ajo e lindjeve natyrale. Fillimi i procesit të ushqyerit shpesh sjell dhimbje që kërkojnë një ushqim special.

Plaga e operacionit mund të dhembë edhe me pas edhe pse shenja nuk është më e dukshme për shkak të qimeve pubike. Plaga merr pamjen e saj definitive pas  rreth tetë muajsh, por nuk duhet të ekspozohet në diell të paktën për një vit. Në raport me fëmijën në këtë rast qumështi i nënës ndodh që mund të vijë më vonë për shkak të lodhjes së nënës nga operacioni. Më pas kurat që ndërmerren për nënën dhe fëmijën pas lindjes me operacion mund të keqinterpretohen nga të dyja palët për shkak të ndarjes që u shkaktohet. Rikthimi në shtëpi bëhet zakonish pas një jave dhe rikthimi në jetën normale duhet të jetë progresiv dhe me e ngadaltë se një lindje natyrale, por zakonisht pasi kalon një muaj lindja me operacion për nënat do të jetë thjesht një kujtim.

Një grua vdes çdo minutë nga lindja

Çdo tetë minuta në të gjithë planetin, një grua vdes për shkak të ndërlikimeve nga abortet e realizuara në kushte të pasigurta. Ndërkohë një grua vdes çdo minutë për probleme shtatzënie dhe 110 nga ndërlikimet e lindjes. Problematike mbeten vendet jugore të botës dhe problemet e hasura te gratë atje janë plotësisht të evitueshme. Vendet më të fuqishme të botës, duhet të shqetësohen për planifikimin familjar, mbrojtjen e shëndetit nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përndryshe kostoja ekonomike për të përballuar pasojat do të jetë shumë e madhe dhe gjendja në vitet në vazhdim do të jetë jashtë kontrollit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama