Lindja e borgjezise agrare

Tërheqja e tokës në sferën e qarkullimit të mallrave, lidhja e prodhimit bujqësor të çifligut me tregun, pjesëmarrja e çifligarëve në veprimet tregtare dhe aspirata e tyre për investime në fushën e industrisë i futi pronarët çifligarë në rrugën e borgjezimit.
Shprehja më e thjeshtë e borgjezimit të pronarëve feudalë ishte prirja që pushtoi çifligarët për të përqendruar në duart e tyre së bashku me tokën edhe veglat kryesore të punës. Përqendrimi i qeve, i farës e i banesës së bujkut në duart e çifligarit ishte një lloj investimi që pronari i tokës bënte në fushën e prodhimit, të cilin nuk e njihte rendi feudal. Si rrjedhim, përballë bujkut që zotëronte vetëm krahët e punës, qëndronte çifligari si zotërues i tokës, i mjetit kryesor të prodhimit dhe i veglave kryesore të punës, që e bënin atë të afërt me një pronar kapitalist.
Borgjezimi i pronarëve çifligarë u shpreh edhe në forma më të përparuara. Me qëllim që të rritnin të ardhurat nga të tretat ose nga qesimi, disa bejlerë çifligarë filluan të nxitnin përdorimin nga fshatarët çifçinj të një teknike më të përparuar në bujqësi. Interesimi për farë dhe për fidanë më të mirë filloi, me sa dihet, qysh në vitet 40. Në vitet 60 Kahreman bej Vrioni solli nga jashtë jo vetëm farë të zgjedhur, por edhe plugje të hekurta, kurse nipi i tij, Azis pashë Vrioni, u përpoq të përhapte gjerësisht në çifligjet e veta kulturën e orizit e të duhanit. Po këto nisma mbetën në mes të rrugës. Shfrytëzimi i bujqve ishte aq i egër, sa varfëria e thellë, në të cilën ata ishin zhytur, nuk u jepte asnjë mundësi për ta çuar ekonominë e tyre sadopak përpara. Për këtë arsye deri në fund të sundimit osman përdorimi i plugut të hekurt mbeti shumë i kufizuar dhe rendimentet në bujqësi tepër të ulëta.
Lakmia për të siguruar fitime sa më të mëdha nxiti edhe te bejlerët prirjet për të kaluar në qeverisjen e drejtpërdrejtë të pronave të tyre. Duke zgjedhur tokën më të mirë të çifligjeve, bejlerët shpërngulën në toka të tjera bujq çifçinj dhe i zëvendësuan me familje bujqish argatë, të cilët nuk kishin as ekonomi individuale, as kafshë pune, as shtëpi banimi. Ata punonin si mëditës të thjeshtë në tokën e pronarit çifligar me veglat e punës të pronarit dhe nën varësinë e tij ekonomike. Lindën kështu mbi truallin e pronësisë çifligare fermat bujqësore me elementet e marrëdhënieve kapitaliste.
Të tilla ferma bujqësore u dukën gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX pothuajse kudo ku kishte latifunde çifligare. Madje, në ndonjë rast pronarët e tyre bënë përpjekje të mëtejshme për t’i kthyer ato në ferma bujqësore moderne. Qysh në vitet 80 Syrja bej Vlora pruri në fermën e vet, që organizoi në Skroftinë (Vlorë), disa bujq arbëreshë nga Italia për të përhapur kulturën e patates dhe pak më vonë një grup teknikësh hungarezë për të administruar me sistemin borgjez të qeverisjes tokat e tre çifligjeve (Frakull, Çerven, Ferras, gjithsej 1 600 ha). Por në kushtet e regjimit anakronik osman, të prapambetjes së theksuar të vendit, të mungesës së plotë të rrugëve dhe të prirjes së bejlerëve pronarë për të siguruar fitime sa më të mëdha me investime sa më të pakëta, as fermat bujqësore nuk u zhvilluan më tej. Në të tilla rrethana bejlerët pronarë parapëlqyen t’i depozitonin kapitalet e tyre monetare nëpër bankat e huaja dhe të vijonin t’i administronin çifligjet, si edhe më parë, pa bërë investime me peshë. Kështu, për shembull, më 1912, në çifligun e Mifolit (Vlorë), pronë e Xhemil bej Vlorës, nga 21 familje bujqish vetëm 2 qenë familje argatësh; në çifligun Rreth (Durrës), pronë e Esat pashë Toptanit, nga 48 familje bujqësh vetëm 5 qenë familje argatësh etj. Madje disa bejlerë pronarë nuk merreshin fare me qeverisjen e drejtpërdrejtë të çifligjeve të tyre. Si rrjedhim, qeverisja e drejtpërdrejtë kapitaliste e çifligjeve nga bejlerët pronarë u frenua menjëherë, sapo filloi të duket në truallin e Shqipërisë. Pavarësisht nga kjo, pronarët çifligarë filluan të humbisnin dalëngadalë fizionominë e mëparshme që kishin si pronarë feudalë dhe të përvetësonin, ndonëse me vështirësi, tiparet e një borgjezie çifligare, të lidhur me metodat e vjetra të shfrytëzimit të fshatarëve bujq.
Në të njëjtën kohë, diferencimi ekonomik që veproi pas mesit të shek. XIX në gjirin e çifligjeve, krijoi mundësinë që punën e çifçinjve të kthyer në argatë ta shfrytëzonin edhe fshatarët bujq, të cilët për hir të rrethanave të veçanta kishin një ekonomi individuale më të konsoliduar. Këto familje të veçuara bujqish filluan të merrnin me qira nga çifligari toka të tepërta për t’i punuar pjesërisht me anëtarët e familjes dhe pjesërisht me bujqit argatë. Më 1912 kjo dukuri vërehet në shumë çifligje, për të cilat ka njoftime deri diku të hollësishme. Sipas të dhënave të këtij viti, disa bujq kishin deri 3 nganjëherë edhe më shumë argatë të përhershëm të pajtuar me rrogë vjetore, përveç argatëve stinorë, të cilët i pajtonin me pagë ditore gjatë periudhës së mbjelljeve e të korrjeve. Edhe pse nuk ishin pronarë të tokës që qeverisnin, ata pushuan së qeni fshatarë çifçinj, përderisa përdornin në ekonominë e tyre individuale punën e të tjerëve dhe siguronin nga puna e tyre të ardhura të mëdha. Si të tillë këta qiramarrës të thjeshtë përvetësuan dalëngadalë tiparet e fermerit bujk.
I njëjti proces ndodhi gjatë kësaj kohe edhe në radhët e fshatarësisë pronare. Tokat që shitën fshatarët e vegjël të rrënuar ekonomikisht nuk ranë të gjitha në duart e bejlerëve çifligarë. Pjesërisht ato u blenë nga elementë të veçuar që dolën prej radhëve të fshatarëve, të cilët u kthyen në pronarë të pasur. Kështu, nga procesi i diferencimit ekonomik që pushtoi vendin pas viteve 40 të shek. XIX, numri i fshatarëve të pasur pothuajse u pesëfishua. Në fillim tokat e tepërta ata ua jepnin me qira fshatarëve bujq ose fshatarëve - paraqendarë, duke u kthyer në çifligarë të vegjël. Por me kohë disa fshatarë të pasur filluan të praktikonin në tokat e tyre punën e argatëve të përhershëm a stinorë. Kështu, në periudhën e fundit të sundimit osman, krahas qiramarrësve lindën në fshatin shqiptar, si rrjedhim i zhvillimit të ekonomisë së tregut në bujqësi, edhe fshatarët e pasur.
Fshatarët e pasur dhe fermerët bujq së bashku me pronarët çifligarë të fermave ishin kategori të reja shoqërore, të cilat fshati shqiptar nuk i njihte më parë. Ato lindën në kushtet e shthurjes së mëtejshme të ekonomisë feudale dhe të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë monetare. Por, nga ana tjetër, ato lindën në kushtet e varfërisë dhe të prapambetjes së thellë, ku e kishte lënë vendin sundimi i gjatë osman. Për këtë arsye pronarët e fermave, fermerët bujq dhe fshatarët e pasur mbetën të vjeguar pas formave të prapambetura të qeverisjes bujqësore dhe nuk patën asnjë nxitje për të përvetësuar metodat e teknikën e përparuar të ekonomisë kapitaliste. Megjithatë ata përbënin borgjezinë agrare, sepse tipari i tyre themelor ishte përdorimi i punës së fshatarëve argatë, të cilët në këtë periudhë përfaqësonin mëditësit e fshatit.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama