Lindita Kodra e 40-ta ne Olimpiade

Lindita Kodra, e 40-ta në Olimpiadë
Pas dërgimin me postë të vidave nga Tirana në Pekin, është bërë e mundur sjellja në gjendjen normale të armës me të cilën ka konkurruar dje qitësja Lindita Kodra. Për të kaluar në garën zyrtare të 10 metrave pistoletë ajri, Lindita Kodra iu nënshtrua më 9 gusht një testi para garës. Testi kaloi me sukses dhe ajo arriti të hynte në garën zyrtare, pavarësisht se nuk mundi të jepte maksimumin e saj, ose të arrinte objektivin që i kishte vënë vetes në këtë garë.

Konkurrimin e ka nisur bashkë me 44 sportistet e tjera në këtë garë, ku Kodra në qitjen e parë ka kapur 92 pikë, në të dytën dhe të tretën 93 pikë dhe në qitjen e fundit 92 pikë. Në total Kodra grumbulloi 370 pikë, duke u klasifikuar në vendin e 40-të. Por duhet thënë se nga vendi i 39-të deri në vendin e 41-të qitëset në total kanë grumbulluar pikë të barabarta, por klasifikimi bëhet në bazë të pikëve të shënuara në gjuajtjen e parë. Objektivi zyrtar që Lindita Kodra kishte në garën e 10 metrave pistoletë ajri ishte arritja në kuotën e 382 pikëve dhe klasifikimi në vendin e 15-20.

Nëse Kodra do kishte arritur kuotën e 382 pikëve, pa dyshim që ky rezultat do ta rendiste në 10-15 vendet e para. Në garën e qitjes me pistoletë ajri në largësinë 10 metra është shënuar edhe një rekord i ri olimpik. Rusja Natalia Paderini, fituese e medaljes së artë, ka thyer rekordin me 391 pikë, nga 390 që ishte rekordi i mëparshëm, i mbajtur po nga rusja Marina Logvinenko.

Medalja e argjendtë në këtë disiplinë shkoi për kinezen Guo Ëenjun me 390 pikë dhe medalja e bronzit për mongolezen Mankzul Tsogbadrah me 387 pikë. Gara e ardhshme e qitëses Lindita Kodra zhvillohet më 13 gusht, në disiplinën e 25 metrave pistoletë sportive në orën 9.00 me orën lokale të Pekinit. Kjo është disiplina ku Lindita Kodra pretendon një rezultat pozitiv në Lojërat Olimpike. Objektivi i deklaruar prej saj në këtë garë është grumbullimi i 580-583 pikëve dhe klasifikimi nga 8-10 vendet e para. Në këtë disiplinë Lindita Kodra mban dhe titullin Kampione e Europës.

Aida Tuci
Nga : Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama