Ligji i ri per Arsimin e Larte Nikolla Universitetet te pavarura

Ligji i ri per Arsimin e Larte, Nikolla: Universitetet te pavarura

Ligji i ri për Arsimin e Lartë , i cili ka në thelb financimin e performancës, u miratua sot nga qeveria shqiptare. Projektligji ishte propozuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe sjell një sërë ndryshimesh.

Në një deklaratë për mediat ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, theksoi se ky ligj vlerëson mundimin e studentëve dhe prindërve.

“Ligji për Arsimin e Lartë, sjell një mori ndryshimesh, ku në thelb është cilësia e Arsimit të Lartë, pasi ne nuk bëjmë kompromis me cilësinë. Ky ligj është për studentët shqiptarë. Ky ligj rrit besimin e prindërve se koha dhe financat e tyre shpërblehen. Sot, ministria, universitetet, profesorati, si dhe agjencitë e tjera të arsimit, janë mjete në funksion të këtij qëllimi, pra arsimit cilësor”, deklaroi Nikolla.

Ministrja nënvizoi se ligji i ri ndryshon skemën e financimit, duke futur konceptin modern të financimit në bazë të performancës. “Kjo, pasi taksat e shqiptarëve duhet të prodhojnë maksimumin e vlerës. Dhe skema moderne që ofron ligji i ri, duhet të stimuloj një Arsim të Lartë më cilësor, duke rritur kërkimet shkencore, marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për rrjedhojë, një arsim të denjë dhe mjaft cilësor për të rinjtë e të rejat. Kjo skemë krijon mundësi për bursa për studentët me rezultatet ekselence, apo studentët që zgjedhin degë me prioritet kombëtare”, tha ministrja e Arsimit.

Nikolla tha se ligji i ri vjen edhe në ndihmë të optimizimit të financave publike. Sipas saj, në këtë mënyrë do të optimizohet financimi publik për ata që kanë më shumë nevojë, duke gjeneruar ekselencën dhe të mirën publike. “Universitetet do të kenë autonomin më të lartë, duke ndërtuar ato vetë stafin akademik, duke i dhënë vetë atyre mundësinë të zgjedhin studentët, numrin e studentëve…etj”, tha Nikolla.

“Ky ligj mbështet senatin dhe rrit standardizimin e aktorëve të arsimit të lartë. Ligji i ri do të rrisë cilësinë e pedagogëve, do të rris standardet e mësimdhënies, duke ofruar konkurrencë të denjë për Arsimin e Lartë”, tha ajo.

Nikolla tha se ky ligj nuk dërgon para publike në institucionet private, por e kundërta shtyn privatin të financojë në sektorin publik.

Ministrja e Arsimit bëri të ditur se ky ligj përmbyll një fazë të rëndësishme të reformës në arsim, por ajo përfundoi se ende rrugë për të bërë deri në fund kësaj reforme rrënjësore, që të kujtohet si një pikë kthese e arsimit shqiptar.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama