Lidhjet e Shqiperise me shtetet italiane

Lufta e popujve të Evropës Juglindore, në ballë të së cilës qëndronin shqiptarët, pengoi vërshimin osman në drejtim të Evropës Qendrore e Perëndimore dhe mbrojti kështu zhvillimin ekonomik, shoqëror, politik e kulturor të këtyre vendeve. Për këtë rol të luftës së shqiptarëve, si pengesë e fuqishme për kalimin e osmanëve në Evropën Perëndimore, ishte plotësisht i ndërgjegjshëm edhe vetë Skënderbeu. Më 1460 ai i shkruante një princi italian: "në qoftë se unë do të thyhesha, me siguri Italia do ta ndiente dhe si rrjedhim, ai zotërim që ju thoni se është juaji do të ishte i turqve".
I nisur nga kuptimi realist se rreziku ishte i përbashkët, si për vendet e Evropës Juglindore, të kërcënuara drejtpërdrejt nga pushtimi osman, ashtu edhe nga vendet e tjera evropiane, dhe duke vlerësuar drejt rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, Skënderbeu u kushtoi vëmendje marrëdhënieve me vendet që ende nuk ishin rrezikuar drejtpërdrejt nga osmanët. Vëmendje të veçantë u kushtoi Skënderbeu marrëdhënieve të tij me Venedikun, Papatin, Napolin etj., si për afërsinë e këtyre shteteve me tokat shqiptare, ashtu dhe për interesat e synimet që këto vende kishin në drejtim të Ballkanit.
Duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë të krijuar në vendet që ishin në luftë me osmanët, Republika e Venedikut shtiu në dorë një sërë qytetesh e krahinash në Ballkan, nga të cilat siguronte të ardhura të rëndësishme dhe kushte të favorshme për zhvillimin e tregtisë në tërë pellgun e Mesdheut e më gjerë. Ajo përdori rrugë e mjete të ndryshme për ruajtjen dhe për forcimin e pozitave të veta në këto rajone, prandaj herë pas here nënshkruante traktate paqeje me sulltanët osmanë (si më 1419, 1430, 1446, 1451, 1454), duke u dhënë atyre tribut të përvitshëm, për të siguruar paprekshmërinë e zotërimeve të veta në Ballkan, duke përfshirë edhe ato që kishte në tokat shqiptare. Më vonë, sidomos gjatë viteve 60, kur u dëmtuan rëndë zotërimet e interesat tregtarë të Republikës së Venedikut nga pushtimet osmane në Peloponez, qe vendosur një afrim e bashkëpunim më i madh ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut. Shprehje e këtij afrimi është edhe dhënia e titullit "fisnik venecian", më 1463, prej dukës Kristofor More, djalit të Skënderbeut, Gjonit, i cili ende ishte fëmijë.
Papati u përpoq aktivisht të ruante pozitat e besimit kristian në Ballkan që po dëmtoheshin rëndë prej pushtuesve osmanë, bartës të një besimi fetar tjetër. Veprimtarinë shpirtërore e politike të Papatit në drejtim të Ballkanit e lehtësoi Koncili XVII ekumenik, i mbajtur në fund të viteve 30 të shek. XV, në Ferrarë, ku u vendos bashkimi i të dy kishave kristiane nën drejtimin e Papës.
Në Shqipëri mungonte një kishë kombëtare, që predikimi të bëhej në gjuhën shqipe. Në Shqipërinë e Epërme dhe Qendrore ushtronin veprimtarinë e tyre kishat katolike, ku meshohej latinisht, dhe kishat ortodokse të ritit sllav dhe, në një hapësirë më të kufizuar, ato bizantine. Kurse në Shqipërinë e Poshtme ushtronin veprimtarinë e tyre kishat bizantine, në të cilat meshohej greqisht. Gjuha që përdorej në kishat e Shqipërisë ishte e pakuptueshme për banorët vendas, prandaj në përgjithësi pozitat e besimit fetar ishin të dobëta dhe për këtë Barleci, që vetë ishte prift katolik, shkruante se "shqiptarët janë më tepër luftëtarë sesa fetarë". Mungesa e shërbimit fetar ishte aq e theksuar në Shqipëri sa që në Krujë, vihej në dukje më 1453, nuk kishte "as prift dhe as diakon katolik". Në këto rrethana një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Skënderbeut, peshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, shkroi në gjuhën shqipe më 8 nëntor të vitit 1462 formulën e pagëzimit, që prindërit t'i pagëzonin vetë fëmijët e tyre.
Në kushte të tilla të pafavorshme të veprimtarisë fetare në Shqipëri, bashkimi politik i shqiptarëve nga Skënderbeu vlerësohej pozitivisht prej Papatit, si një proces që fuqizonte frontin e luftës antiosmane dhe lehtësonte shërbimin fetar e përhapjen e katolicizmit. Papët e vlerësuan shumë luftën antiosmane të shqiptarëve, e mbështetën moralisht, e propaganduan gjerësisht atë, i dhanë Skënderbeut titujt Mbrojtës i krishterimit dhe Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë. Papët kërcënuan me shkishërim çdo prirje separatiste e afrimi me osmanët, që u shfaq te disa fisnikë shqiptarë, si te Dukagjinët në vitin 1452 etj. Nuk mungoi përkrahja financiare e Papatit për luftën shqiptare, sidomos në vitet 60, por gjithsesi ajo qe larg kërkesave të mëdha për mbajtjen në këmbë të qëndresës së shqiptarëve. Vend qendror dhe rol të veçantë i dhanë papët rolit të ushtrisë së Skënderbeut në projektet e tyre për organizimin e një lufte të përbashkët në shkallë evropiane për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, që ata e propagandonin si një kryqëzatë fetare.
Skënderbeu u përpoq që vendet e tjera të merrnin pjesë aktive në luftën antiosmane, të siguronte përkrahje e ndihmë ushtarake e materiale për luftën e popullit të tij. Për këtë qëllim ai i kërkoi Republikës së Venedikut më 1451 të vendoste në Krujë një garnizon ushtarak për ta përfshirë atë në luftën antiosmane. Kjo kërkesë në atë kohë ishte në kundërshtim me politikën veneciane, prandaj Senati e hodhi poshtë atë.
Në këtë drejtim disa përfundime pozitive arriti Skënderbeu në marrëdhëniet e tij me mbretin e Napolit, Alfonsin V. Ky mendonte se duke u dhënë shqiptarëve e ballkanasve të tjerë një përkrahje të vogël ushtarake e materiale, do të dëboheshin osmanët nga Ballkani dhe nën kurorën e tij mund të krijohej një shtet i madh mesdhetar. Për këtë qëllim, në fillim të viteve 50 Alfonsi V lidhi një numër traktatesh me përfaqësuesit e disa zotërve shqiptarë dhe të viseve të tjera të Ballkanit. Në bazë të këtyre ai zotohej se do të dërgonte ushtarë që të luftonin për çlirimin e viseve të Ballkanit, me kusht që, pas çlirimit të tyre, si kryezot të njihej Alfonsi V, kurse fisnikët vendas do të qeverisnin në to si vasalë të tij.
Në zbatim të traktateve të nënshkruara gjatë vitit 1451, Alfonsi V dërgoi në Krujë një garnizon të vogël ushtarak dhe në vitin 1455 disa qindra ushtarë për çlirimin e viseve shqiptare që ishin nën pushtimin osman. Trupat napolitane u vunë nën urdhrat e Skënderbeut, i cili ishte komandant i përgjithshëm i tyre dhe zot i qytetit të Krujës. Pas betejës së Beratit të vitit 1455, i informuar mirë për vështirësitë e mëdha që kishte zhvillimi i luftës kundër ushtrive osmane, Alfonsi V hoqi dorë nga synimet e tij në drejtim të Lindjes dhe tërhoqi nga Shqipëria ushtarët dhe përfaqësuesit e vet. Meqenëse me ndihmën e trupave napolitane nuk u çlirua asnjë zonë e Shqipërisë, Skënderbeu nuk bëri ndonjë homazh ndaj tij, siç e parashikonte traktati i vitit 1451. Skënderbeu dhe Alfonsi V qëndruan deri në fund aleatë. Pas vdekjes së Alfonsit V, në vitin 1458, i biri, Ferranti I, hoqi dorë plotësisht nga ideja për t'u shtrirë në drejtim të Ballkanit dhe për rrjedhim marrëdhëniet e Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë përkohësisht u dobësuan.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama