Lamtumire studenteve qe perloten Shqiperine

Lamtumire studenteve qe perloten Shqiperine
22 maji ishte një ditë që peshoi shumë në Elbasan. Një hidhërim që këpuste thellë në shpirt. Trupat e pajetë të studenteve kanë arritur pranë familjeve në orët e para të mëngjesit. Ndërkaq komisioni ka vendosur që të organizojë homazhet në hollin e korpusit qendror të universitetit.  Ka qenë një natë e gjatë e pa gjumë. Që herët në mëngjes studentët kanë mbushur ambientet universitare duke pëshpëritur gjatë e diskutuar në heshtje me njëri-tjetrin. Momenti i vendosjes së fotografive të shoqeve studente kanë qenë nga më mallëngjyesit gjatë ditës së djeshme. Të gjithë janë gjunjëzuar para hidhërimit të thellë që i ka përshkuar në atë moment.

7 vajzat

Shtatë vajza u përcollën në banesën e fundit në Elbasan. Trupat e pajetë të tyre janë marrë në orët e para të mëngjesit duke u kryer ritet e fundit mes dhimbjes së madhe. Kishin histori të ndryshme, por ato i bashkonte një gjë, dashuria për shkollën. Ishin të gjitha të përkushtuara dhe me nota të mira. Kanë qenë pedagogët e Gjuhës dhe Letërsisë që kanë bërë edhe identifikimin e kufomave duke e marrë këtë barrë të vështirë përsipër në një situatë kaosi për shkak të numrit të madh të viktimave dhe të plagosurve. Shumica e tyre ishin të fejuara dhe me mbarimin e shkollës familjet do të shpallnin datat e martesave. Në sytë e familjarëve lotët janë pak për të përshkruar atë ndjenjë aq të rëndë të dhimbjes së papërshkrueshme shpesh edhe inatit pse duhet t’i ndodhte vajzave të tyre kjo gjë.

Eranda Baloshi

Vajza që jetonte në periferi të qytetit të Elbasanit, në fshatin Katund i Ri i përkiste atyre studentëve që, edhe pse në një gjendje ekonomike jo shumë të mirë, ishte një model. Humbja e saj ishte e dyta për familjen Baloshi, e cila më parë ishte goditur rëndë nga vdekja e djalit të aksidentuar. Nëna e saj do ta përcillte nuse. Ishte një njeri që kish humbur gjithçka. Dhimbja ishte e madhe në familjen Baloshi, aq sa pikëllimi i kaloi përmasat dhe kushdo nuk do të mund të dilte nga ajo shtëpi pa derdhur lot.

Elsa Daka

Elsa ishte 22 vjeç nga fshati Kuqan vetëm pak kilometra larg Elbasanit. Prindërit e saj punonin në Greqi. Ajo jetonte vetëm me të vëllain dhe vazhdonte studimet në degën Gjuhë-letërsi. Vajza ishte e fejuar dhe me përfundimin e shkollës do të martohej. I fejuari i saj ka qenë i pranishëm gjatë gjithë mortit. Tronditja ka qenë e madhe për të gjithë.

Erjola Xhoi

27-vjeçarja me banim në lagjen 28 Nëntori, Elbasan. Ajo kishte mbaruar një fakultet më parë për Ekonomi dhe kishte vendosur të vazhdonte Gjuhë-Letërsi në Universitetin e Elbasanit. Erjola ishte një vajzë e qeshur. Shoqëria e saj tregon se ajo ishte ringritur pas humbjes së të atit dhe ishte një studente mjaft e përgatitur.

Ermira Mana

Ermira 22 vjeç, banuese në fshatin Shelcan, është një tjetër viktimë e aksidentit tragjik. Në familjen e saj dhimbja pllakosi shtëpinë në orët e para të mëngjesit kur është mësuar edhe vdekja. Banorët e fshatit janë solidarizuar pranë kësaj familje, e cila gjithashtu jeton mes vështirësive. Babai i Ermirës, emigrant në Greqi është kthyer rreth orës 03.00 të mëngjesit duke u nisur menjëherë sapo kishte mësuar nëpërmjet medias se vajza e tij ishte në mjetin e aksidentit. Ermira kishte gjithashtu plane për të ardhmen. Ajo ishte e fejuar me një djalë nga Lushnja dhe shumë shpejt do të vendoste edhe martesën. Gjatë mortit babai i saj është shprehur mjaft i indinjuar për faktin se për këto lloj transportesh përdoreshin autobusë të vjetër që mund të pësonin defekte.

Denisa Guzi

Denisa Guzi 21 vjeç, banuese në fshatin Mashan, Komuna Kodovjat, Gramsh. Babai i saj punonte kuzhinier në Gramsh. Të afërm të saj interesoheshin pranë Universitetit, ndërsa babai është nisur direkt në Vlorë dhe më pas drejt Himarës, ku edhe ka bërë identifikimin e së bijës.

Lindita Kabashi

21-vjeçarja banonte në fshatin Shtërmen, Komuna Gostime, Elbasan

Juliana Tola

Ishte vetëm 21 vjeç vinte nga fshati Mirakë, Librazhd

Përcillet shoferi i tragjedisë, Pëllumb Çela

Rreth orës 18.00 është përcjellë për në banesën e fundit Pëllumb Çela, 57 vjeç, drejtues i autobusit të aksidentit fatal. Baba i 4 fëmijëve, 3 djem dhe një vajzë, ai jetonte në të njëjtën lagje me një prej viktimave, Erjola Xhoi. Rrugicat për në pallatet e tyre ndodhen përballë njëra-tjetrës në lagjen “28 Nëntori” të qytetit. Rreth orës 16.00 mes lotëve dhe hidhërimit të familjarëve dhe të afërmve është dërguar për në banesën e fundit duke marrë me vete edhe misterin e shkakut të këtij aksidenti me pasoja të rënda. Për shoferin të gjithë flasin fjalët më të mira madje edhe në varrimin e vajzës pasi ata ishin në të njëjtën lagje dhe e njihnin njëri-tjetrin. Në të dy ceremonitë e varrimit të dy viktimave të këtij aksidenti që ishin me banim në qytetin e Elbasanit ka marrë pjesë kryetari i bashkisë Qazim Sejdini.

Armand Halilaga

Ishte i vetmi që nuk ishte student. 23 vjeçari udhëtoi bashkë me të fejuarën, Besjana Xheneti, e cila ndodhet në spitalin e Vlorës, jashtë rrezikut për jetën. Ai vdiq ndërsa shoqëronte të fejuarën për në udhëtimin e parë bashkë si të fejuar. Mësohet se ai bën pjesë në listën e 11 viktimave të para të këtij aksidenti. Të dy të rinjtë janë banorë të qytetit të Kavajës dhe historia e tyre e dashurisë ishte konkluduar në fejesë, edhe pse Armandi e Besjana ishin pak a shumë në të njëjtën moshë, fare të rinj. Edhe shtëpitë e tyre ishin pak blloqe larg njëri-tjetrit. Besjana ishte në vitin e fundit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe jetonte në konviktin e shkollës, ndërsa Armandi punonte në qytetin e tij.

U ngatërruan trupat, vonohet funerali

Situata ishte një kaos i vërtetë dhe në transportin e viktimave. Eshtë regjistruar edhe një e papritur që rrezikoi zhvillimin në kohë të funeralit të Erjola Xhoit. Në vend të trupit të saj nga Vlora ishte transportuar trupi i Dorina Stafës nga Kruja. Familjarët e Dorinës e kanë njohur menjëherë që trupi nuk ishte i vajzës së tyre dhe kanë kërkuar që të niset drejt Krujës ku edhe ishte dërguar gabimisht kufoma e vajzës së tyre. Fillimisht familjarët në Krujë nuk e kanë vënë re këtë gjë pasi mes tyre kishte ngjashmëri. Arkivoli ka mbërritur rreth orës 15.20 ndërsa varrimi do të behej në orën 16.00. Sipas shoqeve të dhomës, Dorina kishte kaluar 8 vite të jetës së saj në Elbasan pasi ajo këtu ka kryer edhe shkollën mesme.

Tri studente rëndë, duhen nisur jashtë shtetit

Gjendja e tre studenteve që ndodhen për mjekim në spitalin ushtarak në kryeqytet, është e rëndë dhe mjekët pohojnë se ato po i nënshtrohen një kurimi të pandërprerë. Vajzat ndodhen nën vëzhgimin e mjekëve të specializuar. Sami Koçeku, Drejtor i Qendrës së Traumës në spitalin ushtarak, thotë se Kaltra Pollozhani, Eriselda Guberi dhe Florie Peçi, janë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të plagëve të marra. Koçeku thotë se për dy studentet e fundit, Guberi, dhe Peçi, është kërkuar që ato të dërgohen jashtë vendit për ndihmë më të specializuar shëndetësore. “Pobëjmë gjithçka për të ndihmuar  të plagosurit, dhe në rast nevoje mund të dërgojmë për mjekim jashtë vendit Florijen dhe Eriseldën”. Sipas Koçekut, Guberi, ka dëmtuar mjaft rëndë shpretkën. paraqet një traumë të shumëfishtë. Ka një veshkë unike ne e fusim tek të sëmurët seriozë. Sipas tij e plagosura Peçi, krahas politraumës ka dhe frakturë në shtyllën kurrizore.

Duke u nisur nga një sensibilizim i madh meqë janë të gjitha vajza të reja mendohet se mund t’i transportojmë”,- tha drejtori i Qendrës së Traumës, Sami Koceku. Më herët mjeku kirurg i neurologjisë, Fatos Olldashi, tha se ka përfunduar operacioni i Florije Peçi, që paraqiste dëmtime në shtyllën kurrizore “Gjatë marrjes së plagëve kishin ndodhur dhe dëmtime të kockave dhe të një pjesë nervore. Në të vërtetë dëmtimi do të konstatohet kur pacientja të zgjohet dhe të dalë nga gjendja e komës”,- tha Olldashi. Sipas mjekëve, pas këtij konstatimi pritet të vendoset edhe për faktin nëse ajo do të transportohet apo jo. Aktualisht në spitalin ushtarak, po kurohen 15 studente gjendja 6 prej të cilave është e stabilizuar, disa të tjera janë në reanimacion nën vëzhgimin e mjekëve.

Operacioni

Rreth orës 20:00, të mbrëmjes së të shtunës në Spitalin Amerikan që është i vendosur në territorin e spitalit ushtarak në Tiranë, mbërriti në gjendje të rëndë shëndetësore Besjana Dani, një nga studentet e plagosura në aksidentin e të Himarës. Ndërhyrja e mjekëve të këtij spitali, duket se ka qenë vendimtare për të, pasi hemorragjia e vazhdueshme që ajo kishte pësuar në aksident i rrezikonte jetën. Kryemjeku i Spitalit Amerikan, Ymer Dyrmishi, tha dje për “Shekullin”, se studentja kishte mbërritur në gjendje të vështirë shëndetësore e shkaktuar nga një traumë e shumëfishtë, e cila i kishte shkaktuar hemorragji të vazhdueshme dhe kishte nisur të mbushte pjesën abdominale (barkun) e studentes me gjak. “Erdhi në gjendje të rëndë, dhe kishte gjakderdhje aktive të vazhdueshme.

Nga tubat urinarë, të vendosur tek studentja nuk rridhte normalisht urinë, por gjak. Në këto kushte kryem një ekzaminim tërësor me skaner dhe vumë re se ajo kishte mbushje me gjak të barkut.Pokështu vumë re se kishte edhe një thyerje të pjesës së legenit në krahun e djathtë të tij. Pas një konsultimi të kryer nga një ekip mjekësh u vendos që të ndërhyhej në bark me prerje, pasi metoda e sondës nuk ofronte garanci për eliminimin e gjakderdhjes. Mjeku urolog, kirurgu Ajet Xhafa, kreu ndërhyrjen ndërsa u asistua nga një ekip mjekësh dhe kirurgësh të cilët ishin të gatshëm për të kryer çdo ndërhyrje”. Mjeku kirurg Ajet Xhafa tha për “Shekullin” se në një situatë normale ndërhyrja nuk ishte e vështirë, por se në një moment të tillë tensioni gjithçka vështirësohej, pasi çdo lëvizje e gabuar e trupit të pacientit gjatë transportimit mund të luante rol negativ.

Ndërkaq e aksidentuara Besjana Dani, tregon se ishin nisur në mëngjes rreth orës 7:30, nga Elbasani, drejt Sarandës. “Ndaluam fillimisht në Apolloni, qëndruam afërsisht një orë dhe më pas u nisëm për në Himarë, ku ndaluam për të ngrënë drekë. Aty bëmë disa foto, ndërsa profesor Alberti nuk pranoi të qëndronim për drekë. Rreth orës 15:35, u nisëm nga Himara me qëllim për të ngrënë drekë në Porto Palermo.”

Studentja nga Lushnja, thotë se nuk e mban mend momentin e aksidentit, por se kishte parë veten që kishte përfunduar në fund të greminës. Më tej ajo thotë se me helikopter mbërriti në Tiranë, por se nuk mbante mend shumë gjëra. Në dhomë i qëndron i fejuari Vladimiri, që në çdo moment ndihet në siklet se mos Besjana mund të ketë të vjella, për shkak të plagëve, apo mund të ketë probleme. ‘Është e lodhur, nga gjithçka që ka ndodhur ..”,- thotë ai ndërsa tërheq derën e dhomës, duke na ftuar të largohemi që aty.

Shkëlqim Selami:  “Ia dolëm t’i mbajmë në jetë studentet”

Mjekët e spitalit mbrëmjen e së hënës kanë mundur të përballojnë me sukses një nga rastet më emergjente të ndodhura kohët e fundit në spitalin e tyre. Falë ndihmës së menjëhershme të ofruar, ata kanë mundur të mbajnë në jetë një prej studenteve të aksidentuara. Ndërhyrja kirurgjikale ndaj Blerina Cerrenit i ka shpëtuar asaj jetën, e më pas është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim më të specializuar.  E ndërsa ndërhyrja kirurgjikale ndaj Blerinës ka qenë vendimtare për jetën e saj, mjekët e këtij spitali për orë të tëra kanë luftuar me vdekjen pothuajse me të gjithë studentët e paraqitur pasditen e së henës në këtë spital. Shkëlqim Selami, drejtori i spitalit të thotë se ardhja e pacientëve në kohën më rekord të mundshme ka qenë parësore për jetën e tyre. Sipas tij, shumë jetë studentësh kanë mundur të shpëtojnë falë ndërhyrjes së menjëhershme, e tashmë  pothuajse të gjithë të shtruarit në Spitalin e Vlorës janë jashtë rrezikut për jetën. Shkëlqim Selami të thotë se  viktimat janë gjendur pa jetë nga ekipi mjeksor i ambulancës së parë që ka shkuar në vendngjarje. “Mjekët na kanë rrëfyer se të 11-të viktimat janë gjendur pa jetë në afërsi të autobusit që kishte rënë në humnerë. Për shkak të goditjeve që kanë pësuar, kryesisht në kokë dhe në kraharor, kanë vdekur menjëherë”-shpjegon drejtori i Spitalit të Vlorës.
 
 Adiola Mustaku: “Shoferi ulëriti, tha se nuk kishte frena”

Adiola ka hematoma të rënda në trup, ndërsa në fytyrë të qepurat e plagëve duket se do të dëshmojnë përjetësisht tragjedinë ku për fat ajo mbeti gjallë. Por, vajza nga qyteti i Lushnjës, ende nuk di çka pësuar e çka ka ndodhur. Dhimbjet që ndjen në trup dhe trauma që ka pësuar e pengojnë të rikthejë në kujtesë ato momente ku për të jeta është ndarë në fije të perit. Kujtohet vetëm për shoqen e saj të ngushtë, Elidona Gjinaj që e ka pasur në krah e deri dje në mesditë nuk dinte së çfarë kishte pësuar.

Adiola e mban mënd ku  ishit ulur në autobus?

Po. Ndodhesha në sedilen e katërt në afërsi të  shoferit. Ishim duke udhëtuar në drejtim të Himarës për të shkuar në Butrint. Më pas do të  shkonim në Korçë. Udhëtimi po vijonte normalisht, madje  në sfond kishte dhe muzikë popullore dhe një pjesë prej nesh po i gëzohej ritmeve të muzikës. Gjithçka po shkonte normalisht.

Adiola, shoferi po ecte shpejt?

Jo. Ishte shumë ngadalë, ne na parakalonin shumë makina. Gjatë gjithë rrugës nuk mbaj mend që ai të ketë ecur shpejt, ishte shumë i kujdesshëm.

Po më pas çfarë ndodhi?

Të vetëm gjë që kam dëgjuar ishte zëri i shoferit që tha se nuk kishte frena. Ai bërtiti dy tri herë që të mbaheshim se po e linin frenat e makinës. “Nuk kam frena, mbahuni”, janë fjalët e fundit që mbaj mend dhe menjëherë autobusi filloi të  humbte kontrollit. Jam mbajtur në sedile sa kam mundur. Më pas jam shtrënguar me shoqen time dhe dëgjoja ulërimat e vajzave në autobus. Nuk di çfarë ka ndodhur më pas. Jam përmendur në spital. Nuk di kush më ka  nxjerrë e çfarë ka ndodhur. Kur kam ardhur këtu në Vlorë, ka qenë thuajse mesi i natës. Jam përmendur dhe një infermiereje i kam kërkuar të lidhem me prindërit e mi. U kam treguar se ku jam.

Ju e dini me saktësi çfarë ka ndodhur?

Jo. Këtu kam dëgjuar se ka të vdekur, por se sa janë dhe kush janë nuk e di. Më vjen mirë që mikesha ime qenka shëndoshë e mirë.

Kjo ishte ekspedita e parë e juaja?

Po. Ishte një ekspeditë në shkollë madje për mua ishte dhe hera e parë që po udhëtoja këtej. Më vjen tmerrësisht keq që ky udhëtim, që unë mezi e prisja, përfundoi në këtë mënyrë. Mezi pres të shërohem e të shkoj në shtëpi.

Besjana Xheneti: Uroj që i dashuri im të jetë gjallë!

Duhet të ishte udhëtimi i ëndrrave të saj, por është kthyer një tragjedi ku Besiana Xheneti ka humbur dashurinë e jetës së saj. Është jashtë rrezikut për jetën, trajtohet  në sallën e reanimacionit të spitalit të Vlorës, por veç dhimbjes, asgjë nuk ndjen tjetër. Mjekët e spitalit të thonë se Besiana, veç hematomave  që janë normale për aksidente kaq të rënda, nuk ka pësuar dëmtime në organet jetësore. Vajza nga qyteti i Kavajës ende është mes jetës dhe vdekjes, dhe pse klinikisht është jashtë rrezikut. Por, zemra duket se i parandien humbjen e njeriut më të shtrenjtë të jetës së saj. E vetmja fjalë e thënë prej saj është emri i Armandit. E ka kërkuar atë që në momentin e parë që ka hapur sytë. E di që djalin e ëndrrave të saj e ka pasur në krahë, në atë udhëtim që Armand Alilaga e ka ndërmarrë për hir të saj. Besiana nuk kishte shumë kohë që dashurinë e saj e kishte kurorëzuar me fejesë, e udhëtimi në rivierën e jugut ishte e para gjë që çifti ndërmerrte bashkërisht. Ndaj dhe në ato pak momente që Besiana përmendet kërkon Armandin. Mjekët mundohen ta qetësojnë duke i thënë se ndodhet në Tiranë e është jashtë rrezikut për jetën. Por, nga sa duket, kjo nuk e ngushëllon aspak vajzën 22-vjeçare.

Mbyll sytë si për të thënë që e gjitha kjo është një ëndërr e keqe dhe asgjë nuk ka ndodhur veç ca hematomave.  Mjaftohet duke mbyllur sytë për të harruar gjithçka dhe në rizgjim Besiana do të rifillojë jetën pikërisht aty ku u kurorëzua dashuria e saj. Por askush, qoftë dhe të afërmit e saj, ende nuk guxon t’i thotë se Armandi nuk jeton më. Pikërisht në këtë udhëtim ekspedite, përveç shoqeve të saj, Besiana ka humbur dhe dashurinë e jetës. Besiana Xheneti është ende në gjendje shoku nga ajo që ka ndodhur, ndaj dhe veç kujdesit për të përmirësuar gjendjen e saj, asnjë prej mjekëve nuk këshillon që  vajzës 22-vjeçare t’i rrëfehet një dramë e rëndë. Vajza nga qytetit i Kavajës kishte vendosur të ndërtonte familjen e saj. Besjana dhe Armandi jetonin të dy në të njëjtin qytet. Madje, sa rrëfehet, shtëpitë e tyre thuajse ishin ngjitur, ndërkohë që çifti dashurinë e tyre vetëm pak kohë më parë e kishte kthyer në fejesë. Besjana ishte në vitin e fundit të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan dhe jetonte në konviktin e shkollës, ndërsa Armandi punonte në qytetin e tij.  Pikërisht, për shkak të largësisë, Armandi kishte vendosur t’a shoqëronte në udhëtimin e vdekjes, të fejuarën e tij. Saranda ishte vendi i ideal për dy të dashuruarit e  Armando thuajse nuk e ka menduar dy herë rastin për t’u gjendur në krah të së saj.

Ekspertiza: Shoferi nuk ka konsumuar alkool, vuante nga zemra

Asnjë gramë alkool nuk është gjendur në trupin e shoferit të autobusit ku dy ditë më parë u shkaktua tragjedia më e rëndë rrugore në vend. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore në trupin e Pëllumb Çelës nuk është gjendur asnjë gramë alkooli, ndërkohë që mësohet se drejtuesi i mjetit ka pësuar hematoma të rënda në kokë dhe në kraharor që i kanë sjellë atij vdekjen e menjëhershme. E ndërsa kanë përjashtuar çdo mundësi që drejtuesi i autobusit të kishte udhëtuar në gjendje të alkoolizuar, mjekët ligjorë gjatë këqyrjes së kufomës kanë konstatuar se i ndjeri vuante nga zemra. Sipas tyre, Përllumb Çela kishte pësuar ca kohë më parë një takikardi, por nga ekzaminimet e derimëtanishme nuk besohet se një krizë e ndodhur të ketë shkaktuar humbjen e kontrollit të drejtimit të autobusit. Përveç problemeve  të kaluara kardiake, mjekët nuk kanë konstatuar një krizë të re në trupin e viktimës që lë të besohet se gjendja e tij shëndetësore nuk ka ndikuar në tragjedinë e ndodhur. Ndërkohë që ekspertiza gjatë natës së të martës i është vënë në dispozicion grupit të hetimit të prokurorisë dhe  policisë së Vlorës.  Sipas këtyre institucioneve, nga të dhënat paraprake mësohet se një defekt në sistemin e drejtimit dhe të frenimit të autobusit ka shkaktuar tragjedinë e dy ditëve më parë. Shoferi nuk ka mundur të frenojë autobusin në një moment të caktuar, e kjo besohet se ka ndodhur për shkak të një defekti teknik, saktësuan dje burime nga grupi i hetimit i ngritur në Vlorë për të zbardhur ngjarjen. Megjithatë, burime zyrtare të Policisë së Vlorës thanë dje se është ende shpejt për të përcaktuar se çfarë ka shkaktuar aksidentin, pasi pritet ekspertiza që do t’i behet pjesëve të mbetura të autobusit. L. Çela

Hetimet përfshijnë edhe agjencinë turistike

Prokuroria Vlorës ka nisur hetimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit me pasojë vdekjen e 13 studenteve të Fakultetit të Elbasanit, duke regjistruar procedimin penal për akuzën e “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasoja të rënda. Ky fakt konfirmohet nga zyrtarët e akuzës në Vlorë, sipas të cilëve, është ngritur një grup prej tre prokurorësh që po merren me zbardhjen e shkakut të aksidentit. Sipas tyre, nuk përjashtohet hetimi penal për shoqërinë “Llixha 2001”, pronare e autobusit, duke ndjekur të njëjtën procedurë si atë të hetimit ndaj shoqërisë “Albademil” për tragjedinë e Gërdecit. “Nëse do të konstatohet se rrëzimi i autobusit ka ardhur për gabim të shoferit, çështja do të mbyllet pasi shkaktari është i vdekur”, – thuhet nga prokuroria, duke shtuar se po hetohet pista e defektit teknik të mjetit dhe humbja e kontrollit nga shoferi Pëllumb Çela.

Drejtori Topalli: Mjeti i rregullt teknikisht

Drejtori i Policisë Rrugore në Policinë e Shtetit, tha se nga veprimet e kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes dhe hetime të tjera ka rezultuar se aksi rrugor ku ka ndodhur aksidenti ishte i pajisur me sinjalistikën e duhur paralajmëruese. Sa i përket gjendjes teknike dhe kontrollit teknik të mjetit, Topalli tha se automjeti i markës “Mercedez- Benz” 303, me targa El 2272 B, ka rezultuar të kishte kryer kontrollin për herë të fundit me datën 26 prill 2012”

Autobusi i tragjedisë, “Benz 303” i vitit 1988

Autobusi model Mercedez Benz 303 i shoqërisë turistike “Llixha 2001” me qendër në Elbasan do të diskutohet gjatë. Në faqen zyrtare të kësaj kompanie janë publikuar edhe disa foto të autobusit të aksidentit. Bëhet fjalë për një automjet me vjetërsi mbi 24-vjeçare. Ky automjet përdorej për udhëtime turistike dhe ekspedita mësimore me studentë dhe nxënës.

 Performanca e Rona Nishliut me lot në sy

Është shoqëruar me duartrokitje të forta dy herë gjatë këngës Rona Nishliu, që përfaqëoi Shqipërinë në Eurovizion. Pas performancës, ajo doli nga skena me lot në sy. Këngëtarja kosovare Rona Nishliu tha në një intervistë për RTK para performancës se këngën ia dedikonte tragjedisë së Himarës

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama