Gjithashtu mësohet se një ndër arsyet më të forta ka qenë fakti se grupi negociator i palës shqiptare nuk kishte marrë lejen e Presidentit të Republikës për të negociuar me palën greke. Ky fakt ka përbërë një cënim e shkelje të parimeve dhe të frymës së Kushtetutës, e cila kërkon kooperimin institucional si procedurë, nëpërmjet së cilës garantohet rendi juridik, shteti i së drejtës, e nëpërmjet tyre, edhe interesat kombëtare të mbrojtura nëpërmjet zbatimit të dispozitave të Kushtetutës. Në këto rrethana, përfaqësuesit e shtetit shqiptar kanë negociuar një marrëveshje që lidhet në emër të Republikës së Shqipërisë, pa pasur plotfuqinë e kryetarit të shtetit, Presidentit të Republikës, pra pa pasur autoritetin e duhur për të filluar bisedimet dhe negocimin e marrëveshjes". Ky argumentim mësohet të jetë pjesë edhe e vendimit përfundimtar të Kushtetueses.
Vendimi për të rrezuar këtë marrëveshje delikate kaloi në 9 mbledhje maratonë të gjyqtarëve. Marrëveshja e ujrave detare me greqinë u nënshkrua gjatë vizitës së ish-kryeminsitrit grek në Shqipëri Kostas Karamanlis. Marrëveshje e cila u kundërshtua ashpër jo vetëm nga shoqata të ndryshme në vend, por edhe nga opozita e cila vendosi ta ankimojë në Gjykatën Kushtetuese. Ankimimi i Partisë Socialiste thoshte se është shmangur plotfuqia e Presidentit të Republikës, ka pasur mungesë bashkëpunimi institucionl, hartimi dhe negocimi është bërë në fshehtësi të plotë, dhe marrëveshja nuk është shoqëruar me harta.











