Kush eshte imami pogradecar qe kercenoi shqiptaret?

Kush eshte imami pogradecar qe kercenoi shqiptaret?

Almir Daci dhe një xhihadist nga Kosova janë pjesë e një video mesazhi kërcënues për Shqipërinë dhe Ballkanin. Shqiptari nga Pogradeci bën thirrje për bashkim të myslimanëve kundër jobesimtarëve ndërsa ai nga Kosova kërcënon: Vallahi, do të vijnë ditë të zeza për ju! Vallahi, do të keni frikë të ecni nëpër rrugë!. Një xhihadist boshnjak i fton ndjekësit e ISIS në Ballkan të vendosin bomba dhe të helmojnë ushqimin e atyre që i quan armiq të fesë. Mesazhi përdor edhe ateizmi e Enver Hoxhës e shkatërrimin e xhamive si nxitje për luftë

 

Organizata terroriste ISIS kërcënon seriozisht edhe Shqipërinë. Në një dokumentar propagandistik që flet për gjithë Ballkanin, mes të tjerash përmendet edhe Shqipëria, ku protagonistë janë edhe dy të rinj që shprehen se janë xhihadistë, një shqiptar i Kosovës dhe tjetri i Shqipërisë. Nga videoja, në minutën 05.50 shfaqet i riu shqiptar me armë në dorë me veshje tipike të zonës së Sirisë, që përdoret nga anëtarët e ISIS. Ndonëse në pjesën më të madhe të fytyrës është i mbuluar nga veshja dhe mjekra e gjatë, sërish dallohet se personi që kërcënon haptas bashkështetasit e tij është Almir Daci nën emrin Abu Al Bilqis. Daci tradhëtohet nga dy nishane. Një poshtë vetullës në të djathtë të hundës dhe një tjetër në faqen e majtë, që dallohen edhe në video.



Ai është me origjinë nga fshati Leshnic i Pogradecit dhe rezulton si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizata kriminale dhe rekrutim të personave të ndryshëm. “O myslimanë, ne jemi një umed, ne jemi umedi i Allahut. Prandaj edhe umedi islam është i trimave, i luajve umedi islam duhet të jetë i bashkuar në një fjalë të vetme dhe fjala e Allahut je të më e larta, dhe fjala e tahutëve dhe e armiqve të Allahut jetë më e poshtërta dhe më e ulëta. Myslimanët jetojnë sot krenarë me familjet e tyre me vëllezërit e tyre, sepse ata janë duke luftuar për të ngritur lart fjalën e Allahut. Armiqtë e islamit e dinë rrezikun e hilafetit islam, ndaj ata mundohen me çdo lloj mënyre që ta shkatërrojnë këtë shtet”.



Këto janë disa nga fjalët e Dacit, që flet shqip në videon e titruar anglisht. Ai më shumë se kërcënim ka menduar të jetë propagandues, me qëllim rekrutimin e sa më shumë persona. Video vetë tregon se sa mirë jetojnë ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri. Një boshnjak i ISIS shfaqet aty duke treguar se në këtë “kala” myslimanët jetojnë të lirë. Ai ka në krah një fëmijë, ndërsa pranë ka një grua të mbuluar. Mesazhi duket një stil promocioni i vjedhur në perëndim dhe tregon bollëkun me të cilin jetohej atje ndërsa luftëtari hipën në një makinë të re bashkë me familjen e tij. Ajo që vjen pas fjalës së Dacit, është kërcënim mëse i hapur, që paralajmëron se Kosova dhe Shqipëria dhe i gjithë Ballkani do të jetë nën terrorin e ISIS.



“Mos mendoni se ne e kemi harruar për armiqësimin që ia keni bërë dinit të Allahut. Mos mendoni se ne e kemi harruar për nënçmimin dhe përuljen që ju ja bëni myslimanëve dhe fesë së Allahut. Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve. Vallahi do të keni frikë të ecni nëpër rrugë. Do të keni frikë të punoni nëpër zyrat e juaja. Do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në shtëpitë e juaja. Do të keni frikë e do të tmerroheni e të trishtoheni edhe në ëndrrat e juaja edhe atëherë kur ju flini. Ne do t’ju mposhtim juve me lejen e Allahut. Do t’ju mbysim juve me lejen e Allahut. Do t’ju vijmë me eksplozivë”. Kështu shprehen në gjuhën shqip dhe më pas arabe Abu Muqatil ose (Al Kosova). Në videon sa kërcënuese aq edhe propagandistike ndër të tjerë janë edhe një i vetëshpallur xhihadist i Bosnje-Hercegovinës dhe një tjetër i Kosovës.



Video tregon për krimet në Bosnje dhe ato të diktaturës në Shqipëri dhe thotë se jobesimtarët do bëjnë masakra të tjera mbi myslimanët. Video është e mbushur me pamje dhune. Njëri prej xhihadistëve boshnjakë ishte i drejt për drejtë ai i fton shokët e tij që ndodhen në Bosnje apo Ballkan që të godasin.



“Vendosni bomba poshtë makinave të tyre, hidhni helm në ushqimin e tyre”, thotë ai në një që duket si thirrje për të filluar luftë të re. Kërcënim më të hapur nuk ishte bërë deri më tani. Dhe duket se është marrë seriozisht nga ana e strukturave të antiterrorit dhe Shërbimit Informativ Shqiptar. Mesazhi është propagandë dhe kërcënim, ndaj po verifikohet nëse është transmetuar për të sjellë panik, apo anëtarët e organizatës terroriste ISIS po synojnë të shtrijnë veprimtarinë kriminale me atentate apo vendosje bombash edhe në Ballkan. Për pjesën më të madhe dyshohet se kjo është një tentativë për të shtuar panikun në zonën e Ballkanit, pasi e kanë pasur të vështirë që të gjejnë përkrahje masive. Aty paraqitet për pak minuta edhe një kontekst i ateizmit komunist dhe flitet për Enver Hoxhën. Gjithsesi videoja kërcënuese ka ngjallur reagim për strukturat e antiterrorit, që pritet të shtojnë kontrollet dhe mbajtjen nën vëzhgim të personave që dyshohet se mbajnë lidhje me personat e vetëshpallur xhihadistë.

 

Almir Daci, imami i fshatit, rekrutues dhe luftëtar në Siri



Për herë të parë, publikisht emri i Almir Dacit u përmend nga të afërm të Denis Hamzajt. Pikërisht këtij të riu nga Pogradeci që humbi jetën një vit më parë në Siri. Mësohet se Denisi ishte shkolluar në Itali, por të afërm të Hamzajt në atë kohë bënë përgjegjës për vrasjen e Denisit imamin e xhamisë së fshatit Leshnic, Almir Dacin. Denis Hamzaj, ishte ndër personat e parë të larguar drejt Sirisë për të luftuar dhe mori me vete edhe familjen.

 


Pak muaj pasi mori pjesë në luftime dyshohet se Almir Daci kishte njoftuar një të afërm të Denis Hamzajt se ai ishte vrarë, por pa dhënë detaje si, ku dhe kur. Gjithashtu nuk ka asnjë informacion as për bashkëshorten dhe fëmijën e Hamzajt. Gjithashtu për Prokurorinë e Krimeve të Rënda rezulton se Daci ka luajtur rol aktiv në rekrutimin e të rinjve drejt Sirisë. Gjithashtu njihet edhe si një prej personave që ka influencë në strukturat e organizatës terroriste ISIS.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama