Kurthi i Penelope

Kurthi i Penelope
Prej më shumë se një muaji, Penelope Cruz, që tani po shijon sukseset e filmit "Vicky Cristina Barcellona", po punon për provat e muzikalit "Nine", ku përkrah do "Në këtë film do të jem një italiane që flet anglisht, kështu që ushtrohem dy orë në ditë me një mësues personal për gjuhën, dy të tjera në sallën e baletit dhe dy të tjera akoma me këngën. Xhirojmë nga një dhomë në tjetrën, është me të vërtetë shumë argëtuese".

Tani amerikanëve nuk u intereson më që ju keni një theks spanjoll kur flisni anglisht?

Amerikanët janë mësuar me faktin se aktorët që nuk e kanë anglishten gjuhën e nënës mund të jenë protagonistë të një filmi, e të bëjnë çdo lloj personazhesh. Nuk duhet të jesh më ajo që bërtet, ose që bën punët e shtëpisë, këta stereotipa kanë ndryshuar tërësisht në 15 vitet e fundit. Është e vërtetë që në fillim, kur nisa të punoja, flisja shumë pak anglisht, për të mos thënë fare. Në filmin e parë dhe të dytë në Amerikë, pjesën më të madhe të kohës e kaloja duke u praktikuar me mësues personal, por më shumë për të kuptuar tekstin, sepse shpesh nuk isha në gjendje të kuptoja atë çka po ndodhte në sheshin e xhirimeve.

Për ju ishte një ndryshim i mënyrë së jetesës: të shkoje jashtë vendit, vetmia nëpër hotele, rinia...

Unë e kisha jetuar pjesërisht atë tronditje në Spanjë. E kuptova që isha ajo që duhej të isha. U zhyta kokë e këmbë në këtë punë, sepse doja të mësoja. Është një pasion që ka lindur bashkë me mua, ndaj nuk jam penduar për asgjë. Vërtet që sot është e vështirë të përballesh e vetme me jetën, por unë kam një cilësi të mirë, sepse shikoj gjithmonë anën pozitive të gjërave.

Padyshim që ndiheni mirë kur ju rrethojnë edhe njerëz me energji pozitive si Woody Allen dhe Pedro Almodovar...

Është një privilegj, sepse të dy më bëjnë të ndihem shumë mirë me talentin që kanë. Kjo gjë më ka ndodhur shumë herë me Pedron, me të cilin sot kam një raport të shkëlqyer miqësor. Edhe me Woody Allen. Mes tij mund të vëzhgoj nga afër se si zhvillohet një proces krijimi. Mund të qëndroj për orë të tëra gjatë provave duke i parë sa të talentuar janë. Në filmin që përfundova së xhiruari pak kohë më parë me Pedron vura re se në çdo vend që shkonte fliste vetëm për punën. Nuk kam parë kurrë një skuadër të punojë me kaq shumë përkushtim. Nuk flitej për asgjë tjetër veç surprizave që Pedro krijonte çdo ditë. Ishte vërtet e habitshme se si një grup që kishte kohë që punonte me këtë regjisor befasohej dhe mbetej ende pa fjalë nga ato që ai bënte.

Thonë se ju jeni e aftë që të bini dakord me të gjithë...

Nuk e di. Por më duhet të them se nuk është e nevojshme të dalësh nga vetja. Është mirë të mos gjykosh, sidomos kur punon me njerëz kaq të zotë. Sa herë që gjendem para një personi apo një pune përpiqem të lë mënjanë çdo gjë që më kanë thënë të tjerët për të. Imagjinoni pak se sa shumë histori më kanë treguar për personalitetin e tij. Më pëlqen ta nis nga zero dhe pastaj të arrij vetë në përfundime. Për shembull, kështu e kam ndërtuar raportin tim me Pedron qysh nga fillimi. Gjithmonë më ka thënë të vërtetën dhe unë i kushtoj mjaft rëndësi këtij fakti, qoftë si mik, qoftë si regjisor. Ai nuk do të më gënjente kurrë për diçka që nuk është e vërtetë. Më tregon çdo gjë dhe është i ndershëm me mua. Me pak fjalë mendoj se nuk është e drejtë t‘i gjykosh njerëzit pa i njohur mirë. Gjithçka bëhet më e lehtë nëse ekziston respekti dhe t‘i mund të jesh vetvetja. Pastaj nuk është se nuk jam grindur asnjëherë me ndonjë njeri, sepse kjo do të ishte e pamundur.

Si ju zgjodhi Woody Allen?

Woody-n e njoha në Nju Jork gjatë një takimi që zgjati më pak se një minutë. Më tha se kishte parë filmin "Volver", që po shkruante një histori dhe se unë mund të isha personazhi i duhur për një nga filmat e tij. Iu përgjigja se ky fakt do të më lumturonte shumë. Pas pak kohësh më solli skenarin. Më pëlqeu dhe njëkohësisht më bëri për të qeshur. Gjatë provave harrova se ishim duke bërë një komedi, sepse personazhi im vuan shumë në film, ka probleme emocionale dhe është një grua që nuk e do veten. Vetëm kur e pashë filmin me publikun u kujtova se kisha qeshur herën e parë që lexova skenarin. Megjithatë, mua më duhej ta interpretoja personazhin me respekt, pa qeshur me dhimbjen.

Si arrin Allen të përputhet aq mirë me aktorët?

Është një mister më vete, është një regjisor i mrekullueshëm. Shpesh ia del që t‘i mbarojmë xhirimet shumë kohë para asaj që kishim parashikuar. I përfshin të gjithë aktorët në punë, në një mënyrë që vetëm ai di ta bëjë. Gjithmonë kam pasur përshtypjen se personazhet e Woody-t vepronin sikur nxitonin, por tani që punova vetë me të e kam kuptuar se nga vjen i gjithë ky nxitim: nga nxitimi real që ekziston në sheshin e xhirimeve. Ai u kushton gjithmonë kohën e nevojshme gjërave. Në fillim të jep përshtypjen e një njeriu të shpejtë, por pastaj e kupton se është një njeri i magjishëm, simpatik dhe shakaxhi. Është i respektuar me të gjithë dhe kështu, në mënyrë misterioze, nuk të vjen keq që nuk të kushton më shumë kohë.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama