Kurbeti

Mërgimi, që u zgjerua në këtë periudhë, pati diku karakter stinor, diku karakter shumëvjeçar; një pjesë mërgonte brenda vendit, kurse shumica jashtë Shqipërisë. Sidoqoftë mërgimi i fshatarëve në masën dërrmuese u bë pa e shpërngulur familjen nga fshati dhe pa e prishur ekonominë e vogël bujqësore.
Fshatarët shqiptarë e shfrytëzonin edhe më parë mërgimin stinor. Por përmasat e tij ishin mjaft të kufizuara në krahasim me valën e madhe të mërgimit stinor që pushtoi vendin gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX dhe pjesës së parë të shek. XX. Numri i të mërguarve është vështirë të përcaktohet qoftë edhe afërsisht, pasi fshatarët e varfër largoheshin për disa muaj nga vendi i tyre pa lënë gjurmë në dokumentet e kohës. Pasi përfundonin mbjelljet dhe vjeljet e vjeshtës, zakonisht në fillim të nëntorit mijëra krahë pune linin familjet e shkonin jo vetëm nëpër qytetet e katër vilajeteve shqiptare, por deri thellë në Greqi, në Serbi e në Bullgari, pa përjashtuar Stambollin e fshatrat rreth e rrotull kryeqytetit turk. Ky mërgim stinor vazhdonte deri në fillim të pranverës, kur fshatarët e mërguar ktheheshin me kursimet e domosdoshme për të mbuluar bilancin pasiv të ekonomisë së tyre bujqësore.
Edhe mërgimi shumëvjeçar nuk ishte i panjohur për fshatarësinë shqiptare. Madje me të tillë fshatarë, të cilët mërgimin shumëvjeçar e kthenin brenda në Shqipëri në mërgim të përhershëm, ishin rritur edhe vetë qytetet e vendit. Por deri në fund të shek. XVIII mërgimi ekonomik jashtë trojeve shqiptare bëhej kryesisht në drejtim të Stambollit. Vetëm nga fundi i shek. XVIII e sidomos nga fillimi i shek. XIX u dukën mërgimet shumëvjeçare në vende të tjera të huaja, siç ishin Rumania, pastaj Egjipti dhe pak më vonë Greqia ose Serbia. Megjithatë, kurbeti ekonomik shumëvjeçar mori një karakter masiv të paparë vetëm pas mesit të shek. XIX. Ai përfshiu edhe shtresat e ulëta qytetare, megjithatë pjesën dërrmuese të kurbetlinjve e përbënin gjithnjë fshatarët e vegjël.
Mërgimi shumëvjeçar preku sidomos fshatarët e varfër të Shqipërisë së Jugut, sepse në këto vise ekonomia monetare kishte depërtuar më thellë se gjetkë. Për disa dhjetëvjeçarë qyteti që tërhoqi më shumë kurbetlinj qe përsëri Stambolli. Në vitet 80 Stambolli kishte rreth 60 mijë shqiptarë të ardhur nga të katër vilajetet. Ai u bë qyteti me popullsi më të madhe shqiptare edhe kundrejt qyteteve të Shqipërisë. Duke tërhequr njëri-tjetrin shqiptarët vijuan të mërgonin gjithashtu në Egjipt e në Rumani, ku u vendosën jo vetëm nëpër qytete, por edhe nëpër fshatrat e luginës së Nilit e të Danubit. Sipas njoftimeve që jep P. Kabue (P. Caboué), në fund të sundimit osman kishte në Egjipt rreth 30 mijë e në Rumani rreth 10 mijë shqiptarë, të cilët merreshin me zejtari, me tregti dhe me bujqësi. Nga radhët e tyre ishte formuar edhe një shtresë tregtarësh të pasur. Nga vitet 70 kurbetlinjtë shqiptarë filluan të çanin rrugën nëpër vende të tjera të panjohura për ta më parë. Njëri prej tyre ishte Rusia, ku mërguan me qindra veta, kryesisht fshatarë të krahinave juglindore. Më vonë, në vitet 90, në Rusi shkuan me qindra punëtorë për ndërtimin e hekurudhës transiberiane, të cilët pastaj u vendosën me punë të ndryshme në Odesë, në Vladivostok, në Irkutsk e gjetkë. Me fitoren e autonomisë së Bullgarisë (1878), shumë kurbetlinj fshatarë u vendosën nëpër qytetet e saj, sidomos në Sofje, në Filipopol e në Vranë duke formuar këtu brenda një kohe të shkurtër një koloni prej 2 mijë shqiptarësh. Në përpjesëtime të vogla kurbetlinjtë rrahën edhe vise të tjera të huaja, si Austrinë, Italinë etj. Në periudhën e fundit të sundimit osman vendi që tërhoqi pjesën më të madhe të kurbetlinjve shqiptarë qe kontinenti amerikan dhe kryesisht Shtetet e Bashkuara. Të mërguarit e parë shqiptarë zbritën në SHBA në fillim të viteve 80, kurse vala e madhe e këtij mërgimi filloi në fund të shek. XIX. Më 1912 në ShBA numëroheshin rreth 40 mijë kurbetlinj shqiptarë, pothuajse të gjithë me origjinë nga Shqipëria e Jugut. Në fillim kurbetlinjtë fshatarë u grumbulluan njëri pas tjetrit në Boston Mass, në Nju-Jork dhe në Sen-Lui (Saint-Louis), ku formuan edhe lagje me shqiptarë, por pastaj u vendosën edhe në vise të tjera të ShBA-së, deri në brigjet e Paqësorit. Një pjesë e vogël e kurbetlinjve u vendosën në shtete të tjera të kontinentit amerikan (Kanada, Argjentinë etj.).
Fshatarët që shkuan në kurbet lanë pas tyre familje të varfëruara. Për të blerë navllon (biletën e udhëtimit detar) ata u detyruan të shisnin kafshët e punës dhe të hynin në borxh. Po edhe atje ku vajtën i prisnin kushte të vështira jetese. Duke mos e njohur gjuhën e huaj dhe duke mos pasur ndonjë profesion, ata u detyruan të kryenin punët më të rënda. Zakonisht shkonin në kurbet që të ktheheshin pas dy ose tre vjetësh dhe, pasi të qëndronin disa muaj pranë familjeve të tyre, të niseshin përsëri. Por shpesh herë ata qëndronin në mërgim për periudha shumë të gjata, disa harroheshin fare në dhe të huaj. Kështu kurbeti u bë një plagë shoqërore për masat fshatare dhe qytetare.
Mërgimi stinor a shumëvjeçar ndikoi në ekonominë e vendit në dy drejtime: nga njëra anë, duke i dhënë mundësi fshatarit të vogël të përballonte deri diku nevojat familjare, e ngadalësoi procesin e rrënimit të tyre të plotë ekonomik; nga ana tjetër, dërgesat periodike të kurbetlinjve, të cilët erdhën duke u shtuar derisa arritën në vitet e fundit të sundimit osman afërsisht 14-16 milionë franga ari në vit, e frenuan deri në një farë shkalle asfiksinë e plotë që po i shkaktonte ekonomisë së vendit grabitja fiskale e Stambollit dhe vërshimi i mallrave të huaja.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama