Kur tatimet behen bashke me oligarket per te grabitur investitoret e huaj

Kur tatimet bëhen bashkë me oligarkët për të grabitur investitorët e huaj

Bankers Petrolium--kompania më e madhe në vend dhe njëkohësisht investimi më i madh i huaj--ka qenë për shumë muaj në vështirësi për shkak se administrata tatimore e akuzoi për shmangie të rreth 60 milionë dollarëve tatim mbi fitimin, me anë të fryrjes fiktive të shpenzimeve dhe investimeve të kompanisë.

Pas një konflikti disa mujor, i cili u përshkallëzua deri në bllokimin e llogarive të kompanisë nga qeveria dhe ankimin e çështjes në arbitrazhin ndërkombëtar nga kompania, palët arritën një marrëveshje në bazë të së cilës Bankers hoqi dorë nga padia në gjykatën e arbitrazhit ndërkombëtar, duke ja lënë sqarimin dhe gjykimin e çështjes një kompanie audituese ndërkombëtare, vendimi i të cilës do të ishte përfundimtar dhe do të pranohej nga të dyja palët.

Bankers, gjithashtu, pranoi dhe filloi të paguante menjëherë me këste detyrimin tatimor të pretenduar nga qeveria, ndërsa qeveria në shkëmbim zhbllokoi llogaritë e saj bankare.

Pak ditë pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, Bankers firmosi një kontratë shitjeje me një kompani kineze, çmimi i së cilës reflektoi, natyrisht, krizën e saj me qeverinë. Por kjo shtija nuk u miratua nga qeveria kineze duke e shtyrë mbylljen formale të shitjes për në fund të shtatorit.

Në fund të gushtit, audituesi ndërkombëtar i dha të drejtë Bankers në mosmarrëveshjen me qeverinë. Si rezultat, Bankers i detyrohet zero taksa qeverisë shqiptare dhe qeveria duhet t'i kthejë kompanisë rreth 37 milionë euro taksa që Bankers pranoi t'i paguante pas arritjes së marrëveshjes të sipërpërmendur.

Ky vendim do ta rrisë ndjeshëm vlerën në treg të Bankers në krahasim me periudhën e krizës në marrëdhëniet e saj me qeverinë.

Në vitin 1998, dy italianë krijuan në Shqipëri një impiant të prodhimit të betonit, me teknologji moderne dhe të mirëorganizuar. Puna u eci shumë mirë. Por shpejt u filluan problemet me zyrën e tatimeve, e cila në mënyrë të pabesë u vendosi një ditë një gjobë të jashtëzkonshme për evazion të tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSH.

E llogaritur në mënyrë krejtësisht arbitrare, gjoba ishte në një shumë që kalonte edhe vlerën e vetë kompanisë. Dialogu me tatimet nuk shërbeu për asgjë, as ankimi kundër gjobës, aq më pak kërkesa për ndihmë në Ambasadën Italiane, deri sa situata u bë dëshpëruese.

Pas një sërë ngjarjesh traumatike, përfshi një konflikt me armë mes policisë private që ruante impiantin dhe Policisë Tatimore që donte të konfiskonte kompaninë, ortakët vendosin ta shesin, të merrnin sa të merrnin dhe të ikin nga Shqipëria.

Kompania u shit më pak edhe se vlera e paisjeve në pronësi të saj, por për italianët e dëshpëruar kjo ishte më mirë se asgjë. Kështu në fund të 2003 kompania, së bashku me të gjitha pajisjet, teknologjinë, klientët, por edhe detyrimin tatimor, u shit tek një kompani me emër mbulesë të njërit prej ndërtuesve më të mëdha të vendit, të lidhur me pushtetin, i cili në atë kohë kishte gati monopolin në sektorin e ndërtimit. Pronar fiktiv i kompanisë blerëse, emëroi pastaj administrator ndërtuesin e njohur dhe pas disa muajsh u zgjidh ose më saktë u fshi detyrimi tatimor, madje pa asnjë gjobë, dhe ndërtuesi u bë dhe është edhe sot pronari legjitim i kompanisë, të cilën e shtiu në dorë për "dy lekë".

Në fillim të vitit 2013, një kompani e rëndësishme minerare u gjend në vështirësi për shkak të falimetimit të kompanisë mëmë të huaj e gjendur mes vështirësish financiare. Ndërkohë qeveria shqiptare i detyrohej degës së saj një shumë të jashtëzkonshme për shkak të TVSH-së së parimbursuar ndër vite nga eksporti i mineralit, të cilën nuk ka arritur ta marrë dot për 'vështirësi" burokratike, megjithëse e ka kërkuar prej vitesh.

Në këto kushte një nga afaristët më të mëdhenj të vendit ble kompaninë mëmë dhe bashkë me të edhe koncesionin në Shqipëri për nxjerrjen e mineralit. Pak javë pas blerjes, adminsitrata tatimore i rimburson kompanisë tani në pronësi shqiptare gjithë shumën e papaguar të TVSH-së së parimbursuar e cila në vlerë më e madhe se vlera me të cilën afarsiti shqiptar bleu kompaninë. Kompania sot lulëzon.

Këto janë vetëm tre shembuj, ndër shumë të tjerë që njihen, në të cilin një investitor i huaj është i detyruar të shesë investimin në Shqipëri për "mosprakticitet" të mjedisit të biznesit.

Ngërçet me investitorët u krijuan nga një sistem burokratik, të paktën, i papërgjegjshëm por sigurisht arrogant, që përdor standarte të dyfishta në marrëdhëniet me biznesin në varësi ndaj marrëdhënies që biznesi ka me pushtetin politik dhe interesit për të përfituar përmes abuzimit të pozicionit publik.

Në të trija rastet nuk dihet nëse vështirësitë u krijuan më dashje nga ata të cilët më pas kanë përfituar, por nuk është kjo e rëndësishme. Në momentin e dytë, tatimet favorizuan në mënyrë klienteliste në favor të interesave të caktuara të biznesit.

Mësimet që mund të nxirren nga këto histori janë të paktën tre:

1. Është e qartë se vlera e një kompanie përcaktohet mbi të gjitha nga mjedisi në të cilin vepron, i cili përcakton mundësitë dhe gjasat e një kompanie për të prodhuar fitime, vlerë të shtuar apo pasuri për pronarët, punonjësit e saj, si edhe për sistemin për rreth.

2. Është e dukshme se një mjedis shoqëror apo sistem burokratik i rrënuar mund ta ulë shumë vlerën e një investimi prodhues, deri sa ta shtyjë të heqë dorë vetë nga ajo që ka krijuar. Kjo gjë është e vërtetë sidomos në rastin ku investuesi është i huaj, duke qenë se, në ndryshim nga vendasit, një i huaj nuk ka motive familjare apo patriotike për të luftuar përtej një farë caku.

3. Përgjegjësia parësore e qeverisë është të mos lejojë krijimin e gjendjeve të tilla nga punonjësit publikë, si nga pikëpamja politike dhe morale, ashtu edhe ajo e zbatimit të ligjit dhe të marrëveshjeve për mbrojtjen e investimeve të huaja. Pa respektimin e tyre do të vijë në Shqipëri një kohë kur edhe kapitali i paligjshëm i narkotrafikantëve shqiptarë, i cili duhet riqarkulluar, nuk do të investohet më në Shqipëri.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama