Kur Presidenti dhe Ministri i Jashtem sillen si dy femije te pasjellshem

Kur Presidenti dhe Ministri i Jashtëm sillen si dy fëmijë të pasjellshëm

Presidenti Nishani kishte planifikuar të priste në Presidencë ambasadorët dhe krerët e misioneve shqiptare në botë, të cilët ndodhen në Tiranë për mbledhjen e tyre vjetore në Ministrinë e Jashtme.

Për takimin, Presidenti kishte dërguar ftesa individuale, por në mënyrë të pashpjegueshme nuk kishte ftuar Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati dhe zëvendësat e tij, edhe pse formalisht nuk ka qenë i detyruar ta bënte.

Ftesë nuk kishte, të paktën, as një i ngarkuar me punë, Zotin Visar Zhiti, si duket për shkak se Zoti Nishani nuk e kishte miratuar kandidaturën e tij, qeveria e kishte emëruar të ngarkuar me punë--veprim korrekt ligjor, por që qartasi anashkalon vullnetin e Presidentit.

Nga ana tjetër, është e pashpjegueshme pse Ministri Bushati dhe vartësit e tij vendosën të shkojnë tek Presidenti pa qenë të ftuar.

Gjithsesi, ata janë penguar të hyjnë nga rojet e Presidencës dhe duket se janë konfliktuar me to. Këmbëngulja e Ministrit të Jashtëm për të hyrë në takim mbasi nuk është lejuar nga rojet është edhe më absurde dhe banale.

Mbas incidentit, Presidenti ka anulluar krejtësisht takimin me ambasadorët.

Në mesazhin shpjegues ndaj ambasadorëve për turpërimin dhe injorimin që iu bëri, Presidenti shprehet se ka qenë i detyruar ta anullojë takimin, për shkak të "një incidenti shumë të rëndë që shkaktoi Ministri i Punëve të Jashtme dhe stafi i MPJ në dhunim të institucionit."

Mbasi e fyen vetë "institucionin" e Presidentit duke u sjellë si fëmijë qejfmbetur dhe duke përçmuar dinjitetin e dhjetra ambasadorëve, Presidenti Nishani ka paturpësinë të quajë "shumë të rëndë" dhe "dhunim të institucionit" një veprim thellësisht banal dhe të panevojshëm të Ministrit të Jashtëm.

Ndoshta, Komandanti ynë i përgijthshëm, edhe pse më formim ushtarak, duket se nuk e ka idenë se ç'do të thotë ngjarje e rëndë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama