Kur Hitleri lexonte Nostradamusin

Kur Hitleri lexonte Nostradamusin

Adolf Hitleri lexonte profecitë e Nostradamusit, ruante volume të tëra autorësh hebrenj të përzgjedhur me kujdes, merrte si dhurata manuale vegjetariane dhe përpinte shkrimet e filozofit nacionalist gjerman, Johan Gotlib Fishte. Të gjitha këto i ka zbuluar Timoti Ribek, studies i Harvardit, ekspert i Holokaustit. Arriti të gjente rrugën për të hyrë në bibliotekën sekrete të Hitlerit dhe po përgatitet të hedhë në treg librin "Libraria Sekrete e Hitlerit"

Si i zbuluat librat?

"Librat gjendeshin në bunkerin e nëndheshëm të Hitlerit në Berlin. Pak përpara mbërritjes së trupave të Ushtrisë së Kuqe urdhëroi të vendoseshin nëpër kuti të mëdha për t‘i dërguar në jug të Gjermanisë, në kështjellën Bershtesgaden, ku mendonte se do të mund të strehohej".

Sa libra kishte Hitleri në Bunkerin e Berlinit?

"Diçka më shumë se 1 mijë e 2 qind volume. 1 mijë prej tyre nuk kanë kurrfarë vlere, ndërsa 200 të tjerët përbëjnë zemrën e bibliotekës së tij. Mes këtyre 30-40 janë me vlerë shumë të madhe për të kuptuar cilat ishin ato argumente ku parapëlqente të përqendrohej diktatori, me cilët i pëlqente të kalonte kohën, me cilët reflektonte".

Çfarë kuptoni me "libra pa vlerë"?

"Janë volume të cilat Hitleri i grumbullonte për motive nga më të ndryshmet, por që flasin shumë pak për atë vetë. Gjendet mes tyre një i dhuruar nga Benito Musolini me datën e një udhëtimi që Fyhreri kreu në Itali. Një tjetër i dërguar nga një grua, plot me receta vegjetariane që u shkonin për shtat shijeve të tij kulinare. E një pafundësi librash të tillë. Kjo gamë mbresëlënëse volumesh vërteton më tej atë përfundim të studiuesve, sipas të cilit, ai ishte një personazh i pazbërthyeshëm. Por në këtë bibliotekë private gjenden 30-40 volume që ndihmojnë për të hyrë misterin e personalitetit të kreut të Rajhut të Tretë".

Cilës periudhë i përkasin këto 30-40 volume?

"I akumuloi gjatë rrjedhës së jetës. Të parët i bleu kur ishte veç një ushtar 26-vjeçar, të tjerët dërgoi t‘i blinin në fazën finale të luftës, kur gjendej në Bunkerin e Berlinit i rrethuar nga forcat e Ushtrisë së Kuqe. Mbi secilin prej librave shënohej data e blerjes".

Çfarë keni zbuluar duke ekzaminuar këta libra?

"Mund të ndahen në tri grupe, duke lënë të kuptohet se ishin tri fushat që përbënin më shumë interes për Hitlerin. I pari u takon filozofëve. Në bibliotekë gjenden libra të Niçes e Shopenhauerit, për të cilët historianët e studiuesit qenë në dijeni, por mes tyre gjenden edhe vepra (kjo është një surprizë) të filozofit gjerman, Fishte. Hitleri akumulonte punët e filozofit nacionalist që jetoi gjatë epokës së Napoleon Bonapartit, dhe këtu mund të hidhet një ide për mënyrën si e imagjinonte rolin e Gjermanisë, si edhe të Francës në Evropë. Grupi i dytë i librave u përket autorëve racistë e antiasemitë, nga të cilët veçoi shumë teori që më pas do t‘i jepnin jetë persekutimit të hebrenjve. Në grupin e tretë gjenden libra mbi arkitekturën, projektimin, shprehjet artistike, që përbënin edhe pasionin e tij rinor. Është interesante edhe prania e veprave kontradiktore, si ajo e autorëve të fesë hebraike...".

Hitleri lexonte autorë hebrenj?

"Po, në bibliotekë mbante libra autorësh hebraikë. Ndër mend më vjen Maks Osborn, autor i një libri mbi arkitekturën të cilin Hitleri e bleu në kohën kur ishte ushtar në frontin perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore. Libër të cilin e ruajti deri në fund, megjithëse ai vetë kishte urdhëruar dënimin e librave të Maks Osbornit, meqë ky ishte hebre".

Çfarë ju habiti më shumë në bibliotekën sekrete të Hitlerit?

"Praninë e një sasie të konsiderueshme librash shpirtërorë, mbi besimin e fenë, të cilët u përkasin pak a shumë viteve njëzetë. Por është një tjetër libër që më ka goditur në mënyrë të veçantë dhe që i përket Nostradamusit...".

Hitleri lexonte Nostradamusin?

"Kishte blerë një botim të profecive të Nostradamusit që i përkiste vitit 1921. Bëhet fjalë për një volum ku pohohet se një nga profecitë në të vërtetë i drejtohet Gjermanisë, e destinuar të niste një luftë në Evropë në vitin 1939, gjë që më pas ndodhi vërtet".

Kjo do të thotë se Hitleri e konsideronte veten instrument të profecive të Nostradamusit?

"Këtë nuk mund ta pohojmë me qartësi absolute. Ajo që dimë është se e kishte blerë atë libër shumë kohë përpara se të ngjitej në pushtet, që e ruajti me shumë kujdes deri në fundin e nazizmit dhe që parashikimi u vërtetua kur më 1 shtator të vitit 1939 Hitleri dha urdhër të pushtohej Polonia".

Timoti Ribek nuk ka asnjë dyshim se "libri mbi librat e Hitlerit" do të kontribuojë për të hapur dritare të reja mbi identitetin dhe karakterin e njeriut që terrorizoi Evropën e ndezi botën.

Marre nga : Gazeta Albania

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama