Kur Ballistet ishin kunder Ali Kelcyres

Kur Ballistet ishin kunder Ali Kelcyres
Ali Këlcyra është një nga figurat më interesante të Ballit Kombëtar, por ndërkohë edhe më të përfolurat për veprimet dhe përgjegjësitë e tij. Në kohën tonë, historianët, të ndarë edhe politikisht, e kanë ‘të vështirë’ të ndriçojnë si duhet figurën e tij, që e pati fundin, si shumë syresh, jashtë Shqipërisë. Media, gjithmonë, është munduar të shikojë anën intelektuale të tij, e cila duhet thënë se dallohej nga bashkëkohësit të tij. Një trakt të Ballit, në emigracion sesi e trajtojnë për një fare kohe kolegët, figurën e tij...

Jemi në vitet ’50. Mërgata politike shqiptare nuk e mbledh dot vetveten nga sherret e brendshme dhe nga fraksionizmi qesharak. Nëse një specialist i politikës do të hidhte sytë në ndarjet dhe nëndarjet e këtyre partive do të hiqte një paralele pa frikë me situatën e sotme politike në Shqipëri. Personazhi ynë në këtë rast është Ali Këlcyra, bej me titull, njëkohësisht i pari që i kërkoi dikur parlamentit shqiptar, ta hiqte këtë titull nga emërtimi i zakonshëm i bashkëkohësve të tij. Ishte një nga krerët e Ballit Kombëtar, por ndërkohë dhe nga personazhet më kontrovers të historisë së saj.

Në dokumentin që po botojmë kemi kohën, kur Balli është në kulmin e përçarjes së tij dhe ata nuk kursejnë dhe Ali Këlcyrën dhe me akuza, që edhe komunistat nuk ua bëjnë. Megjithatë, Ali Këlcyrën, ke ku ta kapësh. Me emrin e tij, është i lidhur traktati i vitit 1943, kur takohet me gjeneral Dalmazzon, takim i cili më 13 mars do të lindë projekt-protokoll marrëveshjen me pushtuesit për fundin e luftës. Një vit më vonë, përfundon në duar të komunistëve, por shpëton duke e liruar me ndërmjetësi. Largohet me një peshkarexhë dhe me shumë mundësi financiare me vete, siç do ta akuzojnë njerëzit e tij.

Zëri i tij është prezent në politikën shqiptare që në kohën e pavarësisë. Është në Luftën e Vlorës, njihet me Avni Rustemin është në parlament dhe përveç kësaj nuk e ndërpret formimin e tij intelektual, atë që e bën armik me bashkëkohësit e tij. Është shfaqur në jetën e vendit teksa përshëndet ardhjen e Vidit me një fjalim në frëngjisht. Pas vdekjes së Avni Rustemit largohet më dhjetor 1924 nga vendi dhe për 15 vjet endet në Itali, duke u marrë me shkollimin e vet.

Riza Cerova orvatet ta vrasë kur kthehet në Shqipëri, ndërsa në emigracion bashkëpunon për “Kotidien” dhe “Matën”,”Ymanite” “La Rypublikë”, “Liberte” etj dhe ka shumë aktivitet. Kthehet edhe njëherë tjetër në vitet ’40 në vend dhe bëhet pjesë e Ballit Kombëtar, me historinë e të cilës do të lidhet shumë deri në fund të jetës. Një vit pas vdekjes së Mit’hat Frashërit, më 1950, i bën një trakt që i ngjeth mishin ballistëve, që nga ana tjetër ia kthejnë tmerrësisht keq. JAVA po boton këtë trakt të Ballit, që ka qenë në Arkivin Qendror dhe është marrë nga spiunët e Ambasadës sonë në Paris në atë kohë. Ali Këlcyra do vijojë të jetë sërish prezent në politikën shqiptare të emigracionit deri më 24 shtator të vitit 1963, kur eksponenti i lartë i Ballit Kombëtar bie në koma. Varroset në Akatoliko di Tesaçio, në një vend ku janë figurat më të njohura të Italisë dhe përfundimisht i ndarë dhe së vdekuri larg Shqipërisë.
 
 
Balli Kombëtar  kundër Ali Këlcyrës
Kopja e Traktit
 
Kundër Ali Këlcyrës
I deklasifikuar

Kur një parti gjendet në kulmin e suksesit, atëherë i dalin njerëzit e dobët, ziliqarët e tërbuar të cilët kërkojnë të rrëzojnë me shpifje e pështyma çka është ndërtuar me bashkim, me zotësi, me djersë, me sakrifica.

Ali Këlcyra, me një trakt 10 faqësh u deklarua haptazi kundra Ballit Kombëtar, duke hedhur mbi punën, sukseset, drejtuesit dhe anëtarë të tij çpifje dhe pështymat e një beu të çmendur.

Armiqt e Ballit u kënaqën dhe fërkuan duart, ne pjesëtarët e heshtur mbetëm të mpirë para kësaj tradhtie Këlcyrjane, kurse indinjata kundra këtij fjalamani të papërgjegjshëm po hapet e çfaqet në të kaytër anët me letra e telegrame që po i dërgohen Komitetit Qendror.

I përgjigjemi Ali Këlcyrës
 
Në Nëndor 1944, në Shkodër, para tragjedisë nacionale, vetë Ali Këlcyra propozoi shkatërrimin e Komitetit të Ballit dhe shpërndarjen e anëtarëve dhe ushtarëvet. Por, Ali Këlcyra e ka harruar këtë, ai ka harruar shumë vepra të tjera, sepse n’atë kishte kujdes të shpëtonte veten dhe familjen e tijë, bashkë me 15 valixhe të mbushura me plaçka, kurse oficerët dhe ushtarët e rackapitur të ballit liheshin në kasaphanën komuniste e për të mos pakësuar florinjtë e beut të Këlcyrës
 
Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar u zgjodh nga një kongres i rregullt me unanimitet dhe u pranua me gëzim nga qindrat e anëtarëve të shpërndarë në mërgim.

Pyesim:  Kur komiteti i tanishëm i Balit paskish qenë ilegal, përse shokët e Sirisë emëruan Z. Koço Muka si anëtar të Qendrorit? Përse në kuvendin e Napolit komitetit të ballit iu dha përsëri votëbesimi?


Në kundërshtim me veten e tija, Ali Këlcyra në trakt nuk pranon as zgjedhje të reja, pastaj thotë se anëtarët e ballit janë në favor të Komitetit...

Ky kontradiksjon qesharak na bën të mejtojmë se beu demokrat pranon kongrese e zgjedhje vetëm kur shumica mund të shprehet në favorin e megallomanisë së tija...

 
Ne, ushtarët e Ballit Kombëtar, duke mos pranuar të dëgjojmë emisarin përçarës, kemi dashur t’i mësojmë politikanit profesionist, detyrën, disiplinën, respektin për hierarqinë. Më në fund ç’do të mund të dëgjohej nga goja e këtij matrapazi që çfen nëpër kafenetë e Romës me armiqtë e Ballit, kundër Ballit...?

Llafet e Ali Këlcyrës i kemi në letrat e famshme që dërgonte nga Egjypti. Në qarkoret e tijë Nr.3 që u pat dërguar antarëve të Ballit, lavdëronte Musa Jugën e C. dhe shante eksponentë të nderuar si Zef Palin, Lec Kurtin, Abaz Ermenin, Qazim Prodanin etj. Në letrat kilometrike që dërgoi nga Egjypti në ..., në Detroit, në Neë-York, Ali Beu nuk lë sharje e shpifje pa thënë kundra komitetit të Ballit kombëtar dhe kundra “komitetit Shqipëria e Lirë”.


Arsyeja e gjithë kësaj fushate të turpëshme; e thotë Klëcyra vetë...  Sepse, pas gjithë këtyre letrave dhe veprave, u la jashtë tryezës politike. Dhe aty ku nuk është Ali Beu vihet në rrezik demokracia, lindin diktaturat, vendosen tradhtia dhe klikat...
E gjora demokraci...............!
 
IX.

Patriotizma, pastërtia, nderi dhe puna e kryetarit të vdekur Mid’hat Frashëri, duhet t’i vrasi sytë dhe ndërgjegjen e këtij megalomani që s’ka turp e as burrëri.
Aureola e Lumo Skëndos nuk qëndron vetëm te familja e lavdishme, por formohet nga vetmohimi shëmbëllor, nga puna e pa rreshtur, nga rruga e drejtë, nga një jetë plot dinjitet kushtuar Kombit e ballit si “Shërbëtor i Shqipërisë”. Fryma e prishur e Ali Beut nuk mund të shuajë qirinjtë e ndezur para ikonës “Mid’hat Frashëri”.
Sa për antarët që akuzohemi për servilizëm nga një servil anormal, ne do të vazhdojmë të ndjekim gjurmët e plakut të pavdekshëm dhe të shokëve të tij besnik, të cilët punojnë në heshtje me gëzim e zotësi nën kryesin e Z. Hasan Dosti, bir i një popullit të thjeshtë.
 
X.

Ali Këlcyra dështoi me turp, ndërsa Balli Kombëtar vazhdon rrugën e bashkuar me një dëshirë me një qëllim. Dhe nuk dobësohet as nga qorrfishekët e Ali Beut, as nga planet e hesapet e ndonji tjetri. Kush kërkon të lidhet me opozitën e nacionalizmës dhe të demokracisë shqiptare, kush kërkon të poshtërojë ballin me punën e antarëve të tij, ai nuk meriton të jetë në shoqërinë tonë. “Zorra qorre” e organizmës e ballit kombëtar u pre.
 
Rroftë Balli Kombëtar
Në mërgim, Qershor 1950
Anëtarët e Ballit Kombëtar

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama