Kuqezinjte mund te shkojne larg ne France

'Kuqezinjte mund te shkojne larg ne France'

Trajneri Shpëtim Duro, në një intervistë për Mapon flet edhe për lojtarët e huaj në vendin tonë

Viti 2016 është viti ku kombëtarja kuqezi do të debutojë në finalet e një kompeticioni prestigjioz, siç është ajo e Kampionatit Europian të futbollit “Francë 2016”. E kualifikuar si e dyta në grup, gjatë fushatës eliminatore, kuqezinjtë mbërritën në vijën e finishit të dytët pas Portugalisë, ku luan njëfarë Cristiano Ronaldo, si edhe Bernard Silva apo Nani..etj. Ndërkohë që skuadra e drejtuar nga strategu italian, Xhani De Biasi, la pas përfaqësuesen daneze, kampione e Europës në vitin e largët 1992, teksa në vend të katërt e mbylli Serbia, ku siç dihet, përfaqësuesja e Ballkanit ka qenë dhe mbetet një minierë lojtarësh cilësorë, që furnizon me futbollistë skuadrat më në zë në Europë, shih këtu Ivanoviç tek Chelsea, apo lojtarë të tjerë që kanë qenë pjesë e elitës së futbollit botëror. Përfaqësuesja serbe ka qenë gjithnjë një nga ato skuadra që nuk i kanë munguar thuajse asnjëherë pazëllit të finaleve të kompeticionit europian. Lidhur me këtë arritje, tekniku Shpëtim Duro, që njihet aftësinë e tij për të ndërtuar në një kohë të shpejtë skuadra triumfuese, është shprehur me vlerësime maksimale (në sensin pozitiv) për ecurinë e kombëtares dhe besim plotë për ecurinë e saj në kompeticionin në fjalë, që pritet të nis në muajin qershor dhe që do të zgjas diçka më shumë se një muaj.  “Vlerësimi për ekipin kombëtar është maksimal në sensin pozitiv, sepse është arritur një objektiv historik me pjesëmarrje në një europian. Jam i bindur që paraqitjet e ekipit tonë në Francë do jenë pozitive, sepse kemi një organikë të mirë lojtarësh”, – tha Duro gjatë intervistës për gazetën “Mapo”. Tekniku Duro gjithashtu theksoi se skuadra kuqezi nuk ka ndonjë lojtar që bënë diferencën, por sekreti i kuqezinjve është grupi dhe entuziazmi që japin dhe marrin nga publiku besnik që e ndjek gjithnjë. “Përkrahja dhe mbështetja do jetë e madhe nga tifozeria mbarëshqiptare dhe në aspektin psikologjik nuk jemi të ngarkuar duke pasur parasysh se kemi arritur një objektiv madhor, duke marrë pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm. Tek skuadra jonë nuk ka lojtar që bëjnë diferencën, por ajo mbështetet në funksionimin e lojës në grup që është një armë dhe element shumë i rëndësishëm ku duhet të bazohemi”, vijoi Duro.

Ai gjithashtu uroi kombëtaren shqiptare për të arritur rezultate sa më të mira. “Nuk kam sugjerim por një urim për De Biazin dhe skuadrën tonë për paraqitje sa më pozitive në Europian”, – tha ai. Kujtojmë Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është pjesë e grupit A, në finalet e Europianit “Francë 2016”, së bashku me Zvicrën, Francën dhe Rumaninë.

Gjatë intervistës për MAPO-n, trajneri Shpëtim Duro ka cekur dhe disa nga problematikat që ka kampionati ynë kombëtar. Sipas teknikut Duro, në kohën kur ai trajnonte Partizanin (sezonin e shkuar), rivaliteti ka qenë edhe më i lartë. Këtë strategu e argumenton me numrin e skuadrave që ishin në luftë për titull. “Kampionati i sezonit kaluar ka qenë më i bukur dhe rivalizues, ku siç dihet, deri në javët e fundit ka pasur rivalitet midis 4 skuadrave për titullin kampion”, – tha ai. Sipas tij, edhe këtë vit të kuqtë janë pretendentë dhe mund të thyejnë tabunë e Skënderbeut.  “Partizani i ka të gjitha mundësitë për të sfiduar Skënderbeun se diferenca është e rikuperueshme”, – tha tekniku Duro. Ai shtoi se gjatë merkatos së janarit janë bërë shumë lëvizje, të cilat nuk i vlerëson pozitive për shkak se prishin ekuilibrat e skuadrave. “Disa skuadra kanë bërë shumë lëvizje në periudhën e janarit, por personalisht jam kundër këtyre lëvizjeve. Në qoftë se i referohemi ndeshjeve të para të Kupës, – theksoi Duro, – nuk më ka bërë përshtypje asnjë lojtar i huaj që bën diferencën, përkundrazi skuadra si Tirana, Teuta, Laçi që kishin po atë organikë të të dyja fazave të para bënë paraqitje më të mira, kjo është arsyeja që jam kundra lëvizjeve të shumta në janar”, – tha Duro.

Ai mori dhe një shembull lidhur me këtë pjesë. “Në janarin e kaluar, kur drejtoja Partizanin, nuk kam afruar asnjë lojtar nga jashtë dhe Partizani ruajti të njëjtin rendiment, ndryshe nga skuadra të tjera që ndërhynë në merkato”, – tha Duro. Duke folur për lojtarët e huaj që vijnë në vendin tonë, ai tha se asnjë nuk ka bërë diferencën deri më tani dhe nëse do i duhej të përmendte dy emra, ata do ishin: sulmuesi Laçit, Xhejms dhe ish-sulmuesi i Skënderbeut, Peter Olayinka, por arsyen se përse këta kanë bërë diferencën, Duro e shpjegon si më poshtë. “Për Xhejms e Olayinka ndryshon situata, sepse ato kanë ardhur në moshë shumë të re në vendin tonë dhe kanë ardhur jo si përforcime të mëdha në skuadrat kryesore, por për disa vite janë aktivizuar me Bylisin dhe aty kanë shfaqur vlerat e tyre në rritje”, thotë ai. Tekniku Shpëtim Duro shprehet totalisht kundër rritjes së numrit të lojtarëve të huaj në formacionet e skuadrave shqiptare. I pyetur për debatin e ngritur në botën e futbollit, lidhur me rritjen e numrit të lojtarëve të huaj në formacion, sipas një kërkese publike të bërë nga skuadra si Flamurtari dhe Partizani, strategu Duro shprehet kundra. “Jam kundër rritjes se numrit të lojtarëve të huaj në superligën shqiptare, sepse mbyll hapësirat e lojtarëve të rinj shqiptarë. Drejtuesve të klubeve u sugjeroj të kenë plan afatgjatë dhe konkret në klubet e tyre, të vënë theksin te përmirësimi i infrastrukturës dhe mbështetja tek elementi i ri”, përfundon Duro.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama