Kultura ne shekujt e pare te eres sone

Në shek. I të e.sonë, me pushtimin e plotë të Ilirisë, nisi të përhapej edhe kultura romake, duke u ndërthurur me kulturën vendëse ilire dhe duke zhdukur pak nga pak edhe ndryshimet kulturore që ekzistonin deri atëherë midis krahinave ilire. Një rol të rëndësishëm në përhapjen e kulturës romake në provincat ilire ka luajtur aparati administrativo-ushtarak i pushtuesve romakë. Vatra kryesore të përhapjes së kulturës romake u bënë kolonitë e municipet, ato qytete, të cilat si pasojë e organizimit të ri administrativ u bënë qendra të rëndësishme ekonomike dhe patën një jetë të gjallë kulturore-artistike. Dukuritë më të shumta kulturore, të ndikuara nga Roma, zunë vend, në masën më të madhe, tek banorët e ardhur nga Italia ose nga provincat e tjera dhe te përfaqësuesit e shtresës së pasur vendëse.
Në provincat ilire, sikurse edhe në provincat e tjera të perandorisë romake u zhvilluan arkitektura zyrtare, skulptura - veçanërisht portreti, arti i mozaikut dhe piktura murale.
Pushtuesit romakë për nevojat e tyre bënë ndërtime të shumta, të cilat në disa raste ndryshuan planet e vjetra urbanistike të qyteteve. Këto ndryshime në planin urbanistik të qyteteve të vjetra në provincat jugore ilire u bënë sepse romakët nuk ngritën ndonjë qytet të ri. Më qartë ato shihen në Buthrot e Apoloni. Në njërën nga tarracat e mëdha, të formuara në kodrën ku shtrihej qyteti i Apolonisë, në pjesën perëndimore të saj, gërmimet kanë nxjerë në dritë tepricat e një ansambli godinash me karakter shoqëror të ngritura në fillim të shek.II e.sonë. Këto ndërtime, që i takojnë lagjes qendrore të qytetit, u bënë mbi rrënojat e godinave më të lashta ose duke i ndryshuar ato që i përkisnin gjithashtu qendrës së qytetit para pushtimit romak.
Në ansamblin e godinave të kësaj pjese qendrore të qytetit, bënin pjesë një teatër i vogël i mbuluar (odeon), një bibliotekë dhe një godinë me një fasadë monumentale, e quajtur në literaturën arkeologjike, monumenti i agonotetit, e cila ka shërbyer si seli e këshillit të qytetit (buleteurion). Me interes është këtu edhe mbishkrimi i skalitur në arkitekturën e fasadës që tregon, jo vetëm se kush e kishte ndërtuar këtë godinë monumentale, por edhe se me rastin e inaugurimit të saj ishin organizuar dyluftime midis 25 çifte gladiatorësh. Kjo supozon se në atë kohë në Apoloni ekzistonte një arenë amfiteatër i madh dhe se luftimet e gladiatorëve ishin shfaqje të futura nga shtresa skllavopronare sunduese e italike. Me kompleksin e godinave me karakter shoqëror të mësipërme lidhej edhe një hark triumfi me tri porta, i ngritur në mes të sheshit dhe një rrugë magjistrale, e cila nga godina e këshillit zbriste në drejtim të lagjeve të pjesës perëndimore të qytetit, ku ndodheshin edhe banesat e parisë skllavopronare apoloniate. Të gjitha këto godina nga pikëpamja e planimetrisë dhe e teknikës së ndërtimit nuk ndryshojnë nga ato bashkëkohëse të ngritura në provinca të tjera ballkanike.
Një plan të ri urbanistik ka pasur, në shekujt e parë të erës së sonë, edhe qyteti i Buthrotit. Nuk ka të dhëna që të provojnë nëse në fillim të erës sonë ndryshoi plani urbanistik i qytetit të Dyrrahut. Megjithatë, dihet se në këtë qytet, në shek. II, u ndërtua një amfiteatër i madh, një pjesë e të cilit është zbuluar.
Një zhvillim të mirë ka pasur në tre shekujt e parë të e. sonë edhe arti plastik, skulptura. Skulpturën e kësaj kohe e njohim në mënyrë të veçantë nga zbulimet e bëra në rrënojat e Apolonisë. Karakteristike për skulpturën apoloniate të kësaj kohe është se një pjesë e mirë e veprave skulpturore i mbetën besnike traditave të artit klasik e helenistik ose riprodhojnë vepra më të njohura të artit grek, kurse në portretet shpesh janë zbatuar rregullat kompozicionale dhe të skalitjes karakteristike për skulpturën romake. Në vargun e gjatë të skulpturave apoloniate të tre shekujve të parë të erës sonë ka vepra origjinale, të denja për mjeshtra të zotë e me përvojë të madhe, portrete të stilit augustian e më të vona, si busti i Karakallës e ndonjë tjetër, por ka edhe kopje të veprave klasike, të cilat kanë një forcë të madhe shprehëse, janë shumë të bukura dhe dëshmojnë për një pjekuri artistike të autorëve të tyre (portreti i Demostenit, busti i Filozofit e ndonjë tjetër). Ndryshe ka ndodhur në relievin sidomos atë mortor, ku nuk ndeshen më kompozimet e bukura të stileve sepolkrale apoloniate dhe në vend të tyre skaliten relieve me një dekoracion uniform e monoton të marrë nga repertori i stileve romake.
Në plastikën e vogël vendin kryesor e zënë figurinat prej bronzi, të gjetura në qytete dhe në lokalitete fshatare. Në këto figura bronzi të vogla, të prodhuara më të shumtën në seri, të cilat lidhen me hyjni ashtu edhe me personazhe laike (aktorë, fëmijë, atletë etj.), ka edhe modele me vlera artistike të vërteta.
Një përhapje të gjerë, gjatë periudhës së pushtimit romak ka pasur edhe arti i mozaikut. Edhe mozaikët dhe zhvillimi i tyre, ashtu sikurse veprat më të bukura të arkitekturës dhe të skulpturës, kanë qenë lidhur me shtresat e larta të provincave, si të atyre të qyteteve, ashtu edhe të vendbanimeve fshatare, të zotëruesve të vilave e latifondistëve. Në këta mozaikë ku mbizotëron dekoracioni gjeometrik ndeshen edhe elemente e skena të marra nga mitologjia greke e tejlashtë (Akili e Pentesilea në mozaikët e Apolonisë etj.).
Ndryshime të dukshme ndodhën edhe në kulturën materiale e shpirtërore, veçanërisht në qytetet dhe në periferitë e tyre. Krahas me futjen në prodhim të një sërë veglash të reja pune, gjatë shekujve të parë të pushtimit romak hyjnë në përdorim edhe stoli të reja, një pjesë prej të cilave lidheshin me modele veshjesh të ardhura. Midis stolive vendin e parë e zënë fibulat, funksioni i të cilave sigurohej nëpërmjet një thumbi ku kapej gjilpëra, duke u zënë vendin atyre fibulave ku mbyllja sigurohej nëpërmjet një spiraleje, nga dilte gjilpëra. Fibula të kësaj kohe të llojit të quajtur “Aucissa”, me këmbë përthyer ose të tipit “pincete” përhapen gjerësisht në provincat jugore ilire.
Me forma e teknikë të re paraqitet në tre shekujt e parë të erës sonë edhe qeramika, duke përfshirë edhe qeramikën e ndërtimit. Përveç punishteve të poçarisë vendëse, që prodhojnë forma enësh të zakonshme, edhe në provincat e tjera romake, një përhapje të gjerë mori në dy shekujt e parë (në drejtim më tepër si imitacion) qeramika e quajtur “terra sigillata”. Në këtë kohë zgjerohet më shumë edhe përdorimi i enëve prej qelqi.
Në qytetet e në zonat fshatare deri në thellësi hyjnë në përdorim tjegulla - solene e kaliptere - të lakuara, tulla me trajta e përmasa të ndryshuara, ndërsa në ndërtim hynë llaçi e gëlqerja, të cilat sollën ndryshime në teknikën e ndërtimit, në cilësinë dhe në pamjen e godinave.
Ajo që bie në sy në gërmimet e zbulimet arkeologjike është se këto ndryshime në kulturën materiale sikurse shfaqjet e tjera të kulturës së veçantë, i takojnë ultësirës bregdetare, periferive të qyteteve dhe disa luginave të përshkuara nga rrugë magjistrale. Në këto krahina është vërejtur edhe prania e kulteve të hyjnive romake dhe më rrallë edhe të hyjnive me prejardhje lindore. Viset e brendshme ilire u prekën shumë më pak nga ndikimet e kulturës romake. Në përgjithësi në këto krahina elementet e kulturës materiale e shpirtërore romake janë të pakta, ndërsa ato vendase më të shumta. Ky raport do të thellohet edhe më tepër në shekujt që pasojnë, në kohën e krizës së skllavopronarisë, kur elementet kulturore vendase, tradicionale e të reja zënë një vend gjithnjë e më të madh në jetën e banorëve të provincave ilire.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama