Kukesi kryeqendra shqiptare me 16 prill

Kukesi, kryeqendra shqiptare me 16 prill

Përkujtimi i eksodit të vitit 1999, me rastin e 15-vjetorit, e bën qytetin e Kukësit kryeqendër të shqiptarëve, pasi aty do të shkojnë edhe dy kryeministrat, përkatësisht Rama dhe Thaçi dhe do të mbahet, siç është njoftuar, edhe një takim i përbashkët i dy qeverive. Gjatë ditës së sotme, 16 prill 2014, të dy kryeministrat do të kenë një axhendë të ngjeshur, ku në sheshin kryesor do të ndjekin një panair biznesi, ndërsa çka është më kryesorja dhe arsyeja e krejt manifestimit, ata do të vizitojnë një kamp refugjatësh në miniaturë në një prej shesheve, ku 15 vite më parë kanë qëndruar jo më pak se gjysmë milion njerëz. Më pas është parashikuar të ndjekin një koncert me këngëtarë të muzikës sonë dhe në fund të dy kryeministrat do të vizitojnë në mjediset e kompanisë “Valdrin” ekspozitën me titull “Miti i vendlindjes” të piktorit të njohur modernist, akademikut Rexhep Ferri.

Mbledhja e qeverive

Askush nuk mund të thotë me shumë saktësi se cila do të jetë axhenda e takimit, por një numër çështjesh rrinë pezull mes dy qeverive, e kryesisht ato që kanë të bëjnë me shkëmbimet doganore, njësimin e taksave dhe çmimeve të referencës, madje kalimin e një numri procedurash në vetëm një sportel e deri te bashkim i plotë doganor, ashtu si në mes shteteve të BE-së. Planet e përbashkëta të dy palëve janë bërë tashmë të ditura edhe në takimet e mëparshme në Prizren, por një numër sfidash pritet të diskutohen edhe në takimin e sotëm. Ekspertët e pyetur se çka mund të pritet nga një takim i tillë ndahen në opinione pro dhe skeptikë. Sipas disa opinioneve në Kukës dhe më gjerë, Shqipëria dhe Kosova janë ende shumë larg, përderisa janë ende me monedha të ndryshme dhe legjislacion të ndryshëm në çdo aspekt. Megjithatë afrimi ka nisur.

Bashkia e Kukësit, nëpërmjet kryetarit Halilja, shprehet se shpreson shumë që takimi i dy qeverive do të shoqërohet me investime, kur në të vërtetë Kukësi prej më shumë se një viti ka mbetur në stanjacion, për të përdorur një fjalë të butë, madje shumë biznese kanë lënë investimet në gjysmë për mungesë fondesh pa llogaritur kuota të larta të debive që shteti dhe pushteti vendor kanë krijuar ndaj të tretëve. Kuksianët janë përgatitur t’i kërkojnë Ramës investim në segmentin e autostradës nga Kukësi deri në Morin, duke ndërtuar urat e lëna përgjysmë, segment që po merr jetë njerëzish me aksidentet e panumërta që po ndodhin.

Kukësi po kthehet në kryeqendër vetëm në një ditë, krejt ndryshe nga çfarë ishte në pranverën e vitit 1999. Në atë kohë ai u bë qendra e botës për faktin se mediat e vendeve të ndryshme përcollën të habitur mrekullinë e solidaritetit njerëzor, të bujarisë dhe korrektesës, një tipar human që bota pothuajse e ka harruar. Vetë Sadako Ogata, komisionere e OKB-së për refugjatët që erdhi në Kukës, tha se këtu po shkruhet historia moderne e humanizmit. Sepse krejt vala e parë prej 150 mijë njerëzish u strehua nëpër familjet e Kukësit të vogël e të varfër deri në ekstrem. Dhe OKB, me të drejtë, e kishte futur edhe Kukësin në planin e vet të ndihmës. Bujaria e familjeve të këtij qyteti dhe fshatrave përreth bëri që ky qytet të nominohet po ashtu nga organizmat ndërkombëtarë si kandidat për çmimin “Nobel” për paqe.

Minikampi

Trupat xheniere të ushtrisë shqiptare kanë ngritur në afërsi të prefekturës një minikamp me 20 apo 30 tenda për të risjellë në kujtesën e njerëzve situatën e vitit 1999, ku në Kukës vërshuan rreth gjysmë milion banorë të dëbuar me dhunë e me gjenocid nga trojet e tyre në Kosovë. Një kamp i posaçëm, i ngritur pikërisht aty ku dy kryeministrat do të bëjnë vizitën e tyre, ka shërbyer si strehimore transit për valën e madhe të njerëzve që dëboheshin nga Kosova, ndërsa prej aty dërgoheshin në rrethe të tjerë të vendit.

Meta, “Qytetar Nderi” i Kukësit

Pak më parë, Këshilli i Bashkisë së Kukësit votoi një propozim për ta shpallur Ilir Metën, “Qytetar Nderi” pasi, siç thanë propozuesit, ai ka shërbyer në Kukës për dy javë si i dërguar i qeverisë në menaxhimin e krizës. Në atë kohë, Ilir Meta ka qenë zëvendëskryeministër dhe ka punuar bashkë me pushtetin vendor, duke siguruar stabilitetin e situatës. Vlerësimi i Metës ka bashkuar me kryetarin e bashkisë, forcat e majta dhe disa forca të djathta në këshill, por jo PD-në. Kryetari i PD-së së rrethit, Ibsen Elezi, kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë ka thënë se Meta nuk e meriton nderimin nga Kukësi, pasi menjëherë pas krizës, ai shmangu investimet e dedikuara Kukësit. Bëhet fjalë për një donacion të qeverisë amerikane për të ndërtuar segmentin e parë të autostradës së sotme nga Kukësi deri në Morin. “Në letra, asaj rruge iu vu emri Klinton, por fondet, Meta, në atë kohë kryeministër, i devijoi diku tjetër”, tha Elezi. Ai e akuzon edhe për blerje votash në zgjedhjet e fundit. Ndërsa njerëz të thjeshtë thonë se para Metës duhej vlerësuar Pandeli Majko, në atë kohë Kryeministër, i cili gëzon simpatinë e të gjithë shqiptarëve të Kosovës.

Pse më 16 prill

Menjëherë pas krizës së Kosovës, Parlamenti i Shqipërisë ka votuar një ligj të posaçëm, në të cilin sanksionohet se mesi i prillit, data 15 ose 16, do të festohet si Dita e Eksodit. Në atë kohë kanë votuar për këtë, deputetët e majtë dhe të djathtë. Për 16 prillin kanë manifestuar në disa vite edhe mijëra kosovarë, të udhëhequr nga asociacioni i Mitrovicës “Eksodi 99” dhe Shoqata e Komunave të Kosovës. Por me kalimin e kohës çdo gjë u zbeh.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama