Kukan Reforma territoriale dhe administrative eshtrat e procesit integrues

Kukan: Reforma territoriale dhe administrative, eshtrat e procesit integrues

Zëvendëspresidenti i grupimit të majtë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, mbrojti draftin e paraqitur për Shqipërinë në Komitetin e Jashtëm, ku vendi nxitet për të përmbushur 5 prioritetet kyçe për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në, por pa propozuar ndonjë datë.

Raportuesi rrëfeu se kishte marrë shumë ankesa për administratën publike, të cilat ia ka përcjellë Avokatit të Popullit. Ai deklaroi se, Shqipëria duhet të mbështesë reforma në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Gjithashtu duhet rritur besimi ndaj institucioneve demokratike në vend.

“Reforma ambicioze për administratën publike në Shqipëri është absolutisht jetësore, pasi ajo hap  rrugën për të gjitha reformat e  tjera, e për këtë arsye në draft-raport i kam dhënë shumë peshë kësaj reforme. Ka nisur zbatimi i Ligjit të ri për Shërbimin Civil, që synon zhdukjen e korrupsionit dhe një administratë të depolitizuar dhe më profesionale. Personalisht marr shumë letra e mesazhe nga qytetarët shqiptarë që ankohen për administratën publike dhe kam biseduar me Avokatin e Popullit se sa e rëndësishme është që të ndiqen ato, të ndërmerren veprime. Korrupsioni dhe krimi i organizuar duhen luftuar në të gjitha nivelet me përpjekje të suksesshme që përfshijnë të gjitha institucionet në një qasje më strategjike. Për nisjen e negociatave të anëtarësimit, Shqipëria duhet të mbështesë reforma të qëndrueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftën ndaj korrupsionit. Gjërat duhet të ndryshojnë për mirë atje, në mënyrë të prekshme për qytetarët shqiptarë. Duhet rritur besimi publik ndaj institucioneve demokratike në vend dhe shoqëria civile duhet të përfshihet më shumë në çështjet publike e politike”, u shpreh Fleckenstein.

Kukan: Reforma  territoriale dhe ajo për administratën publike, përbëjnë eshtrat e procesit integrues

Raporti i parë i Fleckenstein për Shqipërinë, u vlerësua si "i mirë dhe i ekuilibruar" nga grupet e tjera politike dhe përfaqësuesi i Komisionit Evropian, i cili u ngacmua nga eurodeputeti rumun Bostinaru për "nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë, në mënyrë që procesi i zgjerimit të mbetet i besueshëm". Dialogu i qëndrueshëm politik, korrupsioni, gjyqësori, krimi, ekonomia dhe administrata, ishin temat kryesore gjatë diskutimeve në Komitetin e Jashtëm.

"Për mua, raporti është i mirëbalancuar dhe tregon sfidat kyçe që përball vendi, por jam i sigurt se do të jetë edhe më i mirë pas diskutimit të amendamenteve. Shqipëria mori statusin kandidat vitin e kaluar pas tensioneve të gjata politike. Në fakt konfrontimet politike ishin pengesa kryesore për të vijuar me procesin e integrimit të Shqipërisë. Ndaj e vlerësoj që raporti thekson rëndësinë e dialogut politik, zgjidhjeve përmes kompromisit, dhe nevojën për të përmirësuar kulturën politike. Sundimi i ligjit, korrupsioni e krimi i organizuar mbeten çështje të rëndësishme. Reforma e gjyqësorit dhe pavarësia e tij duhet të ketë përparësi. Reforma administrative territoriale dhe për administratën publike duhen nënvizuar gjithashtu në raport. E di se të dy këto reforma kontestohen politikisht, por besoj se në fund ato do të ndihmojnë vendin të ketë një shërbim më të mirë civil dhe një administratë efiçente publike, që përbëjnë eshtrat e procesit integrues”, tha Kukan.

"Në emër të Komisionit dua të theksoj punën e bërë nga raportuesi dhe zoti Kukan, me përpjekjet ndërpartiake për të kthyer, pas bojkotit, opozitën në Parlament me marrëveshjen e arritur dhjetorin e kaluar. Zbatimi pa pengesa i saj është tashmë kyçe për të garantuar qëndrueshmërinë e reformave evropiane të Shqipërisë. Mendoj se është thelbësore të përpiqemi të gjejmë se si të pëlqehen reformat që lidhen me BE. Ne pajtohemi me vlerësimin e raportit se qeveria dhe opozita ndajnë përgjegjësi së bashku ndaj qytetarëve shqiptarë për tu angazhuar në dialog konstruktiv në Parlament. Draft-rezoluta njeh qartë progresin e bërë në Shqipëri, por nuk mendoj se ky është momenti për t'u ankuar. E vlerësoj pikëpamjen e draft-rezolutës se statusi kandidat duhet të provokojë nxitjen për reforma në Shqipëri dhe shumë mbetet për t'u bërë përballë 5 sfidave kyçe, sidomos për reformën e administratës publike, sundimin e ligjit, dhe të drejtat themelore. Këtu, rezoluta bën analizën e duhur duke theksuar nevojën për reformën e plotë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë, si dhe për zhvillimin e gjurmëve solide të provave  në luftën ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Kjo mendoj është kyçe për integrimin evropian të Shqipërisë në të ardhmen, por është kyçe dhe për ne që të shesim zhvillimet e Shqipërisë tek qytetarët tanë. Për t'ju përgjigjur zotit Tanock, nëse sheh aktualisht faktet për kalendarin e vitit 2014, Shqipëria arriti të shquhej në përputhjen e saj 100%  me Komitetin e Politikave dhe të Sigurisë e qëndrimet e BE-së. Ky është një aset i fortë për vendin në rrugën drejt BE-së", tha Simon Mordue, përfaqësues i Komisionit Europian.

Ndjekës-raportuesi në grupin konservator, Charles Tannock, si zakonisht, nuk harroi 'pjesëmarrjen problematike' të Shqipërisë në konferencën islamike, por përmendi dhe '500 shqiptarë që luftojnë në Siri dhe Irak', megjithëse ai dyshonte se në këtë shifër përfshiheshin dhe shqiptarët e shteteve të tjera të Ballkanit. Për liberalët, të rëndësishme janë reformat strukturore dhe  zhvillimi ekonomik, liria e medies, barazia gjinore dhe përfshirja sociale e minoriteteve, gjë e cila u mbështet dhe nga eurodeputetja sllovene Tanja Fajon, veçanërisht për romët, nisur dhe nga shqetësimi për numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë. Ndërkohë që për minoritetin grek u shpreh përfaqësuesi i Agimit të Artë në Komitetin e Jashtëm, mjaft i shqetësuar dhe për "Shqipërinë e Madhe "

"Në Shqipëri ka disa grupe politike që mbështeten nga qeveria, të cilët kërkojnë krijimin e Shqipërisë së madhe. Janë të organizuar mjaft mirë për këtë.  Lidhen me internet. Kanë flamurin e tyre, e madje dhe hartën në të. Së fundi ishte ndeshja mes kombëtareve të Shqipërisë dhe Serbisë dhe në Beograd u mblodhën shqiptarë nga gjithandej, Kosovë, Maqedoni, Greqi, e vende të tjera. Problemi me mbështetësit e Shqipërisë së Madhe është se ata duan Epirin, veriun e Greqisë dhe tolerohen nga qeveria shqiptare, e cila nuk po respekton të drejtat e shtetasve grek në Himarë, që u detyruan të marrin pasaportë shqiptare. Mendoj se duhet ta përfshini në raport”, tha George Epitideios, eurodeputet grek, përfaqësues i Agimi të Arte.

"Bashkëjetesa e komuniteteve fetare është diçka për të cilën qytetarët shqiptarë janë krenarë dhe mendoj se duhet ta eksportojnë vërtet këtë, sa më shumê të munden, edhe në vende të tjera, sepse është shembull i mirë, madje mund të ishte shembull i mirë dhe për klasën politike. Së fundi, për Shqipërinë e Madhe. Ata nuk marrin pjesë në politikë. Nuk luajnë rol në shoqërinë civile. Për këtë arsye, nuk mund të jetë në raportin tim”, theksoi Fleckenstein.

Drejtuesi i seancës njoftoi se 3 marsi është afati i fundit mbi propozimet e eurodeputëtëve për ndryshime në draft. Raportuesi siguroi një muaj kohë për të punuar më pas me grupet politike mbi amendamentet e kompromisit. Kështu që, rezoluta për Shqipërinë pritet miratohet në fund tê Prillit gjatë sesionit plenar në Strasburg.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama