Kujtohet eksodi kosovar Thaci-Rama Lufta e shqiptareve e drejte ne kerkim te lirise

Kujtohet eksodi kosovar, Thaci-Rama: Lufta e shqiptareve, e drejte ne kerkim te lirise

Qeveritë e dy shteteve të kombit shqiptare ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë janë takuar sot në Kukës, për të përkujtuar 15-vjetorin e eksodit të dhimbshëm të vitit 1999 ku qindra mijëra kosovarë iu drejtuan bashkëkombësve të tyre për t’i shpëtuar persekutimit çnjerëzor serb të Millosheviçit.

Dy kryeministrat, Edi Rama dhe Hashim Thaçi bashkë me kabinetet e tyre qeveritare kanë marrë pjesë në ceremoninë e nisjes së aktiviteteve të parashikuara për ditën e sotme, të cilat janë të shumta, ndërsa më pas janë drejtuar në Pallatin e Kulturës së qytetit të Kukësit ku eshte zhvilluar konferenca “Nga eksodi te partneriteti strategjik”. Fillimisht për të pranishmit është shfaqur një dokumentar me pamje të luftës së dhimbshme që solli mijëra të vdekur e të zhdukur, e deri te zgjidhja e krizës me bombardimet e NATO në Serbi dhe shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e demokratik.

Rama: Lufta e kosovarëve e drejtë, dialogu i sotëm me Serbinë i hap rrugë paqes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama vlerësoi luftën e drejtë të popullit të Kosovës dhe aleancën më të madhe ushtarake që u bashkua krah për krah shqiptarëve, ndërkohë që nuk harroi të përmendte edhe qeverinë e atëhershme të Shqipërisë me kryeministrin Pandeli Majko, e cila me mobilizimin e saj të menjëhershëm iu gjend pranë vëllezërve kosovarë.

Rama vlerësoi më tej edhe kontributin e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili sipas Ramës, me kurajën e tij për t’u ulur në tryezë me armiqtë e vet ka hapur rrugën e paqes ‘me ata që deri dje ishin sundimtarë brutalë në tokën e shqiptarëve’.

“Paqja e rajonit kërkon më shumë bashkëpunim në mënyrë që të kapërcehen pengesat që nuk mund të kapërcehen dot. Jam i bindur që kjo është një kohë e re që do të bëjë të reflektojnë të gjithë lidhur me të ardhmen e rajonit dhe lidhur me kohën që nuk pret për integrimin e këtij rajoni në Europën e bashkuar. Qeveria jonë dhe e Kosovës po ecin bashkë në një rrugë të përbashkët për ta kthyer kohën e re në një histori të re bashkëpunimi”, shtoi kryeministri shqiptar.

 Thaçi: Faleminderit Rama, bëri të mundur atë që nuk u bë për 15 vjet

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi falënderoi në mënyrë të veçantë kryeministrin shqiptar, Edi Rama i cili sipas tij bëri të mundur në 6-7 muaj të qeverisë së tij, atë që nuk qe e mundur të bëhej në 15 vjet Kosovë e lirë; mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive që i shërben rritjes së bashkëpunimit dhe përbashkimit mes dy shteteve të një kombi.

“Një falënderim të veçantë për Kryeministri Rama, që bëri të mundur atë që nuk u bë e mundur në 15 vjet të Kosovës në liri në 6-7 muaj të qeverisë së tij, takimin e përbashkët të dy qeverive tona”, u shpreh Thaçi.

Më tej kreu i qeverisë së Kosovës theksoi se politikat gjenocidale ndaj popullit kosovar ishin krime kundër mbarë njerëzimit dhe se ky përvjetor shërben për të ritheksuar qartë bindjen se lufta e shqiptarëve të Kosovës ishte e drejtë dhe legjitime.
“Në këtë ditë ne ritheksojmë qartë me bindje se lufta jonë ishte e drejtë dhe legjitime dhe askush nuk mund ta njollosë. Sot i jam mirënjohës kryeministrit Rama që ka bërë të mundur që kjo ditë të përkujtohet ashtu siç e meriton”, – deklaroi Thaçi.

Pacolli: Të shkojmë drejt bashkimit të vërtetë kombëtar

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, falënderoi të dyja qeveritë Shqipëri-Kosovë për hapat e ndërmarrë në rritjen e bashkëpunimit mes shteteve, ndërsa bëri thirrje për nisma të tjera edhe më konkrete në mënyrë që sipas tij të shkohet drejt bashkimit të vërtetë kombëtar.

Pacolli kërkoi që të bëhet e mundur heqjen e barrierave doganore për lëvizjen e mallrave dhe qytetarëve, pasi siç u shpreh ai, nuk mund të ketë kufij mes dy vendeve tona si dhe kërkoi nga qeveria e Shqipërisë bërjen funksionale të aeroportit të Kukësit.

Ministrat e Jashtëm Bushati-Hoxhaj: Shqiptaret i treguan botes çfare eshte mikpritja

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ne fjalen e tij ne nisje te aktivitetit kushtuar 15-vjetorit te eksodit te shqiptareve te Kosoves, e vuri theksin tek mikpritja që treguan shqiptarët për vëllezërit e tyre.

“Jemi mbledhur për të përkujtuar eksodin e 1 milion shqiptarëve në një kohë të errët. Shpirti i shqiptarit nuk u përkul dhe i tregoi botës çfarë do të thotë mikpritje dhe vëllazëri. Jemi mbledhur së bashku nga të gjitha trevat shqiptare për të konfirmuar vlerat tona europiane dhe për t’i shprehur mirënjohjen SHBA-së dhe NATO-s”, tha Bushati.

Ndërsa ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, e konsideroi këtë mbledhje si një “pikëtakim i elitave politike dhe të ardhmes sonë të përbashkët”.

Hoxhaj falenderoi edhe qytetarët kuksianë që ndihmuan familjet kosovare gjatë eksodit: “Kur kosovarët ishin para asgjësimit fizik, ishin kuksianët dhe shumë familje të tjera shqiptare që hapën dyert duke pranuar mijëra familje nga Kosova. I falenderojmë kuksianët dhe shqiptarët për mikpritjen vëllazërore”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama