Krzysztof Zanussi Kur fillon njeriu ta shese shpirtin

Krzysztof Zanussi: Kur fillon njeriu ta shese shpirtin
Intervista me një përfaqësues të avangardës polake, Krzysztof Zanussi, bazuar në "Kujtime", filmi i tij fundit, shfaqur premierë në Durrës, ndalet: në idenë bardhë e zi të së keqes në komunizëm, në aplikimin e një marksizmi vulgar, në marrëdhëniet gjinore dhe feminizmin e keq, në manipulimin shpirtëror të brezit të ri.

Krzysztof Zanussi i ka kapërcyer të shtatëdhjetat. Udhëton shumë, trupi i tij është në gjendje të përhershme pune, e sidomos mendja e tij. Kineast sa edhe filozof, fusha që ai do t'i bashkojë në projektin e ardhshëm filmik. "Trupi i huaj" quhet vepra me subjekt feminizmin, feminizmin e keq, projekt që shtrihet në katër vende, Poloni, Rusi, Itali dhe Gjermani ku feminizmi është një trup në gjendje të ndryshme të temperaturës.

Qëllimi është mbrojtja e grave nga feminizmi i keq. "Përse e bëj këtë ndarje? Feminizmin do ta krahasoja me kolesterolin. Kështu pra, ka kolesterol të mirë dhe kolesterol të keq, siç ka feminizëm të mirë dhe feminizëm të keq. Shoh burra me pushtet që shkatërrojnë gratë. Kurse unë do të merrem me të kundërtën kësaj here: me gruan djall që shkatërron një burrë të ri."

Kujtoi rastin e regjisorit Roman Polanski, se pse ishte kundër mbrojtjes së tij. Por nuk ka s të bashkohet me përfshirjen e feministëve në këtë histori, duke mbrojtjen një grua që ka shitur vajzën e saj tek një njeri i famshëm. "Feminizmi nuk lejon shumë gjëra dhe krejt papritur bën përjashtime", shtoi ai për çështjen "Polanski".

Regjisori polak tregoi për këtë në Durrës, në teatrin e qytetit ku më 4 shtator u shfaq filmit i tij "Kujtime" i vitit 2009. Ishte një vepër eksperimentale.

Një i ri ka frikë nga liria. Është një njeri që arrin me forcat e veta fitore të vogla rrugës për t'u bërë individ, të cilin Zanussi e quan "tip i humbësit". I riu interviston katër aktorë polakë, bashkëpunëtorë në vite të regjisorit. Nëpërmjet karaktereve të tyre në disa filma të Krzysztof Zanussi ata tregojnë në fakt për jetën e tyre në jetën e vërtetë: për familjen, për raportet me figurën atërore, për lirinë, vdekjen, jetën nën diktaturë, për filozofinë, fenë dhe kompromisin, për ata që i rezistuan policisë sekrete dhe të tjerë që u dorëzuan (emri i Zanussit është përfshirë disa herë në dyshimet për bashkëpunimin e artistëve me policinë sekrete polake).


Tek idetë dhe panoramat shpirtërore që trazon ky intelektual universal, bazohet intervista e mëposhtme. Mbrëmjen e të shtunës, Krzysztof Zanussin mori Çmimin e Karrierës "Gladiatori i Artë" dhënë nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit, i cili, në njëfarë mënyre, është vlerësim i qytetarëve të këtij cepi të Evropës, për atë kulturë të botës që nuk e njohim ende.

Zoti Zanussi, përse ngjall provokim ky këndvështrim juaji për feminizmin, siç ndodhi sot këtu, pa u realizuar filmi akoma?

Ka një presion idiot dhe të panevojshëm mbi gratë që ato të bëhen mashkullore, të ashpra, të suksesshme në karrierë duke harruar sfidën më të madhe që gratë kanë: edukimi i burrave, formimi fëmijëve, formimi i bashkëshortëve. Kjo është shumë më e rëndësishme se sa të jesh në krye të shoqërisë.

Feminizmi i keq sugjeron që gratë duhet të jenë si burrat, të kenë të njëjtat karriera, por shumë prej tyre e kuptojnë se e shprehin veten e tyre shumë më mirë në gjëra të tjera ku burrat janë dështakë.

Për mua familja është e shenjtë dhe unë nuk dua të shoh feminizmin të kalërojë mbi këto vlera.

E pamë sot tek "Kujtime" vlerën fisnike që i kërkoni këtij institucioni.

Për mua edukimi i brezit të ri është gjëja më e madhe që mund të bëjmë për të ardhmen, është një mesazh.


Përndryshe, barbarët janë te porta ngjitur, dhe do të ktheheshim tek shpellat që kemi shekuj që i kemi lënë prapa, kur ishim të egër dhe u qytetëruam, kur u bëmë më njerëzorë, me më shumë dhembshuri, më shumë ndjenja të mira ndaj të tjerëve. Gjithë kjo falë nderit kulturës dhe kjo kulturë gjithnjë është transmetuar së pari nga gratë.

Mendoni se vendet që do të përfshihen në filmin tuaj të ardhshëm kanë motiv dhe motive të ndryshme për të diskutuar për këtë temë?
Nuk është se ka ndonjë feminizëm të fortë në Rusi.

Ka pasur në Itali një feminizëm më protagonist, por tani është venitur, ka feminizëm të fortë në Gjermani. Mua më duket krejt e padrejtë që për të njëjtën punë gratë nuk paguhen njëlloj me burrat, madje feministët thonë se kjo iu duket skandaloze. Sigurisht që më duken të patolerueshme disa lloj diskriminimesh që i bëhen gruas.

Por kur mendoj për qëllimet që parashtrojnë këto lëvizje, atëherë them se do të isha i lumtur t'i shihja gratë po aq të suksesshme në karrierë sa edhe në familje, në jetën private. Duhet të jetë njëlloj. Nuk është nevoja të jesh shkencëtare apo menaxhere e suksesshme, kur është gjë po aq e mirë të jesh nënë dhe grua e suksesshme duke bërë zgjedhje të vullnetshme.

Duke iu referuar filmit të tuaj të fundit vihen re kërkesat tuaja për ta njohur natyrën femërore. Ju merreni me anën e egër, po edhe me maturinë e kësaj natyre, me koketërinë, po edhe me besnikërinë dhe sigurinë.

Niçe thoshte se burri nuk është në gjendje të kuptojë thellësinë e shpirtit të grave, çka, në njëfarë kuptimi është e vërtetë, sepse ne jemi të ndryshëm, jemi të ndryshëm gjenetikisht jo kulturalisht.

Ti mund të bësh gjithë përpjekjet për të njohur njëri-tjetrin, por nuk do të thotë se mund t'ia dalësh, të arrish njohjen dhe kuptueshmërinë e plotë të një qenie që nuk ka rëndësi se çfarë gjinie i përket.

Është modesti të thuash që unë kurrë nuk kam për ta njohur deri në fund se çfarë ndjen në thellësi gruaja ime dhe po ashtu ajo nuk ka për të kuptuar çfarë unë ndjej në thellësi. Ama ne bëjmë një përpjekje dhe pikërisht pse bëjmë këtë përpjekje, e duam njëri-tjetrin. Kjo mjafton, pavarësisht se përpjekjet jo gjithmonë kanë rezultat.

Por në disa drejtime, patjetër që rezultat fitohet. Unë kam një martesë të lumtur, jam një burrë i martuar i lumtur, nuk jam i frustruar dhe i hidhëruar. Gjithmonë kam pranë një grua fantastike, është e vetmja grua që kam pasur në jetën time, çka është gjë e rrallë dhe unike për një kineast.

Kinemaja juaj priret drejt panoramave të brendshme. Aty nuk mahnitesh nga fotografia, dhe nga eksperimentet e formës, por nga diskutimi i gjatë, këmbëngulës dhe gati nervoz mbi njeriun, siç e pamë te "Kujtime".

Jeta politike, jeta jonë sociale janë shumë të rëndësishme, por asnjëherë s'duhet neglizhuar jeta e brendshme.

Në disa rrethana, të përshtatshme ose jo, ne kemi probleme me integritetin, me balancën tonë të brendshme, dhe me perspektivën tonë shpirtërore. "Kujtime" është një film që ka udhëtuar bashkë me mua në shumë vende, nga Nju Jorku deri në Hong-Kong dhe Kinë. Njerëzit reagojnë në mënyra të ndryshme në vende të ndryshëm.

Por problemet janë universale: është çështja si ta jetosh jetën më mirë, çfarë quajmë arritje në jetën, e asaj jete që ne e quajmë "të vërtetë", "të arsyeshme", "të duhur". Jeta është dhuratë e mrekullueshme dhe janë të pakët ata ndër ne që mund të thonë se s'e kanë çuar dëm. Çdokush nga ne e çon dëm diçka në këtë jetë. Pastaj kuptojmë se energjitë tona kanë qenë gjithnjë më të mëdha se sa ç'kemi realizuar.

Është mirë të mendojmë për këtë gjë. Të bëjmë llogari, sa ia kemi dalë, sa kemi realizuar, dhe t'ua lemë të rinjve të mendojnë, të pyesin: PSE ne gjeneratat e prindërve të tyre e kemi shpërdorur besimin, përse kemi pasur dështime, përse ka kaq shumë njerëz të hidhëruar po edhe dhe të tërbuar, çfarë është bërë gabim?

Nuk ka rëndësi ku ka gabuar shoqëria, kjo është objektive. Por subjektive është ajo çfarë subjektet mund të bëjnë: shmangia e frustrimit, pakënaqësisë, zemërimit të lig.

Po ju bëjmë të njëjtën pyetje që ju ia bëni personazhit tuaj në film: jeta në komunizëm, si ka qenë?

Është pak e vështirë ta thuash dhe shpjegosh me fjalë. Fjalët janë të pamjaftueshme. Prandaj ia kemi nevojën artit.

Sigurisht nën diktaturë disa gjëra ishin më të thjeshta, sepse dallimi i të mirës nga e keqja ishte i qartë. Ndërsa sot njerëzit korruptohen nga paraja, karriera dhe ata as nuk arrijnë ta kuptojnë se kur fillojnë ta shesin shpirtin. Ne e dimë se si në regjimin e shkuar njerëzit kanë nënshkruar për policinë sekrete.

Ndërsa sot është shumë komplekse situata.

Kur shoh të rinj të përfshirë në korporata të mëdha, përballë bosit që u tregon shaka pa kripë dhe ata që bien përmbysë nga qeshurat si të çmendur. Ndihem keq që ata bëjnë budallain përballë shefit të tyre. Them o Zot. Këta të rinj tashmë janë bërë konformistë. Ata qeshin jo sepse u vjen për të qeshur, pro sepse kjo i ndihmon përpara për karrierë.

Duken gjëra të vogla, dhe të qeshësh me diçka bajate në fakt, nuk është krim i madh. Por ky është prostituim. Kjo po ndodh sot. Një pamje që nuk është e qartë, e prerë me thikë si në kaluarën që përmenda më lart. Ky është ndryshimi.

Po të bënim një krahasim për regjimet komuniste që provuan dy vendet, njeriut shqiptar që përveçse u përfshi në një marksizëm vulgar, me aplikimin e ateizmit, iu hoq një pikë mbështetëse orientimi, feja.

Jam plotësisht i bindur se kjo ka qenë një regres. Humbja e ndjeshmërisë metafizike i bën njerëzit më primitiv dhe ky regjim i bëri njerëzit më primitivë. Ajnshtajni, dhe shkencëtarë të tjerë të mëdhenj, janë besimtarë ose ateistë, por ata kanë ndjeshmërinë metafizike, ata kanë ndjenjën e misterit.

Marksizmi në versionin e tij vulgar po ju jepte ju jepte një siguri false duke shpjeguar gjithçka, sikur gjithçka të qenkësh subjekt për interpretim. Sendet, gjërat nuk mund të shpjegohen.

Ne na rrethon misteri. Përpjekja për njohjen e misterit është shkalla më e përparuar njohjes. Dhe ai regjim i bëri njerëzit të verbër ndaj misterit. Këtu e shoh të keqen, që na kthen në primitivitet.

Prandaj e latë ju Fizikën për t'u marrë me misterin që artet e shpikin doza të mëdha?

E lashë Fizikën sepse ishte një dashuri jo reciproke. Unë edhe sot e kësaj dite e dua fizikën, por ishte ajo që nuk më desh mua.

Respekti dhe dashuria e madhe për të shpjegohet me misionin e saj. Fizika merret me misterin, me të panjohurën, më bën të ndihem i përulur ndaj saj. Unë nuk kam iluzionin se gjërat mund t'i shpjegosh, e di se ne arrijmë të kuptojmë pak gjëra dhe se njohja jonë është e kufizuar.

Si fizikan, kam takuar njerëz të thellë dhe të pavarur, njerëz me mendje të hapur si për shembull Oppenheimer, Sakharov dhe shumë të tjerë.

Në vende të tjera gjithashtu, kudo ku ka pasur disidentë të mëdhenj, ka pasur ndër ta edhe fizikanë. Ka qenë një shkencë tërheqëse në mesin e shekullit të kaluar, prandaj jua përshkrova. Por kuptova që unë nuk mund të isha fizikan, kështu hoqa dorë.

Ju folët për të rinjtë që studiojnë kinemanë, hodhët pak dyshime për ta. Duke pasur karrierë të gjatë si profesor në universitet, si e parashikoni të ardhmen e këtij brezi?

Jam optimist për të rinjtë.

Brezi i parë në erën e demokracisë ishte pothuajse i humbur, por brezi i tyrë, ky që i përket dekadës pas njëzetvjeçarit, është më mendjehapur, më realist, nuk është i dehur me liri dhe gjëra të lejuara, ata kuptojnë drejt si mund të jetë jeta.

Unë jap mësime në shumë vende, nga Kina në Amerikë, nëpër Evropë, Rusi, Indi, dhe jo vetëm për kinemanë. Ndjej që ata pyesin, kërkojnë zgjidhje të reja, dhe janë shumë më të përparuar se ne në moshën e tyre.

Ata kanë lirinë, por a kanë, si personazhi juaj te "Kujtime" frikën për ta kontrolluar si duhet këtë liri?

Po, këta të rinj për të cilët flas unë, janë të lirë dhe kanë frikë nga liria, por pak janë ata që vetëshkatërrohen nga liria në të njëjtën mënyrë që ndodh me protagonistin te "Kujtime". Ai është një ekstrem. Shumë të rinj përballen me guxim me lirinë dhe mësojnë si të përballen edhe kufijtë e lirisë, sepse ne nuk mund ta lemë vetën tonë të na çojë ku të dojë ajo.

Përndryshe do të shkonim të sigurt drejt shkatërrimit, drejt drogave dhe alkoolit, drejt vrasjes dhe çmendurisë. Duhet ta kemi veten nën kontroll, nëse shteti nuk na kontrollon dot. Këtë po kupton ky brez. Prandaj i dua ata.

Ju dukeni kaq i përqendruar ndërkohë që misteri ju josh.

Të jesh i matur do të thotë të jesh i guximshëm. Eksperiencat e djeshme janë tjetër gjë. Unë nuk ia uroj askujt të kalojë nëpër ato përvoja jetësore ku na shpunë regjimet komuniste.

Paçka se ka të tjerë që kanë kujtime të bukura. Por më duket se çështja e rezistencës është shumë më e nevojshme sot: rezistencë ndaj gjithë idiotësive të botës kontemporane: idiotësia e zbavitjes, idiotësia e konsumit. Janë të shumta idiotësitë të cilave duhet t'iu bëjmë ballë.

Është e vështirë sepse forma në të cilën ato na shfaqen nuk është e qartë, nuk është e prerë. Duhet mbrojtur vetja. Mbetet e vlefshme këshilla: bëj karrierë por mos e shit shpirtin tënd. Shpirti është gjëja më e çmuar.

Kush është

Krzysztof Zanussi (1939), një nga kineastët më brilant të "brezit të tretë", grup në të cilin bëjnë pjesë regjisorë polakë që kanë hyrë në historinë e kinemasë botërore si Andrzej Wajda, Krzysztof Kieslowski apo Andrzej Munk. Kinemaja e tij u ngjiz në periudhën e tranzicionit të pasluftës. Studioi Fizikë në Varshavë dhe Filozofi në Krakov, përpara se të hynte në Shkollën e Filmit në Lodz, pranë kineastit Andrzej Munk. Filmat e parë i bëri në rrethin e amatorëve të filmit në Universitetin e Varshavës kur studionte fizikë, në vitet 50'. Krijimtaria e tij zë fill më 1966, sepse etydi studentor, "Vdekja e një provinciali", puna e diplomës, fitoi disa çmime.

Tre vjet më pas, "Struktura prej kristali", filmi i parë i gjatë, u përshëndet nga kritika dhe u vlerësua me çmime në disa festivale në Poloni, Argjentinë, Spanjë dhe Panama. Lidhjen që ekziston midis titullit të këtij filmi dhe studimeve të tij për fizikë e gjen edhe në veprat e mëpasshme: "Ndriçimi" 1973 (Leopardi i Artë në Festivalin e Lokarnos) "Konstantja" (1980, Çmimi i Jurisë në Festivalin e Kanës).

Jeta në kinemanë e tij vërtitet në një komunitet akademik dhe aty merr shkas të trajtojë çështje intelektuale dhe etike. Ka filma si "Maskimi" (1976) që i përkasin të quajturës "kinemaja e problemeve morale" dhe Zanussi është shumë i lidhur me këtë kinema. Ai është krijues total i veprës së tij. Të gjithë filmat që ka realizuar gjatë një gjysmë shekulli, janë nga skenarët origjinalë shkruar prej vetë atij.

Kështu: "Viti i diellit të fshehtë" (1984, Luani i Artë në Festivalin e Venecias), "Pushteti i djallit" (1985), "Kudo ku të jesh" (1988), "Bisedë e gjatë me një zog" (1990), "Jeta për një jetë" (1991), "Prekja e heshtur" (1992), "Vëllai i Zotit tonë" (1997), "Jeta është një sëmundje fatale seksualisht e transmetueshme" (2000) fitues i disa çmimeve ndërkombëtare, "Shtojca" (2002), "Persona non grata" (2005), "Zemër e dashur" (2008).

Kritika e vendos veprën e tij në pararojë të Kinemasë së Evropës Lindore të viteve '70-'80 të shekullit të kaluar.

Krzysztof Zanussi drejton Studion e Filmit "TOR" prej vitit 1979, kohë kur lëvizi dhe punoi shumë nëpër Evropë edhe si regjisor opere, si pedagog në shkolla filmi. Është president i Federatës Evropiane të Shoqatave Kombëtare për Televizionin dhe Kinemanë. Jep mësim në shkollën e kinemasë në Lodz ku ka qenë nxënës dikur.

Është vlerësuar me çmimet e karrierës: Career Award nga Flaiano International Prizes, Itali, World Cinematography Aëard nga Kritika Çeke, European David Aëard, Special Award nga Qendra e Kritikës së filmit në Nju Jork dhe Golden Hugo në Çikago.

Ka shkruar "Kohë për të vdekur", kujtime, refleksione, shënime udhëtimi nga takimet me protagonistë të kulturës dhe politikës ndërkombëtare. Një vepër ku përshkruan edhe ndryshimin e një epoke, pikëpyetjet që u ngritën për jetën, kinemanë, besimin.
Është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit, Akademisë Polake të Mësimit, i PEN-Club-it dhe i Shoqatës Polake të Shkrimtarëve.

Zanussi ftohet si lektor në universitete të ndryshme si në universitetin e Kolumbisë, Jeils, Kembrixh, Universitetin Rais në Hjuston, si dhe në trajnime të ndryshme në Londër, Moskë, Pekin, Indi, Korenë e Jugut dhe në shumë qytete të Evropës Perëndimore.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama