Kryeministri ka te drejte

Kryeministri ka të drejtë

Panairi i jashtëzakonshëm i punës, i dyti për nga lloji i vet që ka ndodhur në vendin tonë, se bashku me suksesin e madh na la në prehër edhe një të vërtetë të madhe. Atë që ne jemi dembelë. Punë ka, por nuk ka kush ti kryejë. Rrogat janë të majme deri në 3 mijë euro, por shqiptarëve nuk ju pëlqen të punojnë. Me gjithë shkëlqimin e këtij panairi, filloi të më dhimbte koka.

Kryeministri Edi Rama, u justifikua se premtimi i tij për të hapur vende të reja pune, po dështonte, dhe kjo jo për faj të tij, por për fajin tonë, sepse në jemi dembelë. Me gjithë dembelizmin që më ka kapur, edhe pse kam shumw muaj që fle vetëm pak orë, vendosa ti shkruaj Kryeministrit dhe t'i jap të drejtë.

Po, Zoti Kryeminsitër, ne jemi dembelë! Për sa kohë që ju rrisni taksat edhe pse keni premtuar të kundërtën dhe ne nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Rrit çmimin e energjisë elektrike dhe shprehesh që e ke ulur atë, në një kohë kur skandalet për mënyrën e faturimeve ndodhin çdo ditë dhe ne nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Nuk të ka mbetur më asnjë fushë e jetës në këtë vend pa e dhënë me konçension, duke i vënë atë emrin idiot, partnerin publik - privat dhe ne sërish nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Kërkon të ndërtosh një qendër tregtare, ku do të vendosësh edhe një fushë futbolli në të dhe ne sërish nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Kur siguria në këtë vend cënohet çdo ditë dhe po çdo ditë rritet frika për të dalë në rrugë, ne jemi dembelë që nuk reagojmë.

Na fyen inteligjencën me deklarata që vetëm ju i dëgjoni dhe ne sërish nuk reagojmë, jemi dembelë.

Ndërtoni një park ku shpreheni se nuk do të pritet asnjë pemë dhe atje është bërë kërdia, lejojmë që vetëm një grup i vogël njerëzish të protestojë dhe ne sërish nuk reagojmë, jemi dembelë.

Policia dhunon në ditën për diell shtresën më të varfër, më pas dekorohet për punë të shkëlqyer, kur në një kohë që krimi i ndodhur në mes të ditës nuk zbardhet dhe autorët nuk vendosen para drejtësisë, dhe ne sërish nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Ti thua se të ka zënë turpi se nuk ke se si të justifikohesh para urbanistëve të huaj pse kali i Skëndërbeut duket si lopë në një fushë me bar, ndërsa ne nuk ju kemi kërkuar asnjëherë llogari juve për ato ndërtimet skandaloze në kryeqytet gjatë tre mandate tuaja si kryebashkiak, ne jemi dembelë.

Se jemi katandisur për faqe të zezë dhe nuk marrim asnjë shërbim ashtu si duhet sepse institucionet janë mbushur me persona që të vetmen arritje në CV-të e tyre kanë testerën e partisë, dhe ne sërish nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

Rrit taksat e arsimit të lartë dhe financon universitetet private nga taksat tona dhe ne sërish nuk reagojmë, ne jemi dembelë.

I vendosen gjoba biznesit në vend dhe ne sërisht bëjmë sehir, ne jemi dembelë.

E pra, i nderuar Kryeminsitër, keni plotëisht të drejtë të na akuzoni për dembelë, për sa kohë që ju lejojmë juve dhe të ngjashmëve tuaj të shpreheni si të doni dhe të veproni si të doni, dhe ne sërish të mos reagojmë, ne jemi dembelë.

Jemi dembelë që kemi lejuar që elita e këtij vendi po dergjet rrugëve të botës ose i është nenshtruar papunësisë dhe ne sërish nuk reagojmë. E keni kuptuar mirë mendësinë e popullit që ju ka votuar ndaj edhe bëni deklaratat për tu tallur i madh dhe i vogël dhe ne sërish ju dëgjojmë, kjo sepse ne jemi dembelë.

Ndoshta tani është koha që të bëhemi punëtorë dhe të na shohësh çdo ditë duke të të kërkuar llogari deri më një për të gjitha "reformat gjeniale" që keni ndërmarrë. Ndoshta të paktën kështu do të mësoni që "dembelët institucionalë" të cilëve po ju thith gjakun, nuk janë edhe aq dembelë sa ju të flini mbi dafina.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama