Kriza e sistemit antik te prodhimit dhe e Perandorise Romake

Duke filluar nga shek. III e. sonë, në Perandorinë Romake mënyra antike e prodhimit i kishte shteruar mundësitë e saj për një zhvillim të mëtejshëm dhe filloi të shkonte drejt rënies. Skllavëria nuk sillte të ardhura si më parë. Rendimenti i skllevërve, që nuk kishin asnjë nxitje për punë, bëhej gjithnjë e më i pakët, kurse shfrytëzimi i tyre më pak i leverdisshëm dhe skllevërit e tepërt ishin bërë një barrë e rëndë për pronarët e tyre. Marrëdhëniet e vjetra po bëheshin një pengesë në rrugën e zhvillimit shoqëror. Filloi kështu kriza e përgjithshme e sistemit antik të prodhimit.
Në fushën e ekonomisë kriza u shfaq me rënien e prodhimit, me varfërimin e masave të gjera të popullsisë, dobësimin e lidhjeve tregtare midis krahinave e provincave të ndryshme. Në shumë qytete pati një ulje të nivelit të jetës, çka është vërejtur edhe në zbulimet arkeologjike. Me rënien e qendrave të mëdha zejtare banorët e provincave nisin t’i prodhojnë në vend sendet për të cilat kishin nevojë, por kësaj radhe për një rreth të ngushtë konsumatorësh. Në gjendjen e krijuar duke filluar nga shek. IV u rrit edhe më shumë roli i bujqësisë. Ajo u bë dega vendimtare e prodhimit në gjithë botën antike. Ekonomia e latifondeve, që ishte bazuar në punën e skllavit nuk sillte më të ardhura ndaj, ekonomia e vogël u bë përsëri e vetmja formë e bujqësisë që sillte fitime.
Banorët e provincave mbetën gjithnjë nën presionin e vazhdueshëm të taksave, prej të cilave nëpunësit perandorakë kërkonin të nxirrnin burime të ardhurash sa më të mëdha. Burimet e shkruara antike përmendin Probin, sundimtarin e Ilirikut, i cili që nga fundi i shek. III e.sonë, duke mbledhur taksat në mënyrë të padrejtë, i kishte dobësuar krahinat veriore ilire, para se ato të shkatërroheshin nga barbarët.
Një shenjë tjetër e krizës ishte edhe dobësimi i pushtetit qendror në perandori. Gjendja e keqe e popullsisë qytetare e fshatare u bë shkak për shpërthimin e kryengritjeve. Në kryengritjet me skllevërit e kolonët u bashkuan si fshatarët e varfër, dhe vegjëlia e qyteteve. Lufta e tyre e tronditi thellë regjimin perandorak. Shpeshherë perandorët e sundimtarët për të shtypur kryengritjet e popullsive të provincave kërkonin ndihmën e barbarëve. Kështu veproi perandori Honor me gotët e udhëhequr nga Alariku: në vitin 395 e. sonë kishin ngritur krye taulantët dhe duke mos qenë në gjendje të shtypte “kryengritjen e shtetasve të tij”, Perandori dërgoi kundër ilirëve vizigotët që ishin futur asokohe në Ballkan.
Në acarimin e krizës së përgjithshme të sistemit antik të prodhimit një rol jo të vogël kanë luajtur sulmet e “barbarëve”. Kufijtë veriorë e verilindorë që nga shek. III e këtej filluan të sulmoheshin gjithnjë e më shumë nga fise të ndryshme “barbare”.
Një nga shfaqjet më të rënda të krizës që ndikoi në dobësimin e perandorisë ka qenë edhe prirja e qarqeve sunduese të provincave për t’u shkëputur nga pushteti qendror dhe sidomos lufta për pushtet ose lufta midis senatit e ushtrisë, midis perandorëve të senatit e perandorëve të ushtrisë, bashkë me ta edhe ndryshimet e shpeshta në fron. Mbështetja e vetme e sigurt e pushtetit perandorak u bë ushtria. Në periudhën e krizës dhe pas saj, pjesa më e madhe e ushtrisë vinte kryesisht nga popullsia fshatare e provincave. Në provincat periferike një vend të dorës së parë zinin provincat ilire, sidomos ato veriore e lindore ku ishin përqendruar njësi ushtarake të shumta dhe ku prona e vogël e tokës kishte një peshë të madhe. Ushtria, e cila vinte nga këto shtresa, u bë mburoja e fundit e perandorisë dhe filloi të luajë një rol vendimtar në ngjarjet politike të kohës. Nga gjiri i saj u krijua një pari e fortë provinciale e interesuar për ruajtjen e skllavopronarisë dhe e gatshme për të luftuar kundër skllevërve, kolonëve dhe shtresave popullore, të cilat ngrinin krye herë pas here
Në vitin 212 e. sonë, i imponuar nga fillimet e krizës dhe situata e krijuar si pasojë e saj, perandori Karakalla shpalli ediktin e tij, me anë të të cilit popullsive të provincave të konsideruara deri atëhere “të huaja” iu dhanë të drejtat e qytetarisë romake. Perandoria Romake e mori këtë masë për të zgjeruar bazën shoqërore mbi të cilën mbështetej pushteti qendror dhe për rëndësinë që kishin provincat e pasura të Gadishullit Ballkanik. Në këtë mënyrë u thellua edhe më shumë procesi i “provincializmit” dhe i “barbarizmit” të Perandorisë Romake. Masat e marra nga perandorët në shek. III dhe më vonë nuk mundën të ndalonin krizën e përgjithshme dhe të ruanin skllavopronarinë. Këtë nuk mundën ta bënin as disa nga përfaqësuesit e shtresave sunduese provinciale, të cilët arritën të bëhen edhe perandorë.
Në shekujt III-IV e. sonë, madje deri në shek. IV në krye të Perandorisë Romake kanë qenë disa perandorë me prejardhje ilire. Perandorë “ushtarë” ilirë kanë qenë: Deci, Klaudi II, Aureliani, Probi, Diokleciani dhe Konstandini. Burimet e shkruara bashkëkohëse tregojnë se këta perandorë, si përfaqësues të qarqeve sunduese provinciale, në vija të përgjithshme ndoqën një politikë, e cila synonte të forconte pushtetin e perandorit, të ruante skllavopronarinë dhe të shtypte lëvizjet kryengritëse. Ata forcuan ushtrinë dhe me anën e saj u përpoqën të mbronin kufijtë e perandorisë nga sulmet e jashtme. Figura më kryesore midis perandorëve ilirë ka qenë Diokleciani, një ilir nga qyteti Dioklea (në provincën e Dalmatisë), që sundoi në vitet 284-305. Diokleciani ndoqi të njëjtën politikë si paraardhësit e tij, por ai bëri edhe disa reforma administrative e ushtarake. Perandoria Romake u nda në katër prefektura dhe 12 dioceza. Në pjesën lindore të saj gjendej prefektura e Ilirikut, e cila ndahej në tri dioceza e në disa provinca. Tokat shqiptare që nga gjysma e parë e shek. IV, qenë përfshirë në provincën e Prevalit me qendër Shkodrën, ku bënin pjesë Dalmatia e Jugut, Mali i Zi dhe Shqipëria Veriore, në provincën e Dardanisë me qendër Skupin, ku hynin pothuaj të tëra krahinat e Kosovës së sotme, në provincën e Epirit të Ri me qendër Dyrrahun, që përmblidhte krahinat e Shqipërisë Qendrore e Jugore deri te lumi Vjosa dhe në provincën e Epirit të Vjetër, me qendër Nikopolin, ku hynin tokat në jug të Vjosës deri në gjirin e Prevezës.
Me reformat e tij ushtarake Diokleciani e rriti numrin e legjioneve dhe formoi me ushtarë të zgjedhur njësi ushtarake të lëvizshme, të cilat në kohë lufte shoqëronin sundimtarët dhe në kohë paqeje qëndronin si garnizone në qytetet e kështjellat e provincave.
Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. III, por në mënyrë të veçantë gjatë shek. IV në provincat ilire u bënë ndërtime me karakter fortifikues dhe u hapën e u riparuan rrugë të ndryshme. Në radhë të parë këto punime u bënë në provincat veriore dhe shërbyen për mbrojtjen e kufijve nga sulmet e “barbarëve”. Por edhe në provincat e brendshme jugore, po për qëllime ushtarake u rifortifikuan shumë qytete dhe u ngritën kështjella të reja. Ndryshe nga ato të veriut, përveç detyrës së mbrojtjes së Perandorisë nga invazionet e “barbarëve”, që mund të hynin në Gadishullin Ballkanik, ato patën edhe një mision tjetër, shërbyen për qëndrimin e garnizoneve dhe për të përballuar kryengritjet e vendësve, të cilat u shtuan në situatën e krijuar nga kriza e rendit skllavopronar.
Reformat administrative e ushtarake dhe ndërtimet fortifikuese të bëra nga Diokleciani e vonuan pak rënien e Perandorisë Romake, por nuk mundën ta ndalonin. Në këtë drejtim një rol jo të vogël kanë luajtur provincat veriore e verilindore ilire, por ndihmuan edhe rrethanat politike, sidomos lufta kundër sulmeve të barbarëve në kufirin danubian. Kjo luftë kishte një karakter të dyfishtë për perandorët e komandantët ushtarakë ilirë, ishte një luftë për mbrojtjen e vendit të tyre, por edhe për mbrojtjen e Perandorisë me të cilin ishin lidhur ngushtë interesat e tyre.
Në sajë të disa masave që mori paria e re provinciale, duke përfshirë edhe atë ilire, u bë e mundur të përballohej për një farë kohe kriza e Perandorisë Romake. Por ato nuk mundën ta shmangnin atë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama