Kritiku francez Europa do te flase per Festivalin e Filmit ne Durres

Kritiku francez: Europa do te flase per Festivalin e Filmit ne Durres
Rudyard Kipling “çeli” edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Durrës. Ishte aktori durrsak Mirush Kabashi, që u ngjit në skenë për të interpretuar poezinë “Në mundsh”, përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc. Kështu, mes mundimit për të ruajtur arsyen kur bota humbet fillin nisi rrugëtimin e vështirë edhe ky edicion i Festivalit të Filmit në Durrës. “Për shkak të mungesës së fondeve në këtë edicion, jemi tkurrur paksa”, – do të shprehej drejtoresha e Festivalit, Anila Varfi, që bashkë me problemet organizative duhet që çdo vit të rropatet edhe për pamundësinë financiare në organizimin e një aktiviteti të tillë ndërkombëtar. Edhe këtë vit Varfi ia kishte besuar prezantimin aktorit Timo Flloko.

Një ndalesë e shkurtër në këtë natë ishte një kolazh nga edicionet e kaluara, çmimeve të fituara dhe personaliteteve që kanë shkelur në tapetin e kuq të filmit ndër vite, që nuk kanë qenë të paktë. Kujtojmë këtu Francis Ford Coppola-n (Fransis Ford Kopola) apo Claudia Cardinale (Klaudia Kardinale) të ftuarit specialë të edicionit të kaluar. Por për Anila Varfin, risia e edicionit të këtij viti (i pesti për nga radha) nuk janë personalitetet e ftuara, por përfshirja e ‘SummerFest Durrës’ në rrjetin e disa prej festivaleve më prestigjioze që zhvillohen në Los Angeles (Los-Anxhelos), Bullgari, Egjipt etj.

Që do të thotë se shumë prej filmave që do të shfaqen në Amfiteatrin Antik të Durrësit dhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” u hapet rruga e prezantimit edhe në këto festivale. “Me më shumë interes sesa vlerësimi i filmave nga juria është fakti se kritika europiane do të flasë për festivalin dhe do të shkruajë për të në faqet online ndërkombëtare dhe në gazetat e kinemasë në Europë. Janë pikërisht këta artikuj dhe vlerësimet e kësaj kritike që orientojnë edhe regjisorët e rinj në botë.

Dhe kjo është shumë më tepër e rëndësishme sesa një çmim”, – tha kritiku nga Franca, Pierre-Simon Gutman, përfaqësues i jurisë Fipresci të Festivalit. Ky festival realizohet me mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Qendrës Kinematografike Shqiptare, kontributi i të cilave, me sa vëren dhe organizatorja Varfi, duket se nuk ka qenë i mjaftueshëm.

“Për shkak të mungesës së fondeve në këtë edicion e kemi ngushtuar jurinë e festivalit, nga pesë të tilla që kemi pasur në edicionet e kaluara, këtë vit kemi vetëm dy. E para është juria ndërkombëtare dhe që përbëhet nga aktori Mirush Kabashi, regjisorja nga Kosova, Burbuqe Berisha dhe regjisorja e re italiane, Laura Bispuri. Gjithashtu filmat do të gjykohen edhe nga juria e Fipresci-t, (Federata Ndërkombëtare Kritike e Filmit), anëtarë të së cilës janë kritiku nga Franca, Pierre-Simon Gutman dhe gazetarja Ilda Lumani”, – tha drejtoresha Varfi. Duhej të ishte në këtë juri si kryetare edhe fotografja Alison Frank.

I vetmi film shqiptar që prezantohet në festival vjen nga Kosova. Kjo e fundit përfaqësohet me një produksion. Filmat e këtij festivali do të shfaqen në disa ekrane të mëdha të qytetit bregdetar, ndërsa disa shfaqje speciale do të jepen për publikun në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Pogradec.

Laura Bispuri, një film për virgjëreshat e përbetuara

Regjisorja italiane Laura Bispuri (anëtare e jurisë së festivalit) e ka bërë shpesh rrugën Itali-Shqipëri vitet e fundit. Arsyeja…ajo po realizon një film mbështetur në librin e shkrimtares shqiptare Elvira Dones, “Vergine giurata” (Virgjëreshat e përbetuara).

“Kam ardhur shpesh në Shqipëri për shkak të këtij filmi, për të cilin kam një vit e gjysmë që punoj, historia e të cilit më ka impresionuar mjaft. Besoj se do të ketë një kuriozitet të madh në Perëndim historia e burrneshave, të cilat tregojnë raportin mes feminilitetit dhe lirisë. Kur e kam lexuar këtë roman jam surprizuar mjaft dhe mendoj se do të ngjallë mjaft vëmendje”. Regjisorja që këtë vit do të gjykojë filmat e Festivalit të Filmit në Durrës, ndoshta vitin e ardhshëm mund të jetë ajo në vendin e kolegëve të saj. Ky është filmi i saj i parë me metrazh të gjatë.

Filmat ballkanikë nisin garën

Të parët në startin e garës ishin filmat nga rajoni i Ballkanit. Ky seksion u dedikohet filmave narrativë të realizuar nga vendet e Ballkanit. Janë përzgjedhur gjashtë filma që do të jenë në konkurrim për çmimin e trofeut të seksionit “Botë Ballkanike”, si dhe dy filma që do të shfaqen jashtë konkurrimit. “Natën e mirë zonjushe” (Good Night Missy), i regjisorit dhe skenaristit kroat Metod Pevec, u shfaq mbrëmë për publikun e festivalit. Historia e Hannah dhe Sam është ajo e një çifti që bëjnë një jetë të mirë, deri në momentin që mes tyre hyn tradhtia dhe më pas hakmarrja. Një histori si të tjerat që mbyllet me një fund të lumtur. Në seksionin ‘Vizione Bashkëkohore’ që është gara më e rëndësishme e këtij festivali, nga ku juria përzgjedh dhe fituesin e “Gladiatorit të artë”, u shfaq filmi gjerman “Të humbur” (Reporter Missing) i regjisorit Jan Speckenbach.

Filmi rrëfen historinë e një babai (Lothar) në kërkim të vajzës së tij 14-vjeçare Marta, e zhdukur papritur në rrethane të pashpjegueshme. Duke kërkuar të bijën, Lothar zbulon pak nga pak skutat e errëta të një bote që ai nuk e kish njohur më parë. Në konkurrim këtë vit do të jenë dymbëdhjetë filma që do të synojnë çmimin “Gladiatori i artë”. Kinemaja e nderit këtë vit është ajo franceze, ku përgjatë netëve të festivalit do të shfaqen prodhimet më të fundit të saj.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama