Kristi Popa Po jetoj nje histori te vertete dashurie

Kristi Popa: Po jetoj një histori të vërtetë dashurie
Ku ka qenë Kristi këto kohë. Kemi gati dy vjet që s’ju shohim të shfaqeni në skenë?

Kam qenë në Shqipëri. “I fshehur” në studion time, përkushtuar krijimit të muzikës për këngëtarë të tjerë, muzikës për filma dhe teatër. Kompozitorët që kanë studiot e tyre e dinë mirë se si të mbyll puna në studio. Vërtet që më ka marrë malli të dal në skenë thjesht për kënaqësi.

Thjesht për kënaqësi?

Po, sepse skena është diçka që me të vërtetë të merr malli nga shpirti.

Kur do ta shuani këtë mall për skenën?

Në natën e dytë të Festivalit të Këngës në Radio- Televizionin Shqiptar do të dal të këndoj së bashku me Erga Halilin. Jam kompozitori i këngës me të cilën ajo konkurron dhe do të dal në duet me të, sipas formulës së festivalit.

Je duke krijuar muzikë për të tjerët, për cilët këngëtarë?

Janë të ndryshëm, të njohur dhe të panjohur, ndaj nuk do të ishte etike të përmendja emra. Ajo që mund të them e kam bashkëpunimin të hapur dhe më pëlqen të bëj muzikë për të gjithë.

Cila është jeta që bën?

Mund të them se bëj gjithçka që bëjnë dhe kompozitorët e tjerë.

Nuk je përfolur as në shtyp këto kohë. Kaq shumë fshihesh?

Absolutisht jo. Besoj nuk jam tip aq spektakolar sa për t’u përfolur. Por mund të them edhe se nuk më pëlqen të përflitem, pasi dhe përfoljet kanë ekzagjerimet e veta.

Ndonjë histori dashurie?

Po, jam i dashuruar.

Ç’mund të na thuash më shumë?

Nuk ka ardhur koha ende të flas për këtë. Po mund të them që është një lidhje e re dhe e bukur.

Ku mund t’ju çojë kjo lidhje dhe sa afër e sheh veten me martesën?

Nuk i kam injoruar aspak këto gjëra, që ju ndodhin të gjithëve, siç është dhe martesa. Sado t’i lësh pas dore ato duhet të ndodhin. Edhe për bashkëjetesën nuk jam kundër.

Ke provuar ndonjëherë të bashkëjetosh me ndonjë vajzë?

Po, e kam provuar bashkëjetesën vetëm një herë. Dhe besoj edhe martesën do ta konsideroj si një bashkëjetesë.

E dashura që ke është e re apo e pjekur në moshë?

Është vajzë e re e në moshë, që sillet si një vajzë e mentalitetit tim. Ndërthurja më e mirë, freski fizike me pjekuri.

Je tip i vështirë në një lidhje?

Mendoj se lidhjen e bën të vështirë mospërputhja. Për dikë mund të jesh shumë i mirë, për dikë shumë i keq. I vështirë bëhem kur i kuptoj gjërat dhe i them.

I klasifikon lidhjet në serioze dhe të parëndësishme dhe si sillesh në secilin rast?

Për lidhjet e parëndësishme mbase bëhem indiferent, për lidhjet serioze jam tip që bie në mendime.

Do të thuash që je dhe i ndjeshëm?

Po, jam i ndjeshëm. Dhe besoj s’ka njerëz të pandjeshëm, ka vetëm persona që i shfaqin, ose i fshehin ndjenjat e tyre.

Për momentin je i varur nga diçka?

Jo, nuk besoj. Por ka ca gjëra pa të cilat s’bëj dot. E nëse do aludoja për shembull do të ndihesha keq nëse s’do kem njerëzit e afërt, nëse do përjetoja ndarje, varfëri të tejskajshme, e nëse do isha bërë padurueshëm për shoqërinë.

Frika më e madhe që ke?

Nëse do më ikte frymëzimi për muzikën.

Ndjen mungesën e diçkaje për momentin?

Jo. Gjërat që i dua i kam.

MUZIKË PËR FILMA DHE TEATËR

Pothuaj të gjitha këngët i ka prezatuar si realizime skenike, me fabulën, që e ka dalluar nga të tjerët. Por muzika për film dhe teatër është një pasionet e tij, që e ushtron prej vitesh.Kanë kaluar 10 vite kur ai njëkohësisht me publikimin e këngës “Egnantia”, krijoi muzikën për filmin e Fatmir Koçit. Pastaj vazhdoi me serialin “Heronjtë e Shqipërisë”, e tani do të rikthehet me kolonën zanore të filmit “Ne dhe Lenini”. Ndërsa në teatër? Realizoi muzikën teatrale të pjesës “Preja” të Robert Budinës.

ZËRI NË FILMIN “SHENTORJA”

Ai mendon se gjërat bëhen në momentin e duhur, në kohën e duhur. Në fakt, mund të quhej operator zëri, së bashku me Drini Ishmakun në filmin me metrazh të shkurtër “Shenjtorja”, që u shfaq pak ditë më parë në kinema “Millenium 2”. “Vura studion time në dispozicion, ishte diçka e re eksperimentale, mesa di është hera e parë, që realizohet në terren një film, duke i pajisur aktorët me mikrofona të veçantë. Është punë vërtet shumë e vështirë. Do kisha bërë rreth 15 këngë gjatë kohës që kemi punuar për këtë film, por e bëra vetëm nga pasioni për filmin dhe për pasion vazhduam deri në fund”, thotë Kristi.


PanoramaPlus

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama