Krim pa ndeshkim!

Krim pa ndëshkim!

Askush nuk ka mundur ta parandalojë ngjarjen e mbrëmshme në një lokal në qendër të Tiranës ku mbeti i vrarë një 36-vjeçar.

Në fakt, duket krejt e vështirë të neutralizosh një vrasje të menduar dhe të ekzekutuar me gjakftohtësi ndoshta nga profesionistë.

E vërteta është që situata të ngjashme mund të ndodhin kudo dhe pa paralajmërime. Sa e rrezikshme dhe traumatike mund të jetë një ngjarje e tillë për ata që ndodheshin pranë vendit ku ndodhi vrasja? Pa dyshim, këtë, mund ta thonë jo vetëm ata që rastësisht u ndodhën në lokal, por të gjithë shqiptarët që një mbrëmje të diele, mund të kenë qenë në një bar apo restorant.

Jo, për herë të parë, vrasësit kanë marrë guximin që të qëllojnë me armë zjarri në vende publike, bare apo restorante në qendër të Tiranës duke terrorizuar me dhjetra qytetarë dhe duke na dhënë të gjithëve një mesazh të qartë: në këtë vend krimi mbetet pa ndëshkim! Përndryshe nuk ka shpjegim tjetër fakti që pak javë më parë një tjetër vrasje pranë ish-bllokut kaloi me zhurmën e zakonshme 3 ditore e më pas u vesh nga heshtja dhe akuzat e ndërsjellta dhe tashmë bajate polici, prokurori dhe gjykatë.

Vrasje të tipit mafioz, vrasës me pagesë apo larje hesapesh mes bandash nuk mjaftojnë si përcaktime për të mbrojtur të pambrojturit e mëdhenj, qytetarët e lirë të këtij vendi që duhet të paguajnë haraçin e një sistemi të kalbur që ende fle mbi dosje kriminelësh dhe zgjohet me shpërblimin që merr prej tyre. Në vend të njerëzve të rastësishëm që u qëllon të jenë pranë skenave të tilla të tmerrshme, ku me gjakftohtësi në mes të një lokali ekzekutohet një njeri, do doja të ishin policë, prokurorë, gjykatës apo dhe ndonjë politikan që mendojnë dhe deklarojnë se këto gjëra ndodhin në çdo vend të botës, ndaj dhe nuk ka vend për panik.

Dhe ndoshta kanë të drejtë kur e përsërisin gjakftohtë këtë formulë, sepse të tilla ngjarje edhe mund të ndodhin. Por kurrsesi jo në këto përmasa në një vend kaq të vogël dhe të mbërthyer keqas nga krimi jo vetëm i rrugës. Në asnjë vend europian nuk të vrasin kaq shpesh në ambjente publike, në pikun e frekuentimit nga qytetarët, në vende ku ka gjithandej kamera sigurie. Për faktin e vetëm se në çdo vend europian krimineli do gjendej shpejt nga policia dhe prokuroria do e qepte dosjen për pak javë dhe gjykata do e jepte vendimin po kaq shpejt.

Sepse në nje vend europian, policët, prokurorët dhe gjykatësit mendojnë sikur ata apo familjarët dhe fëmijët e tyre të kishin qenë prezent në një ngjarje të tillë do kishin rrezikuar po njësoj si personi që u vra. Dhe këtë për fat të keq disa policë, prokurorë, gjykatës dhe shumë politikanë nuk e mendojnë.

Sepse makutëria për të vjedhur dhe marrë ryshfet nga kriminelët i ka bërë njësoj të pamëshirshëm. Ndaj në këtë vend, askush nuk trembet më të shkrepë armën në mes të ditës në një lokal plot me njerëz, sepse krimet mbeten pa ndëshkim.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama