Kredite e keqija shtojne Viktimat

Kredite e keqija shtojne Viktimat
Ne mars te ketij viti, prirja rritese e kredive me probleme u ngadalesua, çka zgjoi shpresat per nje permiresim te situates se huamarrjes bankare dhe ulje te presionit te grumbulluar qe nga fillimi i vitit 2009. Drejtori i Raiffeisen Albania, Oliver Whittle, deklaroi per agjencine Reuters se vleresohej qe kredite e keqija kishin arritur kulmin dhe pritej te uleshin. Stabiliteti i ruajtur edhe gjate muajit prill, u duk se frenoi rritjen e pandalshme te huave problematike.

Por, gjithçka rezultoi te ishte nje pushim i shkurter, perderisa ne maj 2010, te dhenat e raportuara nga sistemi bankar shenuan nje tjeter kercim, duke regjistruar rekordin e ri prej 12 per qind te kredive te keqija ne raport me totalin e portofolit te kredise se dhene. E krahasuar me nivelin e kredive te keqija ne janar te 2009-es, prej 6.8 per qind, niveli i muajit maj 2010, çka perfaqeson edhe shifren e fundit te publikuar nga sistemi bankar, flet per nje rritje prej gati 76 per qind gjate harkut te 17 muajve. Diçka qe tashme pranohet gjeresisht eshte se kriza ekonomike ka luajtur nje rol te rendesishem ne rendimin e situates.

Megjithate, humbjet nga kredite e keqija nuk i shkaktuan shume vuajtje bankave, te cilat kane qene ne gjendje te transferojne humbjet te klientet e rregullt, permes rritjes se interesave per kredite ekzistuese. Kjo sepse bankat qe operojne ne Shqiperi i japin vetes liri absolute per sa i perket ndryshimit te mundshem te normes se interesit te kredive ne kontratat qe lidhin me klientet. Kjo praktike zbatohet nga pothuaj te gjitha bankat e nivelit te dyte qe operojne ne Shqiperi, dhe ndersa formulimi i ketij sanksioni ndryshon nga banka ne banke, thelbi dhe detyrimi ligjor mbetet i njejte. Lidhur me situaten ne fjale, ka reaguar guvernatori i Bankes se Shqiperise, Ardian Fullani, i cili deklaroi ne konferencen e katert te Bankes Qendrore se klienteve te bankave te nivelit te dyte po u imponohen produkte te shtrenjta.

Nga ana tjeter, statistika e kredive te keqija prej 12 per qind te totalit te portofolit te kredive mund te merret me nje fare rezerve. Ne intervisten e dhene per Reuters, Whittle dha edhe nje detaj interesant, kur po shpjegonte normen e kredive me probleme ne banken e tij. “Jemi pak mbi mesataren [e tregut]. Ne jemi absolutisht skrupoloze ne menyren se si raportojme, ndaj nuk jam i çuditur qe ndodhemi mbi mesataren”, theksoi ai. Afermendsh, nuk ekzistojne arsye logjike qe mund te sugjerojne se bankat e tjera kane performuar me mire me rrezikun e kredive se kjo banke, ndaj gjithmone ka vend per dyshim.

Dyshimi mbi te gjitha lidhet me arsyet pragmatike te raportimeve konservatore nga bankat e nivelit te dyte. Ajo qe ndodh eshte qe ato kredi te cilat rezultojne te vonuara ne shlyerjen e tyre, provigjonohen. Ne terma te thjeshtezuar, kjo do te thote se ne varesi te diteve te voneses se shlyerjes se kestit, banka bllokon nje shume qe i perkon nje perqindjeje te caktuar ne raport me vleren e kredise. Diçka e tille shkon deri ne 100% te shumes se marre hua. Sa me i madh te jete vellimi i kredive me probleme ne nje banke, aq me te medha rezultojne edhe shumat e bllokuara, te cilat banka nuk mund t’i perdore per t’i dhene hua. I gjithe procesi mbikeqyret nga Banka Qendrore, ku bankat e nivelit te dyte raportojne per çdo rast. Ndaj, kredite e keqija - te pakten ne nivelin aktual - nuk paraqesin nje rrezik real per vete qendrueshmerine e bankave, sesa per fondet qe bllokohen si rrjedhoje.

Fatkeqe dhe “fatkeqe”

Duke qene se bankat realisht, nuk po vuajne nga situata e krijuar, viktimat e verteta te kesaj historie jane borxhlinjte. Nje pjese e konsiderueshme e kredive te klasifikuara si problematike, tashme do te kerkohet te shlyhen permes procedurave te permbarimit, çka perfundojne ne sekuestrim te aseteve te lena ne kolateral, ndryshe pasurite e lena peng. Rastet jane te larmishme, nga ato vertet tragjike dhe te pafata, deri te ato qe perfshijne edhe pak aventure e komedi. Per te ruajtur anonimatin e ketyre subjekteve qe jane perfshire ne nje situate shume te veshtire, nuk po publikohen emrat dhe te dhena te tjera konfidenciale, por vetem informacione qe kane lidhje me rastet konkrete.
Nje nga keto raste i referohet nje firme qe operonte ne biznesin e perpunimit, e cila falimentoi duke lene pa pune rreth 40 punonjes, rreth shtate syresh prej te cileve kishin marre hua ne banke.

Nga ky numer dy individe kishin marre kredi ne nje vlere rreth 30 mije euro. Shkarkimi i detyruar solli ndalese te burimeve financiare per familjet e tyre dhe rrjedhimisht paaftesi per te shlyer kestet mujore ndaj bankave. Ne kete pike, dosjet e tyre kane hyre ne procedurat e permbarimit dhe njeri nga individet rrezikon te humbase nje toke te lene si garanci, ndersa tjetri asete te ndryshme. Kjo perfaqeson nje situate tipike te paparashikueshme nga huamarresit dhe ndaj se ciles ata jane totalisht te pambrojtur.

Por, viktimat jane edhe ne radhet e punedhenesve. Nje kompani e cila prodhonte materiale ndertimi me destinacion eksportin, u godit rende nga kriza ekonomike boterore, e cila solli nje renie te menjehershme te kerkeses per keto produkte. Ndryshe nga firmat e eksportit te materialeve tekstile qe arriten te gjejne tregje dhe kliente te rinj per te mbijetuar, kompania ne fjale nuk mundi ta realizoje diçka te tille. Firma kishte marre nje kredi rreth 1.5 milione euro, çka rezultoi e paafte ta shlyente, ne mungese totale te te ardhurave. Si rrjedhoje banka ku ishte marre huaja e dergoi çeshtjen per ekzekutim te detyrueshem ne permbarim dhe sipas gjasave, sipermarresi do te humbe fabriken.

Nje rast i ngjashem, por disi absurd ka te beje me ndertimin e nje impianti qe gjithashtu, prodhonte materiale ndertimi. Por, gjithçka ndodhi ne pikun e krizes. Investimi u realizua me sukses te plote, por vetem per sa i perket ndertimit dhe jo aktivitetit. Afermendsh, biznesi e kishte te paralajmeruar falimentimin, por sipermarresi, i cili kishte marre nje hua prej rreth 500 mije eurosh, nuk e mori parasysh kete rrezik lehtesisht te parashikueshem dhe zgjodhi çastin me te keq te mundshem per ngritur biznes. Edhe ndermarrja ne fjale eshte ne procedurat e sekuestrimit.

Ne listen e atyre qe u ka rene ne koke fatkeqesia jane edhe firmat e qe kryejne punime publike per hesap te qeverise - kryesisht rruge. Kriza e te ardhurave qe ka goditur buxhetin e shtetit ka sjelle pamundesine qe institucionet perkatese t’u shlyejne ketyre firmave detyrimet e prapambetura. Nje firme e ketij sektori ka marre nje hua ne nivelin e 1 milion eurove dhe nderkaq ka perfunduar te gjitha punimet sipas afateve dhe kushteve te tjera te percaktuara ne kontrate. Por, parate e shumepritura nga shteti nuk mberriten kurre dhe absolutisht jo per faj te kompanise, makineri dhe disa asete te tjera pasurore te saj, tashme jane ne prag te sekuestrimit.

Nje çeshtje me karakter tragjik-komik ka te beje me nje individ qe ka lene shtepine ne kolateral per nje kredi rreth 40 mije euro, para te cilat ai nuk i ka rrezikuar ne ndonje sipermarrje te rrezikshme biznesi. As ne ndonje orvatje te deshtuar investimi ne burse, bixhoz apo ndonje aventure tjeter, ku fati luan nje rol te rendesishem. Asgje e tille. Qytetari thjesht ka shkuar per pushime ne destinacione ekzotike me nje mikeshe, ku ka prishur nje pjese te konsiderueshme te shumes, te llogaritur ne diçka me shume se gjysma. Ndersa per pjesen tjeter te parave nuk dihet se ne ç’menyre jane shpenzuar. Praktikisht, kjo do te thote se me ndergjegje te plote dhe pa ndonje plan rezerve te deklaruar apo te imagjinueshem, ai ka humbur shtepine e tij per nje aventure romantike ne plazhet ekzotike te Indokines.

“E pur si muove!”

Adriatik Kotorri, pedagog i Financave dhe Bankave ne Universitetin e Tiranes eshte i mendimit se ne kete periudhe nuk eshte shenuar asgje veçanerisht shqetesuese lidhur me kredite e keqija. Sigurisht, ai nuk i referohet tragjedive njerezore ne kete pohim. “Duhet te kuptojme se kriza thjesht e pershpejtoi ciklin, sepse ne nje mase te madhe behet fjale per kredi qe kane filluar te jepen qe nga fillimi i viteve 2000, kur filloi dhenia agresive e kredive, ne kushtet e nje tregu te paformesuar dhe ne mungese te nje stafi te kualifikuar ne bankat e nivelit te dyte”, thote Kotorri. Nga ana tjeter, ai pranon se shifra prej 12% eshte shqetesuese per nje ekonomi ne zhvillim, por nga ana tjeter thekson se kjo shifer eshte vetem 12% e totalit te portofolit te kredise dhe jo e totalit te aktivit bankar, ndryshe dhe ne terma vulgare, e totalit te pasurise se bankes. Kotorri shton se kete e verteton edhe fitimi neto i sektorit bankar i cili paraqitet ne shifra te kenaqshme, pavaresisht gjithçkaje.

“Fakt eshte qe nje pjese e mire e investimeve te bankave jane ne bono thesari, te cilat jane praktikisht njeqind per qind te sigurta, ndersa vete vellimi i kredise ka qene ne nivele me te uleta nga ç’mund te ishte normalisht”, shpjegon ai.

Gjithashtu, Kotorri mbron edhe planin aktual te qeverise per te hyre (serish) ne borxh te bankat e nivelit te dyte. “E thene shume thjesht, qeverise i duhen medoemos para dhe e vetmja menyre eshte te marre hua, ndaj fakti qe e merr brenda vendit eshte kurdohere me mire se sa ta marre ate jashte kufijve”, shpjegon ai. Sakaq eshte bere publik lajmi se qeveria shqiptare po kerkon te marre hua nga bankat e nivelit te dyte ne shuma qe mund te shkojne deri ne 400 milione euro. Arsyeja kryesore e qeverise per te kerkuar nje hua me interesa relativisht te larta nga bankat e nivelit te dyte ka te beje me pamundesine e ekzekutivit per te futur ne loje instrumente alternative per te shlyer borxhet ekzistuese, si dhe per te realizuar ato shpenzime te domosdoshme, duke filluar nga investimet publike te shpenzimet operative.

Me nje pjese te ketyre parave qeveria synon te shlyeje edhe detyrime te prapambetura ndaj firmave qe kane kryer punime publike, te cilat kane marre kredi qe nuk po i shlyejne dot. Ky rast specifik, i shpjeguar sipas nje skeme te thjeshte, do te thote se qeveria po merr borxh, per te lare borxhin qe u ka firmave, te cilat me pas do te lajne borxhin qe u kane bankave. Kaq e thjeshte? Ne fakt, jo. Qeveria do te hyje perseri ne borxh dhe te vetmit fitimtare, nese gjithçka shkon mire, jane bankat qe perfitojne nga interesat. Siç thone: “Ne fund te fundit, rendesi ka qe te qarkulloje paraja”. Ne kete rast, borxhi.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama