Kotobelli Fukui nderhyri rende duhet te merrte te kuq

Kotobelli: Fukui ndërhyri rëndë, duhet të merrte të kuq

Bërryli që mori nga Masato Fukui nuk ishte aq i lehtë sa dukej për Blerim Kotobellin, këtë e dëshmon më së miri edhe hematoma që i është krijuar në hundë dhe në sy. kotobelli fukuiJaponezi i Tiranës u ndëshkua me të verdhë nga kryesori Jorgji, por duket se mbrojtësi i Teutës ka një tjetër mendim për këtë goditje.

Ai për "Panorama Sport" thotë që sulmuesi duhet të ndëshkohej me të kuq.

"Pak para se të mbyllej pjesa e parë, pësova një goditje me bërryl në fytyrë, që më la me pasoja në sy dhe në hundë. Nuk e di se në çfarë kampionati nuk janë të ndëshkueshme këto ndërhyrje. Kryesori duhet të jepte direkt karton të kuq dhe jo të verdhë. Nuk e di se si mund të interpretohet ajo ndërhyrje, ku lojtari i dëmtuar është i gjakosur dhe ka frakturë në hundë.

Megjithatë ajo çfarë ndodhi nuk kthehet më, por do të doja që në të tilla raste ndëshkimet të ishin më të rënda, pasi vetëm kështu mund të evitohen goditje të tilla. Sot (dje) u vu re më shumë goditja e marrë në sy, si dhe dëmtimi i kockës së hundës", deklaroi fillimisht mbrojtësi. Ndeshja - Kotobelli komenton edhe ndeshjen, teksa sqaron se me pak kujdes mund të kishin marrë më shumë se një barazim. "Më vjen keq që nuk arritëm të merrnim më shumë nga ai takim.

Me pak kujdes, mund ta kishim fituar atë takim, aq më tepër që luanim në fushën tonë. Lamë dy pikë që ndërlikojnë objektivat. Por nuk dorëzohemi, do të luftojmë deri në finish për vendin e tretë", përfundoi mbrojtësi i linjës së majtë.

Përgatiti: Jeton Rexhmati


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama