Kosova nje vit e pavarur nisin festimet

Kosova, një vit e pavarur, nisin festimet

Zoti Moor, prej një viti Kosova është një shtet i pavarur, e njohur si e tillë, deri tani, vetëm nga 54 shtete. Në mesin e këtyre janë shumica shtete të BE-së, por edhe shumë pak shtete islamike. Si e vlerësoni ju këtë bilanc?


Mund të thuhet: "Vetëm 54 shtete", por në mesin e këtyre shteteve janë partnerët më të rëndësishëm për Kosovën, për demokracinë më të re të Evropës. Në mesin e këtyre shteteve janë pothuajse të gjitha demokracitë më me përvojë dhe më të pasura të Evropës, të Amerikës dhe të Azisë.


Shumica e shteteve të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, kanë frikë, si të thuash, nga lëvizjet "seperatiste" ose nga minoritetet e veta. Këto shtete janë Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qiproja. Greqia dhe (Qiproja) që moti kanë marrëdhënie të ngushta me Serbinë, kështu që pozicionimi i tyre i tanishëm nuk është ndonjë risi.


Sa i përket botës islame: Më 18 shkurt 2008, ditën e parë të pavarësisë, shtatë vende e kanë njohur Kosovën në aspektin diplomatik, në mesin e të cilave dy janë shtete islamike: Turqia dhe Afganistani. Më vonë, më 14 tetor, Kosovën e kanë njohur dy shtete të fuqishme islamike të Azisë, dhe këto janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Malajzia. Për shtetin më të ri të Ballkanit, rol me rëndësi luan njohja nga Turqia.


Ne nuk duhet të harrojmë se, e ashtuquajtura "Jugosllavia socialiste" kishte shumë kontakte me shumë shtete të ashtuquajtura "të painkuadruara" të Afrikës, Azisë dhe të Amerikës Latine. Jugosllavia, nën udhëheqjen e Titos, ishte njëri nga tre ose katër shtetet që kanë themeluar atë lëvizje në vitin 1955. Të tjerat ishin India, Indonezia dhe pak më vonë Gana. Beogradi po di t\'i shfrytëzojë kontaktet e vjetra.


Nëse e keni parasysh zhvillimin e këtij viti, fillimin e angazhimit të misionit EULEX, themelimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, të Gjykatës Kushtetuese, bile edhe të një Shërbimi Sekret, a mendoni se i ka vënë Kosova bazat e një shteti?

Kosova vërtet ka arritur shumë brenda vitit, ashtu siç i numëruat edhe ju. Por ka edhe shumë për të bërë. Nuk ndërtohet një shtet i ri brenda një nate, siç thuhet. Do të duhet edhe ca kohë deri sa të ndërtohen të gjitha institucionet. Akoma më shumë do të zgjasë kjo, deri sa ato të funksionojnë siç duhet.


Para se gjithash, ka mungesë kuadrosh dhe përvojë dhe për këtë duhet kohë, që të funksionojë shteti si duhet. Në vitet 1947-1948, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë filluar me një program të madh rindërtimi të Evropës, i quajtur Plani Marshal. Ruset ua patën ndaluar shteteve të Evropës Lindore që të merrnin pjesë në atë Plan, kështu që Plani Marshal ishte i pranishëm vetëm në Evropën Perëndimore.



Dhe brenda disa viteve qe i suksesshëm, me gjithë dëmet e mëdha të luftës, nga që kishte edhe njerëz të përgatitur, përveç të hollave dhe ideve. Në Gjermani kishte njerëz, të cilët dinin se si funksionon një rrjet i komplikuar hekurudhor. Në Belgjikë kishte kuadro me përvojë në bursa dhe gjyqtarë të aftë. Në Francë kishte mjeshtër të klasit të parë për ndërtimin e koncerneve të prodhimit të automjeteve dhe diplomatë të sprovuar. Në Kosovë mungojnë tani të tillë kuadro. Këta nuk mund të përgatiten brenda natës. Duhet kohë dhe durim - dhe punë me përkushtim.


Gjendja në veri të vendit, e rrezikon ndërtimin e shtetit të Kosovës?


Situata në veri e bën gjendjen e Kosovës të komplikuar, por jo katastrofale. E para, që nga fillimi dihej se serbët atje nuk do ta akceptonin pavarësinë e Kosovës. Gjithashtu, dihej se Beogradi për këtë do e manipulonte gjithë popullsinë serbe. Beogradi po vazhdon të përkrahë udhëheqjen serbe në veri me të holla, këshilla dhe libra shkollorë. Nuk duhet harruar, se një politikë e tillë serbe po e komplikon gjendjen e mbi 60 për qind të serbëve në Kosovë. Këta serbë nuk jetojnë në veri, por në enklava gjithandej Kosovës.


E dyta, pak pas shpalljes se pavarësisë, ndodhën trazira të dhunshme të serbëve në veri, në kufirin me Serbinë, por vërtet vetëm atje dhe jo nga shqiptarët. Ministri serb i Mbrojtjes e pati fajësuar atëherë Kryeministrin serb, Vojisllav Koshtunica dhe ministrin e tij për Kosovën, që të kenë qenë prapa atyre trazirave të dhunshme. Nga vera, që kur nuk është më në pushtet Koshtunica, gjendja dukshëm është qetësuar.


Tadiçi tha para ca ditësh, se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën që të anëtarësohet në institucionet financiare ndërkombëtare, por se nuk do ta njohë asnjëherë pavarësinë e Kosovës. Ai deklaroi se ky rajon është djepi kombëtar i serbëve. A ka ndonjë peshë ky qëndrim ekstrem i Beogradit ndaj Prishtinës dhe sa ndikon ky qëndrim në zhvillimet e brendshme në Kosovë dhe pozicionimin ndërkombëtar ndaj Kosovës, tani, një vit pas shpalljes së pavarësisë?


 Politikanët dhe nacionalistët serbë flasin shumë për Kosovën si djep i kulturës nacionale serbe, por e vërteta është se vetëm 20 për qind e serbëve e kanë vizituar si turistë ndonjëherë Kosovën, kur i kishin mundësitë. Kjo dëshmon se çfarë rëndësie ka Kosova për qytetarin e thjeshtë serb, e pranoi ose nuk e pranoi ai. Për qytetarin e thjeshtë serb, është me rëndësi puna, mirëqenia dhe shkollat e spitalet e mira. Politikanët po e shfrytëzojnë çështjen e Kosovës, por nacionalizmi nuk mund të hahet.


Tadiçi shpalli qëndrimet e tij për Kosovën pas vizitës në Beograd të komisarit për zgjerim të BE-së, Olli Rehn. Më herët, politikanët serbë nuk ishin kaq të arsyeshëm në lidhje me Kosovën sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Diçka ka lëvizur nga vendi. Kjo dëshmon se Brukseli është në gjendje që të influencojë politikanët e arsyeshëm serbë në drejtimin e duhur. Kjo është me rëndësi, jo vetëm sa i përket politikës serbe ndaj Kosovës drejt anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, por edhe sa i përket vet përzierës se brendshme serbe në Kosovë. Serbët e Kosovës, më në fund duhet të shohin se e ardhmja e tyre është me Prishtinën dhe jo me Beogradin. Edhe Beogradi duhet të kuptojë, se ndërhyrja e tij në punët e brendshme të Kosovës është vetëm një qorrsokak për vetë Serbinë dhe prandaj kjo rrugë nuk do ta çojë atë në BE.


Kryeministri Hashim Thaçi, po e vlerëson këtë politikë si politikë shoviniste e Beogradit. Ka të drejtë Thaçi me këtë vlerësim?


Nuk është vetëm shoviniste, por edhe cinike, dhe oportuniste. Shumë politikanë si Koshtunica, po përpiqen të spostojnë vëmendjen e popullsisë serbe nga realiteti i keq me të tilla parulla nacionaliste e angazhime. Të tillë politikanë mbajnë shumë fjalime të ngjashme mbi Kosovën, por nuk kanë fare ide konkrete se si mund t\'i sigurohet qytetarit serb një jetë normale. Edhe shumë njerëz afër Tomisllav Nikoliqit dhe Partisë se tij të Re Përparimtare, e dinë se shumicës serbe më shumë u intereson gjendja e mirë e tyre sesa Kosova.


Sikur ekziston përshtypja se, edhe pas një viti të shpalljes se pavarësisë, nuk janë të gjitha kompetencat në duart e kosovarëve. Është kjo e vërtetë, sipas mendimit tuaj?


 Së pari dëshiroj të them se ne po flasim për kompetencat civile dhe jo për ato ushtarake. NATO-ja dhe KFOR-i do të qëndrojnë si faktorë mbrojtës ushtarakë dhe janë pothuajse për të gjithë kosovarët të mirëseardhur. Përderisa NATO-ja dhe SHBA-ja janë prezente, revanshistët serbë nuk kanë ndonjë shans. Dhe këtë e di secili në Kosovë.


Por, po ashtu, secili e dinte që nga fillimi, se shumë kompetenca civile, edhe për një kohë do të jenë në duar të të huajve, para së gjithash në duar të BE-së. Kjo ka të bëjë sidomos më çështjen e jurispendencës, të minoriteteve, të policisë dhe të sigurisë. Për këtë arsye është EULEX-i aty, që të kontrollojë këto çështje dhe të përgatisë personelin e duhur vendor për këtë. Këto të gjitha kanë qenë të propozuara nga Marti Ahtisaari në planin e tij në vitin 2007. Sipas Kushtetutës se Kosovës, për këto nuk ka dilema.


Se a do jetë kjo një gjë e mirë, do të shohim. Shumë kosovarë e thonë këtë hapur ose jo, vlerësojnë pushtetin e të huajve në UNMIK dhe EULEX si kolonialist, si një pushtet i pushtuesve. Kosovarët, megjithatë po e akceptojnë praninë e të huajve si çmim për pavarësinë e tyre. Kjo është e qartë për secilin, sidomos që nga plani i Ahtisaarit.


UNMIK-u, tani edhe EULEX-i, bartin me vete shumë probleme për kosovarët. Të huajt paguhen shumë mirë dhe shumë nga ata kanë pak interesa që ta përfundojnë mirë punën e tyre dhe të shkojnë sa më parë në shtëpitë e tyre. Kosovarët që punojnë për të huajt paguhen më mirë sesa shumica e bashkatdhetarëve të tyre. Kjo po shkakton çrregullime në ekonominë e vendit. Për shembull, një shofer kosovar i angazhuar te të huajt, paguhet dyfish më mirë sesa një profesor në universitet.


Ekzistojnë edhe probleme të tjera. Korrupsioni i të huajve nuk është diçka e re. UNMIK-u po zvogëlohet, por EULEX-i është i madh dhe do të rritet edhe më shumë. Konfliktet brutale në mes këtyre dy organizatave të komplikuara dhe brenda burokracisë se EULEX-it janë tashmë të njohura. Por, të huajt janë në Kosovë që të japin këshilla dhe që të aftësojnë profesionalistët. Ata vetë do të duhej të ishin shembull i mirë.


Fatkeqësisht, ndonjëherë krijohet përshtypja për ndonjë të huaj, se ata vërtet po ndihen si kolonialistë. Në fund të 2008-ës, organet kosovare të sigurisë arrestuan 3 gjermanë, të cilët ishin pjesëtarë të shërbimit sekret gjerman. Historia e asaj ngjarjeje ishte tepër e komplikuar dhe shumëçka vazhdon të mbetet e paqartë dhe e fshehtë.



Gjithsesi, rasti ishte një skandal për shërbimin gjerman dhe jo për qeverinë e Kosovës. Por mua ende vazhdon të më hidhërojë toni i shumë mediave gjermane, kur shkruanin e flisnin për këtë rast. Shumë gazetarë e komentatorë gjermanë shfaqën hidhërimin e tyre, se përse organet kosovare arrestuan dhe mbajtën në burg gjermanë, sikur ata të kishin të drejta të veçanta në Kosovë. Kjo nuk është korrekte. Të huajt janë mysafirë dhe jo zot shtëpie.


Zoti Moore, edhe sa kohë do të zgjasë konflikti rreth Mitrovicës? Pra, kur do të qetësohet kjo mollë sherri?


Mitrovica vazhdon të jetë problematike, përderisa popullsia serbe aty orientohet drejt Beogradit e jo drejt Prishtinës. Dhe serbët në veri do të vazhdojnë të orientohen drejt Beogradit, derisa qeveria serbe të vazhdojë të përzihet në punët e brendshme të Kosovës.


BE-ja duhet t\'ia bëjë të qartë Beogradit, se Serbia përfundimisht duhet t\'i lërë të qetë fqinjët e saj, nëse dëshiron anëtarësimin në BE. Luftërat në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, kishin të paktën një gjë të përbashkët: serbët e atyshëm nuk mund të merrnin me mend se mund të jetonin paqësisht e të kënaqur si pakicë kombëtare në një shtet, të cilin ata më nuk do ta kontrollonin. Politikanët në Beograd e kanë nxitur në mënyrë cinike frikën e serbëve jashtë kufijve të Serbisë. Kjo tani, përfundimisht, duhet të ndërpritet.


Ende pa u formuar mirë si shtet, Kosova po kritikohet si një vend me korrupsion të lartë. Sa i dëmshëm është ky imazh për të ardhmen e vendit dhe dëshirën për t\'u anëtarësuar në BE dhe NATO?


Korrupsioni është një problem i madh dhe këtë e di secili. Gjatë muajve para shpalljes se pavarësisë dhe Kushtetutës në vitin 2008, shumë politikanë u shfaqën dhe u dëshmuan shumë të disiplinuar dhe të përkushtuar ndaj qëllimeve madhore. Edhe tani ata duhet të vazhdojnë të jenë konsekuentë dhe patriotë kundër korrupsionit. Është më se e vërtetë, se korrupsioni në shtetet fqinjë të imponohet edhe në shtëpinë tende. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, Shqipërinë ose Maqedoninë, por edhe me Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilat tashmë janë në BE. Por, kjo, për organet në Kosovë, nuk duhet të jetë arsyetim shfajësues. Autoriteti i Shtetit është në pyetje.

 

 

Gazeta: Shekulli


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama