Kosova ne Piazza del Giesu

Kosova në 'Piazza del Giesu'
Në këtë numër po botojmë kujtimet e zotit Mitro Çela të një takimi të dikurshëm ku në rrethet e atëhershme politike sapo flitej për alternativën e të ardhmes së Kosovës: “Gjatë një tavoline të rrumbullakët të zhvilluar në Beograd më 23 nëntor 1992, Stojanoviç ka shpallur se kishte ndërmend të paraqiste para Kombeve të Bashkuara një projekt radikal të rindërtimit statual të Ballkanit, mbi bazën e respektit më absolut ndaj vetvendosjes”, shkruan autori

Në një nga ditët e Pranverës ‘93-e shkova në zyrën e Genc Pollos. Në atë kohë ishte këshilltar i Presidentit Berisha. Tablo e zakonshme: Mbi tavolinë e nën tavolinë, në dysheme e në karrige - libra, revista, gazeta. Shumica në gjuhë të huaja. Në pritje të një faksi që do të niste Pollo, kapërdiva një “gurmaz” ëhisky.

Ra zilja e telefonit: “Më kërkon Doktori, tha Pollo. Nuk vonohem!”…Për të vrarë kohën nisa të lexoj revistën e parë që më zuri dora…”Limes”. Revistë italiane për gjeopolitikën. Numri 1-2 e vitit 1993. Në kopertinë, nën një pikturë mesjetare shkruhej me gërma kapitale: Lufta në Evropë (Adriatiku, Jugosllavia, Ballkani.) Nisa shfletimin. Ngeca në faqen 275: PROJEKT Serb PËR NDARJEN E KOSOVËS!

Kosova të coptohet midis Jugosllavisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë

Kosova është e populluar 85 për qind nga shqiptarë.( Statistikat serioze shënojnë 90 për qind shqiptarë. Revista ka “ngrënë” 5 për qind. Shënimi im.) Propozimi në formë harte që është botuar në këtë numër të revistës “Limes”, kishte ardhur në redaksi nga një qark intelektual serb, kërkon t’u japë shqiptarëve ekzaktësisht 4/5 e provincës autonome të Kosovës, me Prizrenin si kryeqëndër. (Ish kryeqytet i mbretërisë serbe të Stefan Dushani, në vitin 1355). Kështu do të kemi një Kosovë e pavarur ose të lidhur me Shqipërinë.

Është e para herë që ky projekt, i diskutuar tashmë në Beograd, hidhet në letër. Kufiri i ri do t’i jepte Serbisë rajonet e veriut, të populluar kryesisht me serbë, të pasur me vende simbolike (manastiret e Graçanicës, të Banjskës dhe fushën e Merlit, e famshme për betejën e 1389).

Malit të Zi do t’i shkonte rajoni i Pejës, i populluar nga shqiptarë, muslimanë dhe nga një minoritet serb. Qyteti i Prishtinës do të ndahej në dy pjesë: Perëndimi për serbët, me Kosovën Polje ( Fushë). Pjesa lindore për shqiptarët. Rrafshnalta trekëndore e Podujevës shqiptare do të lidhej me pjesën tjetër të Kosovës nëpërmjet Prishtinës së Lindjes.

Ky dokument është dëshmitar i një debati të gjallë, edhe pse deri në një farë pike sekret, që po bëhet në Serbi. Siç ka shkruar “Vreme” më 30 nëntor 1992, për shembull, bëhet fjalë për propozime të diskutuara edhe në rang federate. Profesor Svetozar Stojanoviç, këshilltari më i afërt i Presidentit të Republikës Federative të Jugosllavisë Dobrica Cosiç, ka deklaruar se kufijtë e brendshëm nuk janë të përjetshëm…Gjatë një tavoline të rrumbullakët të zhvilluar në Beograd më 23 nëntor 1992, Stojanoviç ka shpallur se kishte ndërmend të paraqiste para Kombeve të Bashkuara një projekt radikal të rindërtimit statual të Ballkanit, mbi bazën e respektit më absolut ndaj vetvendosjes.

Harta dhe teksti më befasuan, aq sa nuk e ndjeva që kisha dy orë që rrija si hu në zyrë duke pritur Pollon. Në shënjë “hakmarrje” mora revistën me vete. Në vjeshtën e atij viti, ashtu rastësisht u bëra “personazh” në një tavolinë rotondo në Romë, ku u diskutua për këtë projekt serb…

Një telefonatë në mesnatë...

Tetor 1993. Ora 23. Ra telefoni…Alo…Singor Mitro! Jam Vinçeco Palia…Të flas nga Roma...7 muaj më parë kemi botuar në revistën “Limes” një hartë të re për Kosovën dhe disa shënime. Pas një jave do të organizojmë një tavolonë rotondo në Romë. Veç stafit të gazetës do të jenë edhe dy deputetë të Rugovës dhe dy profesorë serbë. Do të ishte me interes të kishim edhe një deputet nga Tirana…

...Alo...Bisedova me zotin Sereqi, ministrin tuaj të Jashtëm në qeverinë Meksi…Më tha se nuk mund të dërgojmë asnjë deputet, sepse është problem me zarar për karierën e deputetëve të pozitës. Unë i thashë: Sikur të lajmërojmë zotin Mitro Çela? Ai më tha: Në asnjë mënyrë, sepse do ta marrësh në qafë!…Ju do të pranonit një vizitë në Romë me shpenzimet tona?
Unë:- Jam dakort të nisem, vetëm me një kusht: Kur të kthehem në Tiranë, të informoj zyrtarish Presidentin Berisha për debatet që do të bëhen në Romë.

Viçenco Palia:- Është një kërkesë krejt nomale…

Prifti politikan

Lashë telefonin dhe fillova të bëj teatër me vetveten, sikur të isha Hamleti kur tha: “ To be or not to be!” ( Të jesh a mos të jesh!) Pse pranova? Për inat të Sereqit që tha: Mos e merr Mitron në qafë? Çfarë do të thonë njerëzia kur të marrin vesh vizitën ikonjito në Romë?...Me këto gër-mërre mbeta pa gjumë tërë atë natë. Më të gdhirë e gjeta “ilaçin” me pyetjen:
Kush është Viçenco Palia? Zyrtarisht është prift (parroco) në Bazilikatën e S. Maria në Transtrevere. Një ndër kishat më të vjetra dhe më të bukura të Romës. Autor i disa librave. Një ma ka falur edhe mua, kur isha mbi fik, dmth., baba i Kombit tonë. Libri quhet “Biseda mbi Krishtin”.

Po zyrtarisht? De juro-asgjë. Po de fakto? Një vëzhgues i hollë i jetës politike, nuk u habit për këtë fakt: Kur erdhi Papa në Shkodër, në një krah u ul një Kardinal. Në krahun tjetër prifti ynë! Po të interesohesh, merr vesh se mund të jetë ose mund të ketë qënë ndërmjetës i kryeministrave (që në Itali bien si gjethe fiku) me Papën! Ka miq kudo në botë. Ka edhe në Shqipëri. Miqtë e tij në Shqipëri, përsa i përket kolorit politik, formojnë ngjyrën e ylberit!

Një lexues i rregullt, që ka ndjekur hap pas hapi jetën politike shqiptare në këtë fundshekull ka vërejtur një nuancë: Sa herë që Shqipëria bën zgjedhje, në Romë ( San Exhidio) bëhet një Seminar me pjesmrrjen e të gjitha partive politike. ( Mars 1991; Shkurt 1992; Prill 1996; Mars 1997-të.) Sa herë që bëhët Seminar në Romë, do të ketë për regjizor priftin e thjeshtë me emrin Viçenco Palia.

Bile kush ka qënë më i vëmëndshëm ka vënë re se prifti ynë ka qënë edhe arkitekt i vendosjes së mardhënieve diplomatike midis Vatikanit dhe Shqipërisë; i Marveshjes për Arsimin në Kosovë midis Rugovës dhe Millosheviçit etj.

Dhe së fundi portreti interesant i Paljes, u shfaq në Beograd në kulmin e luftës midis NATO-s dhe Serbisë në vitin 1999. Sebepi? Rugova, i burgosuri i Millosheviçit. Dy ditë pasi e pamë priftin në Beograd, Rugova fluturoi nga Prishtina në Romë! Nga i burgosur i Millosheviçit në qytetar evropian! Paradoks! Jo. Në politikën moderne nuk ka vend për paradokse!

Në Romë

Bileta e udhëtimit më erdhi në shtëpi. Në Romë më shoqëronte miku im Franc Zhupa. Dikur gazetar. Mik i Viçenco Palies, sepse ishte ndërmjetës në ndërtimin e disa kishave katolike në Shqipëri, që ngriheshin me ndihmën e Vatikanit. Zumë hotel me pesë yje-paratë i paguanin italianët. Në një nga libraritë para hotelit, bleva një libër. E mora sepse tregonte për historinë e masonerisë italiane, për të cilën unë kisha disa njohuri dhe isha bërë personazh në një nga vizitat e mia në Greqi. Në rrjeshtin e parë lexova: Qendra e masonerisë italiane është në “Piazza del Giesu”. Ndërkohë pashë ftesën ku do të zhvillohej tavolina rotondo. Përsëri i njejti shesh! Mos kemi të bëjmë me ndonjë “Llozhë masonerie”, pyeta Francin. Ai ngriti supet.

Në orën 18 mbërritëm në shesh, një ndër më të bukurit e Romës. Një ndërtesë sa e vjetër aqë dhe interesante nga arkitektura. Hapim një derë dhe ngjitim një palë shkallë. Rrethe e rrotull dallova disa simbole të masonerisë, për të cilat më kishte folur një miku im, Sabuadin Dollaku, shqiptar me banim në Sarajeva, derisa nisi lufta. ( Pasi ndënji katër vjet në Tiranë, sot jeton në Amerikë. i jati i Sados kishte qenë mason.)

Në katin e dytë, drejt nesh erdhi një burrë. Fisnik nga pamja. Elegant nga veshja. Jam Luçio Caracciolo, drejtor i revistës “Limes”. Pasi i shtrëngova dorën i thashë jo pa qëllim: Një vit më parë, disa bankierë grekë donin të hapnin një “Llozhë masonerie” në Tiranë.

Miku qëndroi në vend si i gozhduar. Pastaj më futi krahun, më tërhoqi mënjanë duke më thënë: “ Do të ishte gabim i madh që llozha e masonerisë të bjerë në ndikimin grek! Ata janë hermetikë, u ka ngelur sahati në shekullin 18-të. Masoneria italiane ka filluar të eci me hapin e kohës moderne…”

Një tavolinë rotondo e trazuar

Një tavolinë e rrumbullakët ishte “instaluar” në mes të një salloni. Vështrova rreth e rrotull. Mure të veshur me dru. Tavan i skalitur. Piktura të pakta por me vlerë. Zumë vend njeri pas tjetrit. Të shpërndarë bordi i revistës. Ballë për ballë dy profesorët serbë dhe dy deputetët nga Kosova. Unë ndenja në krah të Viçenco Palies. Nuk duhet të harrojmë se jemi në vjeshtën e vitit 1993. Një muaj më parë Rugova kishte bërë një vizitë në Itali. Ndërmjetës ishtë prifti ynë. Rugova kishte takuar Papën, Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Italisë. Nga “gjerësia” e protokollit për Rugovën kuptohej edhe “pesha” politike e mikut tonë Viçenco Palia.

Në tavolinë ndjehej tension. Dy kosovarët flisnin shqip me zë të lartë: “Më mirë të ikim! Jemi të tepërt në këtë tavolinë, ku janë ulur edhe serbët!” Edhe serbët nuk ishin të qetë. Hartën e kishte bërë opozita. Ata përfaqësonin Millosheviçin. Unë hiqja vija në bllokun që mbaja përpara, duke mallkuar atë fjalën e urtë popullore që merret me vjehrrën dhe millonanë. ( Unë udhëtova për inat të ministrit Alfred Sereqi, që i tha Viçenco Palias mos e merr në qafë Mitron duke e thirrur në Romë?!)

Regjizori propozon një kafe!

Regjizori e ndjeu i pari rrezikun e dështimit të takimin. Mjeshtër i zanatit të vet, pasi bëri prezantimin e pjesmarrësve në debat tha: “Tani do të lëmë tavolinën për të pirë nga një kafe!” U ngritëm. Me filxhanët e kafesë në duar erdhëm vërdallë nëpër korridore. Pastaj u ulëm. Më dukej sikur ishim personazhë të një teatri absurd.

Debatin e nisi drejtori i revistës “Limes”. Në fillim tregoi hartën e ndarë të Kosovës. Tha se ishte hartuar nga Akademia e Shkencave të Serbisë. Kishte marrë edhe miratimin e disa opozitarëve me emër. Kuptohet nën zë, në tavolina në dhoma të mbëshjella nga errësira. (Mos vallë edhe në Beograd ishte përuruar ndonjë “Llozhë masonerie “!?) Sipas drejtorit harta ishte një “sekret” i nxjerrë nga Serbia. Unë mendova një frazë të huazuar nga epoka e Enverit, e përshtatur për kohën moderne: “Nuk ka kala që nuk marrin vëllezërit masonë!” Nisën të lëvizin karriget. I pari foli një nga deputetët e Kosovës. Foli frëngjisht. Prerë. Me doza arrogance:

Mandati ynë: Kosova republikë!

-Kjo hartë është pjellë e Millosheviçit. Janë marifetet e tij. Por ne i themi Millosheviçit: Boll është ndarë Shqipëria në shekuj! Sot nuk do të lejojmë një ndarje të Kosovës. Kush mendon ndryshe, luan me zjarrin. Për ne ka një rrugë: Kosova të bëhët Republikë!

Një nga profesorët serbë shtypi butonin e mikrofonit: “Zotërinj të nderuar! Duhet ta dini se Kosova është djepi i Serbisë! Kosova është toka e premtuar për serbët, ashtu siç është Palestina për çifutët!” Deputeti tjetër i Kosovës, duke u ngritur në këmbë: “Këto janë përralla nga e kaluara. Çdo copë tokë e Kosovës është vatër shqiptare!” Drejtori i revistës u drejtua nga unë: “ Cili është mendimi juaj, Zoti Çela, si përfaqësues i Presidentit Berisha?”

Unë:- Në radhë të parë unë nuk kam mandat të flas as në emër të Presidentit e as të Parlamentit, edhe pse jam deputet. Sipas bisedës me zotin Palia, kam ardhur këtu me madatin e vëzhguesit, të gazetarit. Personalisht jam partizan i Kosovës Republikë. Që të mbijetojë një republikë, ka nevojë të jetë një e tërë: Me fushat për bujqësinë dhe minierat për zhvillimin e ekonomisë. Po i hoqe Kosovës veriun e pasur me miniera, do të thotë ta futësh vendin në varfëri!

Pse kryeministri jugosllav Paniç vizitoi Tiranën?

Pas këtij shënimi, le të kthehemi tek biseda në tavolinën rotondo.

Një gazetar:- Nuk më befason ideja juaj! Presidenti Berisha dhe qeveria shqiptare janë kundra çdo dialogu…

Unë:- Nuk është e saktë. Shqipëria sot është anëtare e Këshillit të Evropës - shenjë e parë që ka pranuar dialogun. Ka marrëdhënie diplomatike me Bashkimin e Evropës dhe me çdo shtet Evropian, duke përfshirë dhe Jugosllavinë.

-Një vit më parë Tiranën e vizitoi ish-kryeministri i Jugosllavisë, serbo-amerikani Paniç. Si mendoni ju i nderuari gazetar: Paniç bëri viaxho në Tiranë apo bisedoi me kryeministrin Meksi! Sigurisht që bisedoi. Idetë e tij, si qytetar amerikan, ishin për një zhvillim ekonomik të Rajonit. ( Ndoshta skicë ideja e parë e Paktit të Stabilitetit për Ballkanin e vitit 1999.) Vetëm një Ballkan i zhvilluar nga ana ekonomike, i tha ai Kryeministrit Meksi, mund t’i bëjë fre nacionalizmit! ( Dy muaj pas vizitës në Tiranë, Millosheviçi e shkarkoi Kryeministrin e importuar nga SHBA-ja!

Rreth tavolinës tensioni po arrinte në shkallë kritike. Një kafe intermexo nuk i qetësoi gjakrat. Nga çasti në çast pritesh furtuna...Por furtunë nuk pati. Prifti-diplomat tha një frazë gjithë lezet: “Sikur ta mbyllim debatin për sot? Edhe problemet dolën edhe juve u ka lodhur rruga. Një vizitë në Kishën ku unë jap mesha dhe një vizitë në Vatikan do të ishte si një “aperitiv” për debatin e ditës së dytë.”

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama