Kosova me banore te Kinostudios Uje 24 ore ne cdo familje dhe program konkret per strehimin

Kosova me banore te Kinostudios: Uje 24 ore ne cdo familje dhe program konkret per strehimin

Kandidati i Partisë Demokratike për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët e zonës së Kinostudios, ku dëgjoi shqetësimet e tyre të shumta, dhe premtoi angazhim e përkushtim për zgjidhjen e tyre. Kosova theksoi projektin e tij për të sjellë ujë të rrjedhshëm 24 orë në ditë në çdo familje në Tiranë. Po ashtu, kandidati për kryebashkiak u foli qytetarëve edhe për planet e tij për strehimin dhe arsimin.

 

“Po bëjmë të gjithë përllogaritjet që Tirana ka mundësi të ketë furnizim 24 orë me ujë. Dhe të gjithë këto fuçira, depozita që nganjëherë bëhen dhe mollë sherri midis komshinjve, të hiqen më në fund nga qyteti ynë. Do ta sjellim ujin pa qenë nevoja ta japim më koncesion se nuk duam të na ndodhë siç ka ndodhur me energjinë elektrike. Menaxhimi është plotësisht i mundshëm nga Bashkia e ardhshme e Tiranës. Në çdo objektiv të jemi të saktë, me fillime, me mbarime afatesh , me objektiva, me standarde dhe çdo gjë do të jetë e mirëkalkuluar në mënyrë që çdo gjë të bëhet realitet”, tha Kosova.

 

“A keni ndonjë plan ose ndonjë politikë për të dhënë banesa për të pastrehët ose për kryefamiljarët e rinj apo familjarët që shtohen duke ardhur nga rrethet?” pyet një banor.

 

“Janë rreth 7000-8000 apartamente që kanë ngecur. Do të thotë që nuk shiten më në Tiranë. Idea ime është kjo, që në qoftë se një firmë ndërtuese ka 60 hyrje dhe i ka shitur 45 ose 50 dhe i kanë ngelur 10 dhe nuk po ecin më, unë do të kërkoj një çmim në kosto, në mënyrë që Bashkia të bëhet ndërmjetëse për ti marrë dhe për t’ia dhënë atyre që kanë nevojë. E para. E dyta, kur një qytetar merr një apartament me qira, ne duam të bëjmë një lloj kontrate me ndërtuesin, që personi që ka ndenjur me qira për disa vite aty, e gjithë qiraja t’i quhet dhe ti zbritet nga çmimi i shtëpisë. Ne po bëjmë të gjitha tratativat sesi t’i ofrojmë, si ta rregullojmë tregun, si ta menaxhojmë tregun, nevojat e ndërtuesve me bllokimin e punës, me bllokimin e blerjeve dhe nevojat e qytetarëve për ta hapur një derë dhe për të gëzuar jetën aty”, shprehet Kosova.

 

“Jam invalid. Nuk kam mundësi të sponsorizoj për fëmijët. Shteti mua më kërkon lek, ose hiqe fëmijën nga shkolla. Berisha më përjashtoi nga taksa, kurse Edi Rama thotë duhet të paguash 54.000 lekë”, thotë një qytetar.

 

“2500 bursa do të ofrohen për këtë qëllim. E deklaroj këtu para të gjithëve dhe ke punë me mua se je banor i Tiranës. Unë nuk e kam humbur kur për një fije diskutohej jeta e tjetrit, jo më për një pyetje. Absolutisht, rrimë sa të duash të të sqaroj. Do ta sqarojmë, në qoftë se të është bërë një padrejtësi, ja ku jemi e rregullojmë. Unë po të them një diçka. Kam qenë dëshmitar i asaj, aty ku s’kishte lidhje të paligjshme, shkonte te pacienti ilaçi dhe nevojat e tij plotësoheshin, aty ku krijoheshin lidhje te paligjshme, i mungonte dhe ju jeni dëshmitarë që duhet ti blinit ilaçet jashtë spitalit dhe t’i përdornit brenda. Po me të njëjtin kryeministër, po me të njëjtin ministër. Pra në qoftë se ti do të ruash çdo qindarkë që të vjen nga qeveria, për nevojat e qytetarit është shumë i thjeshtë problemi. Mjafton mos futësh dorë në xhepin e qytetarit. Kurrë nuk e kam bërë në jetën time, kurrë nuk do ta bëj. Kështu që, mos u mërzit, do të flasim dhe veç bashkë, që sonte do ta shikoj. Nuk ka lidhje që unë jam Kryetar apo nuk jam Kryetar. Unë jam njeri në radhë të parë”, tha Kosova.

 

“Nuk ka rrugë socialiste, rrugë demokratike, nuk ka unazë socialiste, unazë demokratike, nuk ka bulevard socialist, bulevard demokratik. Ka bulevarde, rrugë, trotuare, pemë, lulishte, shkolla për të gjithë banorët e Tiranës. Ky është sekreti im”, tha Halim Kosova.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama