Kosova Bashkia do ofroje ambiente biznesi falas per te rinjte

Kosova: Bashkia do ofroje ambiente biznesi falas per te rinjte

Kandidati për kryebashkiak, Halim Kosova u takua me banorët e fshatrave të Tiranës të cilët i siguroi se ndarja administrative nuk do t’i lërë larg vëmendjes së Bashkisë së Tiranës.

“Çdo banor i Tiranës në qendër, në fshat, në komunë, kudo qoftë ai, do trajtohet njësoj si banor i kryeqytetit të Republikës së Shqipërisë. Do trajtohet si banor i kryeqytetit të gjithë shqiptarëve ngado që janë. Standardi që do ketë çdo qytetar i Tiranës kudo ndodhet ai duhet të jetë i njëjtë. Nuk ka pse një që është në qendër të jetë më mirë dhe një që është në periferi të ketë siklete dhe të vuaj. Kurrë nuk i kam ndarë pacientët demokrat e pacient socialist, të këtij lloji të atij lloji, absolutisht nuk kam përse ta bëj tani me banorët. Banorët e qytetit të Tiranës, kudo që jetojnë, do të jenë kryeqytetas të Shqipërisë dhe gjithë kombit Shqiptar. Këtë keni për ta parë me vepra”, u shpreh Kosova.

Kosova duke iu përgjigjur interesit të banorëve për nxitjen e prodhimit dhe mundësisë së tregtimit të prodhimit të tyre, tha se: “Bashkia e Tiranës çfarë ka në kompetencë do t’i realizojë të gjitha, që me ulje taksash, taksën mbi pronën e kështu me radhë. Kam marrë një angazhim për t’i ulur 30%, dhe nga ana tjetër do negocioj, qoftë me Ministrinë e Bujqësisë apo struktura të tjera shtetërore në të gjitha drejtimet e mundshme, që ju e keni problem por që nuk janë kompetencë e Bashkisë së Tiranës, derisa të arrijmë një pikë që Bashkia e Tiranës, në mënyrë ligjore, të ketë autonominë, kaq të rëndësishme për të bërë më të mirën për banorët e saj”.

“Dua të di nëse keni një plan konkret për punësimin e gjithë këtyre të rinjve që janë këtu përreth nëpër zonat e komunave?”, shprehet një i ri.“Bashkia do të ofrojë ambiente falas, me qira zero ose shumë minimale në objekte që i ka në varësinë e vet, duke i rikonstruktuar, për të rinj të cilët kanë një projekt dhe duan ta hedhin në letër dhe këtë do të rekomandoja ty dhe gjithë të tjerëve që t’i përvishemi punës dhe të bëjmë më të mirën e mundshme për ta parë veten me perspektivë”, tha Kosova.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama